Në një kohë që numri i të prekurve nga koronavirus në Britaninë e Madhe ka shkuar në 1,140, qeveria e vendit ka njoftuar edhe për masat që do të merren më tej.
Matt Hancock sekretari për Shëndetësinë ka njoftuar se qeveria do t’u kërkojë të moshuarve që të qëndrojnë në shtëpi për të paktën katër muaj. Hancock konfirmoi gjithashtu se qeveria nuk ka mjaftueshëm ventilatorë për të luftuar Covid-19.
Sekretari për Shëndetit u shpreh se personave që janë mbi 70 vjeç do t’u kërokhet që të vetë-izolohen edhe nëse nuk i kanë simptomat. Masat drastike vijnë me qëllimin për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe për të mbrojtur grupin më të cënueshëm të shoqërisë.
Ai shtoi më tej se dihet që nuk është diçka e lehtë për t’u bërë por është e nevojshme duke sqaruar se masat e reja mund të hyjnë në fuqi në javët që do të vijnë. Kjo masë e re ngre pyetje të tjera lidhur me atë që qeveria do të bëjë për të siguruar që të moshuarit të mos mbeten pa ushqim apo mjekime.
Deri më tani, në Angli kanë ndërruar jetë 21 persona për shkak të Covid-19. /abcnews.al/