Pak metra larg liqenit që ndan dhe bashkon dy vendet, Kryeministri Edi Rama priti në Pogradec, me një ceremoni zyrtare, homologun e tij maqedonas Zoran Zaev.
Ekzekutimi i dy himneve dhe prezantimi i delegacioneve përkatëse, u ndoqën nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë. Një format ky i aplikuar disa herë me Kosovën, por një risi në marrëdhëniet dypalëshe mes Tiranës dhe Shkupit.
Edi Rama: “Jemi shprësplotë se çel një kapitull të ri në marrëdhëniet e fqinjësisë sonë të mirë ndërthurur me interesa të përbashkëta gjeografikie, historike, kulturore, socio-ekonomike dhe jo në plan të fundit, gjeo-politike dhe gjeo-strategjike. Shqipëria është, ka qenë dhe do të jetë gjithnjë mikja më e mirë e Maqedonisë që prej pavarësisë së saj.”
Zoran Zaev: “Kjo seancë qeveritare hap një kapitull të ri mes marrëdhënieve dypalëshe mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, përveç kësaj japim kontributin gjithashtu në drejtim të zhvillimit të bashkëpunimit rajonal, realizimit të qëllimeve strategjike të vendeve tona, por dhe të gjitha vendeve të rajonit që janë integrimet në BE dhe NATO. Mbi të kaluarën deri tek e tanishmja duke punuar në zgjidhjen që çon drejt një të ardhmeje paqësore të qytetarëve tanë dhe jo në shtyrjen e çështjeve të tilla. Ne të nderuar kolegë, miq, ne ndërtojmë të ardhmen për Maqedoninë, për Shqipërinë dhe për rajonin”.
Dy kryeministrat ritheksuan angazhimin për një rajon të ndërlidhur, pa fshehur se kjo mbledhje e parë e përbashkët ishte edhe një mesazh për vendet e tjera të Ballkanit.
Edi Rama: “Me kryeministrin Zaev kemi ndarë angazhimin, vendosmërinë për të kontribuar aktivisht në ndërtimin e një rajoni të ndërlidhur nga një pamje ekonomike, infrastrukturore pa barriera të çfarëdollojshme në qarkullimin e kapitalit, njerëzve dhe të ideve. Besoj se për këto dhe për shumë arsye të tjera ky takim i sotëm mund të konsiderohet si një moment kyç në historinë tonë të përbashkët”.
Zoran Zaev: “Kjo senacë e parë qeveritare mes qeverisë së Maqedonisë dhe Shqipërisë është më tepër se një mesazh për rajonin. Është një mesazh se udhësitë e përgjithshme politike të dy vendeve, të cilët kanë nderin që të udhëheqin qytetarët e tyre pa paragjykime”.
Kryeministri Rama përsëriti se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Maqedoninë për anëtarësimin në BE dhe NATO, por bëri të qartë se gjithçka kalon nga jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit. Zoran Zaev pohoi se Qeveria e tij synon marrëdhënie ndëretnike të relaksuara.
Edi Rama:“Shqiptarët dhe faktori politik shqiptar në Maqedoni kanë qenë mbështetës të vazhdueshëm dhe të palëkundur të aspiratave euroatlantike të Maqedonisë dhe prandaj ne besojmë fort se sa më parë Maqedonia të bëhet pjesë me të drejta të plota në strukturat euroatlantike, aq më mirë do të jetë jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për Shqipërinë dhe për mbarë rajonin. Dhe këtu merr dhe vlerën më të plotë zbatimi i marrëveshjes kuadër të Ohrit, që ka qenë dhe do të mbetet baza e një shoqërie multietnike plotësisht funksionale”.
Zoran Zaev:“Shqiptarët në Maqedoni dhe maqedonasit në Shqipëri janë një urë e vërtetë e ndërtimit të marrëdhënieve më të afërta dhe të një bashkëpunimi më të madh. Ne i jemi përkushtuar ndërtimit të një shoqërie qytetare me mundësi të barabarta për të gjithë, marrëdhënie ndëretnike të relaksuara dhe një përkthim të plotë të frymës të marrëveshjes kornizë të Ohrit në praktikë dhe në jemi të bindur se dallimet në fakt na bëjnë më të fuqishëm përkushtimet tona”.
Rama përgëzoi homologun maqedonas përsa i përket ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa Zaev e vendosi atë në kuadër të reformave të ndërmarra nga Qeveria e tij me synim krijimin e një shoqërie më të mirë për të gjithë, siç u shpreh ai.
Edi Rama: “Dua ta përgëzoj Kryeministrin për angazhimin e tij personal, kurajon e tij politike dhe vullnetin për t’i kthyer fjalët në vepra në drejtim të inicimit të ligjit të gjuhëve si pjesë integrale e paketës së ligjeve prioritare, që i akordon gjuhës shqipe të shtrihet në përdorim në nivel të gjerë zyrtar dhe administrativ si dhe akses më të mirë të qytetarëve në shërbime. Ne shpresojmë që ligji të miratohet dhe të zbatohet sa më shpejt”.
Zoran Zaev: “Ne jemi përkushtuar ndaj një procesi të reformave, plani të quajtur “369”. Ky nuk është vetëm çelësi për t’u futur në BE dhe në NATO, por ky është çelësi për krijimin e një sistemi shtetëror që funksionon, që ekziston për qytetarët, në të cilin kanë besim të gjithë qytetarët. Një sistem i cili mbron të gjithë qytetarët dhe hap mundësi për të gjithë qytetarët në një shoqëri për të gjithë. Në një shoqëri në të cilën, siç treguan zgjedhjet dëshirojnë të jetojnë e shumta e qytetarëve e Republikës së Maqedonisë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë dhe të tjerë”.
Në konferencën për shtyp të dy kryeministrave që pasoi mbledhjen e përbashkët të qeverive, Zaev shtoi se parashikonte që ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni të miratohej përfundimisht brenda janarit të ardhshëm. Ai gjithashtu njoftoi se kishte propozuar që mbledhja e dytë e përbashkët e Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë, të zhvillohej në Ohër ose Strugë, brenda gjysmës së parë të 2018-ës.
Korridori i 8-të dhe rruga e Arbrit do jenë në fokusin e dy shteteve përsa i përket infrastrukturës, ndërkohë që u firmosën edhe marrëveshje dhe memorandume të tjera mirëkuptimi./abcnews.al