Maringlen Verli: Libri historik, peng i shpërndarjes dhe i përkthimit

schedule16:47 - 26 Nëntor, 2020

schedule 16:47 - 26 Nëntor, 2020

Libri historik dhe botimet albanologjike  prej 30 vitesh  kanë mbetur në hije.

Shkak sipas Drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Maringlen Verli është mungesa e shpërndarjes në shkolla dhe biblioteka.

“Shteti duhet të interesohet që ky libër të shkojë nëpër Universitete, në shkolla të mesme, në biblioteka. Të paktën 200 apo 300 tituj të shkonin aty ku konsumatori i shkencës apo i Albanologjisë do ta gjente”, shprehet ai.

Ndryshe nga vendet fqinje si Serbia apo Greqia të cilët investojnë në përkthimin e autorëve të tyre , zëri i autorëve shqiptar mungon në sytë e botës, kjo ka krijuar edhe mite të rreme rreth nesh, thekson historiani Verli.

“Autorët nga bota, përfshirë edhe politikbërësit do të kishin edhe mendimin tonë, pikërisht sepse këtë ne nuk e kemi bërë si duhet, tezat e fqinjëve tanë janë ato që bëjnë influencën tek politikbërësit evropianë. Edhe sot e kësaj dite mund të ketë njerëz në botë që shprehen se Kosova është qendra e Serbisë. Në fakt, me argumente, me botimet e dokumenteve të mirëfillta në shekuj, nëse do t’i kemi kryesisht në anglisht  do t’i japim botës studimet tona që janë shumë reale dhe shumë cilësore”, thotë ai.

Studiuesi jep shembullin e veprave të domosdoshme për tu përkthyer, madje edhe koston.

“Vëllimet e historisë së popullit shqiptar, fjalori i enciklopedisë, përkthimi dhe pagesa të tjera që lidhen me të deri në finalizim, nëse është fjala për 7 vëllime, mund të shkonin deri në 15 milion të reja”, tregon ai.

Tryeza “Perspektiva Historike “ u organizua nga Qendra  Kombëtare e Librit dhe e Leximit, me qëllim mbështetjen financiare të librit Albanologjik përmes përkthimit dhe paraqitjes në Panair Ndërkombëtar./abcnews.al/