Kryediplomati grek, Nikos Kotzias, ka akuzuar opozitën e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë se po përpiqen të punojë mbi zemërimin e njerëzve për të riprodhuar stereotipet negative dhe paragjykimet mes popujve.
Nuk janë vetëm çështjet e mbetura pezull ato që pengojnë firmosjen e një mararveshje me Greqinë. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një intervistë për shtypin e shkruar të vendit të tij akuzon opozitat në të dyja anët e kufirit se po përpiqen të shfrytëzojnë ndjeshmëritë e opinionit për përfitime të ngushta politike.
“Ne kemi probleme me Shqipërinë, madje edhe 90-vjeçare. Çështjet mbetën të pazgjidhura pasi u ekspozuan në një masë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shtuar këtu faktin që qeveritë e mëparshme edhe nëse donin të zgjidhnin disa prej tyre, i lanë në mes të rrugës. Le të marrim si shembull ligjin e luftës. A mund të imagjinojmë se jemi akoma dy vendet në luftë? Opozitat, në të dy anët e kufirit, po përpiqen të punojë mbi këtë bazë, mbi zemërimin e njerezve. Për të riprodhuar stereotipet negative dhe paragjykimet mes popujve. Arritën të thonë se Greqia humbi Epirin e Veiut për shkakun tim”.
I pyetur nëse një marrëveshje me Shqipërinë do të shkaktojë të njëjtat reagime si pakti me Maqedoninë, Kotzias dha këtë përgjigje.
“Kam shpresën se do të ketë më shumë pjekuri sa i përket zgjidhjeve për çështjet që kemi me Shqipërinë. Ne duam miqësi mes popujve dhe një politikë të bashkëjetesës paqësore midis shoqërive tona. Personalisht, unë gjithmonë i kam admiruar studentët e mi të shkëlqyer shqiptarë në Universitetin e Pireut, të cilët janë bërë mësues në vendin e tyre”.
Palët janë optimiste se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për përmbylljen e bisedimeve, ku ende në diskutim janë delimitimi i zonave detare, piramidat kufitare dhe menaxhimi incidenteve në kufij./abcnews.al