Masat ndaj Covid-19, ndërpritet qarkullimi i autobusëve në Kosovë

schedule15:18 - 31 Mars, 2020

schedule 15:18 - 31 Mars, 2020

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka marrë vendimin që të ndërpritet qarkullimi i autobusëve në të gjithë Kosovën.

Këtë sot e bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku edhe theksoi se MPBAP-ja nuk është konsultuar për këtë vendim

Ahmeti ka shkruar në Facebook, se MPBAP-ja ka marrë vendim duke mos u konsultuar as me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera.

“Sapo pranova vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërprerjen e Transportit Publik në krejt Republikën e Kosovës, menjëherë. Përderisa kemi qenë përkrahës kryesorë të masave restriktive, dhe po ashtu kemi mbështetur secilin vendim të nivelit qendror, ky vendim është marrë pa asnjë konsultim, as edhe 30 sekondësh me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti thotë se përveç kostos, ky vendim ka ndikim edhe në qarkullimin e njerëzve të cilët nuk kanë mundësi tjetër udhëtimi.

“Ky vendim përveç kostos, ka ndikim në qarkullimin e njerëzve që nuk kanë mundësi tjetër, duke ditur që në Prishtinë ende funksionojnë institucionet publike, institucionet shëndetësore e edhe disa kompani. Ndoshta ky vendim do të ishte i domosdoshëm, por ndërprerja e menjëhershme pa kurfarë mundësie që të planifikojmë më mirë edhe si logjistikë edhe si kosto nuk ka nevojë të bëhet”, shkruan Ahmeti.