Më i keqi i të gjitha kohërave, Klaus Gjasula drejt rekordit të ri

schedule17:18 - 28 Maj, 2020

schedule 17:18 - 28 Maj, 2020

Kompromisin nuk e njeh aq shumë kur është në fushë. Klaus Gjasula, mesfushori shqiptar i Paderborn, po shkon drejt një rekordi në Bundesliga, gjë që shpreh tiparin kryesor të lojës së tij, karakterin e fortë dhe luftarak.

Futbollisti i kombëtares mori kartonin e 15-të të verdhë të sezonit në kampionatin gjerman, në ndeshjen që Paderborni e barazoi 0-0 në fushën e Augsburg. Gjasula vendosi rekordin personal të të verdhëve në një edicion të Bundesligës, ndërsa loja e tij është sipas parimit “të kalojë topi, por jo rivali”.

“Futbollisti me helmetë” është shumë pranë rekordit absolut të Bundesliga, madje është vetëm 1 karton të verdhë larg.  Gjasula është barazuar me Stefan Effenberg, i cili pati gjithashtu 15 të verdhë në sezonin 1998-1999. Në vend të parë mbetet polaku Tomasz Hajto, me 16 të verdhë të marrë në të njëjtin sezon me ish-kapitenin e Bayern Munich.

“Përshëndetje Klaus, ju u vërsulët si një raketë. Shpresoj që ta thyeni rekordin tim, që unë të kem paqe në veten time”, u shpreh për SKY Hajto, ndërkohë që edhe mesfushori i kombëtares shqiptare ka folur në lidhje me faullin që i dha atij kartonin e verdhë.

Gjasula ndërhyri në këmbën e rivalit Niderlehner dhe faullin  e komentoi kështu: “Unë ndërhyra me vrull dhe e godita në bazamentin e këmbës, çfarë mund të them më shumë se kaq. Kështu e ka futbolli”.

Gjithsesi, mesfushori shqiptar njihet edhe si një nga lojtarët më luftarakë të kampionatit dhe si një nga 7 lojtarët që vrapojnë më shumë në Bundesliga. Po ashtu, ai është një nga kapitenët e Paderbornit, dhe madje ka arritur të shënojë dy gola për skuadrën e tij modeste. /abcnews.al