Marrëveshja e detit, Meta i kërkon llogari Ramës: Me trego çfarë je duke bërë me grekët

schedule17:40 - 31 Gusht, 2020

schedule 17:40 - 31 Gusht, 2020

Presidenti i Republikës i ka kërkuar, me anë të një letre,  kryeministrit Edi Rama informacion zyrtar në lidhje me kufirin detar me Greqinë dhe pretendimet e kësaj të fundit për t’u zgjeruar 12 milje në Jon.

Letra i është dërguar edhe kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit.

Meta po ashtu ka kërkuar detaje në lidhje me komunikimin e Ramës me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Në letër shkruhet:

Pak ditë më parë në parlamnent grek gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjeve detare mes Greqisë me Italinë dhe Egjiptin, media ka raportuar për një deklaratë të kryeministrit të Greqisë zotit Mitsotakis sipas të cilit, ai u ka komunikuar qëndrimin e qeverisë greke lidhur me vendimin për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë me 12 milje detare.

Duke pasur në konsideratë rëndësinë e jashtëzakonshme kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike dhe jo vetëm, që ka kjo çështje për Republikën e Shqipërisë dhe ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik, kërkoj informacion të detajuar mbi;

-Komunikimin që keni zhvilluar me kryeministrin e Greqisë dhe ose me zyrtarë të lartë të Greqisë për këtë çështje

-Qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë edhe ato ndërkombëtare që mund të rrjedhin prej tij

-Veprime që planifikohen të ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej këtij akti të njëanshëm të Greqisë” 

Kujtojmë këtu se kreu i qeverisë greke, deklaratat për zgjerimin në Jon i bëri më 26 gusht në parlament.

Fjalimi i Mitsotakis u mbajt në të njëjtën ditë kur Parlamenti ratifikoi marrëveshjet detare me Italinë dhe Egjiptin të firmosura gjatë javëve të fundit.

Duke u nisur nga përplasja me Turqinë për shelfin kontinental të ishullit Kastelorizo, Mitsotakis u shpreh: “Ne po e rrisim Greqinë! Do të sigurojnë 12 milje edhe në detin Jon sipas të gjitha konventave ndërkombëtare. Asgjë s’na pengon neve që të arrijmë këtë“.

Nga ana tjetër, Rama reagoi duke u shprehur se zgjerimi me 12 milje është e drejtë e Greqisë, që Shqipëria e ka ushtruar që në vitin 1990.  Kjo çështje ka shkaktuar debat në Shqipëri, ndërsa opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se po vepron pa transparencë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!