Mbyllet në Korçë kinemaja e vetme dhe e famshme Majestik

schedule13:15 - 20 Maj, 2018

schedule 13:15 - 20 Maj, 2018

Në qytetin e Korçës nuk do të ketë më kinema. Ajo më e famshmja Majestik u mbyll pasi falimentoi për shkak të numrit të pakët të frekuentuesve.

Ndërtuar me kontributin dhe vizionin e emigrantëve korçarë të Amerikës, në zemër të qytetit, kinema Majestik, do të kthehej në epiqendrën e kulturës për kohën.

Në ditët e saj më të mira, ishte e vështirë të sigurojë një biletë, kurse vitet e fundit, frekuentuesit u bënë gjithmonë dhe më të pakët, çfarë solli falimentimin e të vetmes kinema të Korçës.

U hap dhe u mbyll shumë herë gjatë ekzistencës, ndryshoi emër nga Majestik në Morava gjatë komunizmit. U dogj dhe u rimëkëmb, u bë bingo dhe sërish u kthye në identitet, por nuk ja doli dot të mbijetonte si biznes.

Qytetit të kulturës,sot  i mungojnë institucionet kryesore të kulturës.

Pas mbylljes së Bibliotekës dhe Pallatit të Kulturës, të cilat po rikonstruktohen për t’u kthyer në zyra për administratën e bashkisë, Korça mbeti edhe pa kinemanë, që i dha famë për gati një shekull.

Projekti për bibliotekën e re dhe qendrën multifunksionale të Artit është drejt përfundimit, por sa kohë politikëbërësit, institucionet e Kulturës dhe traditës do t’i trajtojnë si biznes, dera e kinemasë Majestik do të qendrojë e mbyllur. Kurse sa korçarët, do të vazhdojnë të thonë: Na ishte një herë, kinema Majestik. /abcnews.al

Gazetare e ABC News, Korçë: Daniela Zisi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!