Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët është në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian për riatdhesimin dhe azilim, për sa kohë që të drejtat e emigrantëve janë të mbrojtura plotësisht.
Ky është qëndrimi i Nicholas Emiliou, Avokat i Përgjithshëm në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Opinioni i tij i paraprin vendimit përfundimtar të gjykatës në Luksemburg.
Sipas Emiliou, ligji europian nuk ndalon që një shtet të krijojë qendra riatdhesimi jashtë territorit të tij, por juristi thekson se ky shtet duhet të respektojë të gjitha garancitë e parashikuara, përfshirë të drejtën për ndihmë ligjore, përkthim gjuhësor dhe kontakt me familjarët dhe autoritetet.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi këtë zhvillim një lajm të rëndësishëm, që konfirmon vlefshmërinë e rrugës që dy vendet kanë ndjekur, por edhe koston për Italinë e dy viteve të humbura për shkak të interpretimeve gjyqësore të detyruara dhe të pabazuara.
Megjithatë shefja e qeversë italiane tha se plani po ecën përpara sepse lufta kundër imigracionit të paligjshëm kërkon seriozitet, guxim dhe zgjidhje konkrete.
Qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër do të përdoren për strehimin e atyre që u është refuzuar azili dhe që janë në pritje të riatdhesimit.
Marrëveshja Itali-Shqipëri, është nënshkruar tashmë prej dy vitesh nga kryeministrët e dy vendeve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni.
Në bazë të marrëveshjes, Italia merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse dhe mbulon të gjitha kostot financiare.


