Masakra me 3 viktima në Athinë, larje hesapesh mes bandave shqiptare, e kaluara e “zezë” e dy familjeve

schedule10:53 - 3 Korrik, 2022

schedule 10:53 - 3 Korrik, 2022

Përplasja mes dy bandave shqiptare në Athinë mbrëmjen e 2 korrikut ka tronditur mbarë opinionin në Greqi dhe jo vetëm.

Si pasojë e përleshjes së përgjakshme në Athinë mes dy familjeve shqiptare që bënin pjesë në botën e trafikimit të lëndëve narkotike, sipas burimeve policore  kanë mbetur të vdekur 3 shtetas shqiptarë.

Lexo edhe: Shkon në 3 numri i viktimave në Athinë, mediet greke zbardhin detajet: Sherri mes dy familjeve shqiptare që ishin shpërndarës droge

Nga konflikti kanë mbetur gjithashtu të plagosur një person edhe dy efektivë policie, pasi autori qëlloi ndaj tyre në momentin që policia i kërkoi të dorëzohej.

Viktima e tretë ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Athinës, si pasojë e plagëve të rënda që mori nga sherri i mbrëmshëm.

Protothema.gr raporton se 2 familjet shqiptare përveç se ishin shpërndarëse të lëndëve narkotike, në të kaluarën janë përfshirë edhe në krime të ndryshme.

Sipas medieve greke familja shqiptare kriminale kishte planifikuar prej kohësh vrasjen e shqiptarit, i cili një muaj më parë bashkë me autorin ishin arrestuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ky është shkaku kryesor i nisjes së sherrit.

Për pasojë anëtarët e dy familjeve u takuan në rrugën Kourtidou, në Kato Patisia, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre personale, pasi besonin se i bashkëarrestuari me viktimën ishte arsyeja e arrestimit të të ndjerit një muaj më parë.

Kronika e ngjerjes

Çdo gjë nisi në lagjen “Kato Patisia” të Athinës, në kohën që persona të cilët udhëtonin me një automjet tip “Mercedes” me targa shqiptare, u përleshën me drejtuesin e një motoçiklete, i cili mbeti i plagosur rëndë, por gjatë orëve të para të mëngjesit humbi jetën në spital.

Në vend u gjend babai drejtuesit të motoçikletës, i cili ndoqi “Mercedesin” me një automjet tip “Audi” dhe qëlloi me armë duke e lënë të vdekur në vend, raporton abcnews.al.

Një tjetër person që ndodhej në “Mercedes” tentoi të largohej me vrap, por u përplas nga një automjet që po kalonte rastësisht në rrugë dhe mbeti i plagosur, ndërsa një person tjetër që ndodhej po në të njëjtën makinë mundi të dalë nga makina dhe nën kërcënimin e armës grabiti një makinë tip “Toyota”.

Menjëherë me të mbërritur në vendngjarje policia nisi të kërkojë makinën “Toyota”, të cilën e gjeti jashtë një bari në lagjen “Ajos Anargjiros”.

Policia i bëri thirrje të dorëzohet, por i riu hapi zjarr duke plagosur dy policë.

Prej përleshjes së armatosur mbeti i vrarë edhe autori.

Burime thonë se tre viktimat e ngjarjes janë shqiptarë, por ende policia nuk ka dhënë emrat.

Hetimet tregojnë se grupi i armatosur është sulmuar në “Kato Patisia” prej rivalëve në momentin që po përgatiste të sulmonte barin në “Agjius Anargjirus”./abcnews.al/