Mbi 250 nxënës dhe mësues me Covid-19 në Kosovë, 14 shkolla vijojnë mësimin online

schedule16:45 - 27 Tetor, 2020

schedule 16:45 - 27 Tetor, 2020

Rritja e numrit të rasteve me koronavirus në Kosovë ka bërë që 14 shkolla në vend të mbyllen kurse mësimi të zhvillohet online. Kjo pasi shumë nxënës dhe mësues janë prekur nga virusi.

Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, 130 nxënës janë infektuar kurse numri i mësuesve të prekur është 148.

Kështu ka bërë të ditur, Diellza Kukaj, zëdhënëse në MASH edhe këshilltare e ministrit Ramë Likaj.

“Nga raporti i fundit i inspektoratit të arsimit për regjistrimin e rasteve me COVID-19 në shkolla gjatë periudhës 19 – 23.10.2020 në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë raportuar gjithsejtë 130 nxënës të infektuar dhe 148 mësimdhënës të infektuar. Komuna me më së shumti raste të të infektuarve është Prishtina”, ka thënë Kukaj.

Ajo ka shtuar se deri më tani shkollat janë duke i respektuar udhëzimet e MASH, MSH, dhe IKSHPK.

“Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh për organizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokollin e reagimit ndaj pandemisëCOVID-19. Shkollat nuk po mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. Mësimi online dhe aj nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B”, u shpreh Kukaj.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!