Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Mbi 1 mijë të dënuar me vdekje në Iran në grevë urie

schedule22:10 - 28 Korrik, 2026

schedule 22:10 - 28 Korrik, 2026

Mbi 1.500 të burgosur të dënuar me vdekje në burgun Ghezel Hesar, pranë Teheranit, kanë nisur një grevë masive urie në shenjë proteste kundër rritjes së ekzekutimeve në Iran. Disa prej tyre kanë shkuar edhe më tej, duke qepur buzët si simbol i revoltës ndaj autoriteteve.

Sipas organizatave iraniane për të drejtat e njeriut, protesta nisi dy javë më parë, pasi gjashtë të dënuar për akuza të lidhura me trafikun e drogës u transferuan në izolim në pritje të ekzekutimit.

Në videot e publikuara nga grupet e të drejtave të njeriut, të burgosurit shihen duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Jo Ekzekutimeve” dhe duke bërë thirrje: “Bëhuni zëri ynë”. Në një prej pamjeve më tronditëse, një i burgosur qep buzët me gjilpërë dhe pe, duke deklaruar se autoritetet nuk kanë reaguar ndaj grevës së urisë.



Një tjetër video tregon të burgosur që kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore për protestuesit, duke pretenduar se rojet e burgut nuk lejojnë transportimin e tyre në infermieri, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Sipas organizatës Iran Human Rights (IHRNGO), me seli në Oslo, të paktën 424 persona janë ekzekutuar në Iran që nga fillimi i këtij viti, shumica për akuza që lidhen me drogën. Vetëm të martën, autoritetet ekzekutuan dy burra të dënuar për akuzën e “luftës kundër Zotit”, lidhur me vrasjen e dy efektivëve të policisë gjatë protestave kundër regjimit.

Drejtori i IHRNGO-së, Mahmood Amiry-Moghaddam, deklaroi se të dënuarit për çështje droge janë ndër më të margjinalizuarit dhe se protesta e tyre është një akt i jashtëzakonshëm guximi, pasi rrezikojnë të ekzekutohen në çdo moment.

Edhe Amnesty International ka ngritur shqetësimin se gjykatat revolucionare iraniane japin rregullisht dënime me vdekje pas proceseve gjyqësore që nuk përmbushin standardet e drejtësisë, ndërsa shumë të pandehur nuk kanë akses te një mbrojtje ligjore efektive.

Ndërkohë, familjarët e të dënuarve kanë protestuar jashtë burgut Ghezel Hesar në mbështetje të të afërmve të tyre, por sipas burimeve, tubimi është shpërndarë me forcë nga autoritetet iraniane.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!