Marrëveshja Kosovë-Serbi nxitje për ekonominë shqiptare, Malaj: Duhet transparencë

schedule10:04 - 9 Shtator, 2020

schedule 10:04 - 9 Shtator, 2020

Nga Erblina Mile

Marrëveshja ekonomike Kosovë-Serbi pritet të sjellë një sërë përfitimesh për ekonominë shqiptare.

Ish-ministri i Financave Arben Malaj thekson se problem në rastin e Shqipërisë mbetet mungesa e transparencës ndërsa renditemi të fundit  në rajon për të përthithur investime.

Malaj thekson se qeveria shqiptare është e fokusuar te projektet PPP për infrastrukturën duke sjellë kosto të lartë  financiare për shqiptarët..

Shqipëria pritet të ketë përfitime  ekonomike nga marrëveshja Kosovë – Serbi nga e cila parashikohet realizimi i rrjetit hekurudhor , një projekt infrastrukturor por edhe një port detar në Durrës.

Por përtej kësaj ekspertët ngrenë një sërë pikëpyetjesh në lidhje me realizimin e tyre.

Ish-ministri i Financave Arben Malaj thekson se qeveria shqiptare  nuk tregon interes në përthithjen e këtyre projekteve.

Madje Shqipëria rezulton e fundit në rajon që përfiton nga projektet në kuadër të procesit të Berlinit pasi nuk ka transparencë dhe studime të mirëfillta fizibiliteti.

“E vetmja gjë të cilën druaj është fakti se qeveria deri më tani ka treguar që nuk ka interes të madh tek donatorët. Pra, ne jemi të fundit me projektet e propozuara dhe përfituese nga Konferenca e Berlinit, e cila kë në thelb filozofinë që projektet që kanë një impakt në më shumë se dy shtete marrin prioritet, sepse ndërthurin më mirë dy-tre ekonomi së bashku. Ky hezitim i qeverisë shqiptare besoj se nuk është thjesht administrative, por donatorët shpeshherë kufizojnë supervizonin dhe marrjen në dorëzim”, tha Malaj.

Malaj thekson se neglizhenca e projekteve rajonale nga qeveria Rama vjen si pasojë e interesit për të ndërtuar rrugë me PPP që kanë kosto shumë  të larta financiare.

“Është fokusuar kryesisht të partneritetet publike dhe private preferenciale dhe kërkon ta modernizojë infrastrukturën e vendit tonë duke rritur borxhet në kurriz të shqiptarëve. Kjo është shumë e vështirë sepse jemi vendi i vogël, jemi vend në zhvillim dhe në vendet më të zhvilluara kostot e zgjerimit të infrastrukturës janë shumë të rënda të paguhen drejtpërdrejtë nga taksat. Përgjithësisht bashkëpunohet me bankat e zhvillimit”, tha ai.

Ngritja e  një porti të thellë në detin Adriatik është një element shumë i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë i cili do të pasohet edhe nga infrastruktura çka nënkupton kalimin e një pjese të tregtisë së Serbisë dhe Kosovës në vendin tonë.

Realizimi i këtyre projekteve do të sillte më shumë të punësuar në vend por edhe më shumë të ardhura në buxhet.

/abcnews.al/