Masat e reja: Situata në Kapshticë, Kakavijë e Muriqan e qetë, udhëtaret pa dokumente vetëizolohen

schedule11:46 - 6 Shtator, 2021

schedule 11:46 - 6 Shtator, 2021

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-covid-19 dhe situata në pikën kufitare të Kapshticës duket të jetë e qetë. Gazetarja Ledjona Xheladinaj raporton se deri më tani të paktën 12 udhëtarë që kanë qenë pa dokumentacionin e nevojshëm janë vetëkarantinuar.

Pjesa më e madhe e udhëtarëve, sipas gazetares, kanë qenë të pajisur me certifikatë vaksinimi dhe test negativ PCR. Ata që nuk kanë dokumentet e kërkuara, detyrohen të vetëizolohen në banesa dhe të mbajnë kontakt me autoritetet e shëndetit publik.

Në këtë pikë kufitare nuk ka ende pikë për kryerjen e testeve të shpejta. Ndërsa, në pikën kufitare të Muriqanit gazetari Simon Shkreli raporton se situata është po ashtu e qetë. Sipas tij, të dielën kur ende nuk kishin hyrë në fuqi masat e reja hynë në vend një numër i madh udhëtarësh. Më konkretisht 6,837 qytetarë.

Ndërsa sot, 23 qytetarë që janë kthyer nga Italia nuk ishin të pajisur me dokumentacionin e nevojshëm dhe janë futur në vetëizolim. Kurse, nga Kakavijë, deri më tani kanë hyrë në vendin tonë 500 persona, prej të cilëve 145 ishin shqiptarë dhe pjesa tjetër të huaj.

Nga këta, 99 persona kanë deklaruar se do të karantinohen dhe nuk e bënë testin e shpejtë në kufi. Ndërsa, 23 persona kane kryer testin e shpejtë në pikën e testimeve që është ngritur në Kakavijë. /abcnews.al/