Në vendimin e Gjykatës Penale të Kajros, ku 35 organizata dhe 36 individë janë shpallur terroristë për një periudhë 5-vjeçare, listohet edhe “Asambleja Rinore Islamike” nga Shkupi, e drejtuar nga Muhamet Murtezi.
Ky i fundit është aktualisht kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit në Shkup, nga radhët e koalicionit VLEN. Në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2025, Murtezi ishte pjesë e listës së këshilltarëve të këtij koalicioni për Komunën e Çairit.
Por emri i tij lidhet ngushtësisht me “flamingot” në Shqipëri. Përmes disa postimeve në Facebook, Murtezi ka shprehur publikisht mbështetjen për protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, duke kërkuar largimin e kryeministrit shqiptar.
“A do të përfundojë vërtet shpejt epoka e Edi Ramës, ashtu siç po flitet, e me këtë edhe të marrë fund e gjithë kjo dhunë që po ndodh nëpër rrugët e Shqipërisë, mbetet për ta shikuar. Uroj të vijë që nesër ky lajm i gëzuar”
Shpallja e organizatës që Murtezi drejton në listën terroriste të Kajros konfirmoi edhe njëherë tjetër atë që për shumë kohë dihej. Se elementë politikë nga Maqedonia e Veriut e Kosova qëndrojnë pas tubimeve dhe dhunës në Shqipëri.
Në korrik të këtij viti, tre zyrtarë të koalicionit VLEN u ndaluan në pikën e kufirit të Qafë Thanës, mes dyshimeve për rolin e tyre në organizimin e protestës së 4 korrikut në Tiranë, e cila u shoqërua me pak pjesëmarrje, por me më shumë dhunë.
Dyshimet për përfshirjen e elementëve politikë nga rajoni ishin bërë publike edhe më herët nga kryeministri Edi Rama.
Më 21 qershor, ai deklaroi se në protestat kundër qeverisë ishin angazhuar persona nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke përmendur karvanë nga Prishtina dhe Tetova, si pjesë të asaj që e cilësoi përpjekje për destabilizimin e Shqipërisë.


