Ka zgjatur tri orë e gjysëm qëndresa para kuvendit e thirrur nga opozita. Teksa parlamenti ishte mbledhur në seancë plenare, protestuesit janë përplasur disa herë me policinë, duke tentuar thyerjen e kordonit policor. Sipas traditës, ish deputetët e PD e LSI kanë mbajtur fjalime motivuese për protestuesit, duke folur për vendimin e tyre të lënies së mandateve e kërkesën e njohur për protesta deri në largimin e kryeministrit Rama, e thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme nga një qeveri tranzicioni.
Në fjalën e tij kryetari Basha ka thënë se kryeministri Rama ka rënë tashmë e nëse nuk reflekton, do jenë qytetarët që do marrin në dorë situatën. Pas përfundimit të fjalimeve, Basha i ka ftuar protestuesit ta ndjekin, duke lënë pas sheshin para kuvendit.
Itinerari ka vijuar drejt ministrisë së brendshme dhe protestuesit janë ndalur aty me thirrjet “Lironi djemtë tanë”, me referencë protestuesit e ndaluar të tubimeve të kaluara.
Basha me ish deputetët e tjerë të opozitës kanë qëndruar me protestuesit. Nuk ka patur tension me policinë, por disa prej protestuesve kanë hedhur bojë të zezë drejt fasadës së ministrisë së brendshme. Pas këtij akti, protestuesit i janë drejtuar selisë blu, duke marshuar përmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. /abcnews.al