“Masa konkrete për ekonominë”, Arben Shkodra: Duhet të ndërhyjmë tani ose do të shpëtojmë vetëm disa thërrime

schedule20:55 - 31 Mars, 2020

schedule 20:55 - 31 Mars, 2020

Në një lidhje me “ABC News”, sekretari i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar, Arben Shkodra theksoi se është e rëndësishme që të zgjidhen problemet e rëndësishme ekonomike. Shkodra tha se qeveria duhet të marrë masa të jashtëzakonshme pasi vendi do ta ketë të vështirë të rimarrë veten.

“Kemi pasur një diskutim me të gjithë anëtarët për masat konkrete të kësaj dinamike. Mendojmë që duhet të zgjidhim problemet imediatë të ekonomisë.

Sot flasim për një recesion ekonomik i cili do të dojë shumë vite të rimarrë veten. Kemi paraqitur për herë të dytë një paketë propozimesh me masat që duhet të marrë qeveria në lidhje me ekonominë prodhuese”, u shpreh Shkodra.

Gjithashtu ai theksoi se industria fasone tashmë po ngadalëson deri në mbyllje, ndërsa sipas tij industria ushqimore vijon të ketë një trend mesatar të shitjes. Më tej ai u shpreh se qeveria mori përsipër të mbulonte një fashë e cila ishte mikrobiznes.

“Sot që flasim nuk kemi një mekanizëm të shkruar që sqaron se si do të funksionojë procesi. Masa të jashtëzakonshme do të thotë dil nga instrumentet e mëparshëm klasik. Sot ku do ti gjejë lekët qeveria? Sot, i ka të gjitha instrumentet, mjafton të shohë modelet që po aplikojnë vendet e tjera.

Ose duhet të ndërhyjmë tani dhe nuk e lemë situatën të kolapsojë ose ndërhyjmë në fund dhe do të shpëtojmë vetëm disa thërrime”, u shpreh ai.

Më tej ai theksoi se i gjithë dokumenti si synim paraprak ka ruajtjen e vendeve të punës dhe qëllimi i dytë është që sipërmarrësit ti garantohet likuiditeti./abcnews.al