Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Situatë kritike nga zjarri në Pukë/ Evakuim i detyrueshëm i banorëve në fshatin Gojan i Madh

schedule18:31 - 20 Gusht, 2026

schedule 18:31 - 20 Gusht, 2026

Situata e zjarrit në territorin e fshatit Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, Pukë, është përkeqësuar, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e banorëve.

Për këtë arsye, Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të zonës.

Banorët do të evakuohen në mënyrë të koordinuar nga strukturat e emergjencave, Policia, MZSH dhe autoritetet vendore.



Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zonat më të rrezikuara.

URDHËR PËR EVAKUIM TË MENJËHERSHËM

Në zbatim të: Ligjit Nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”; Planit Kombëtar të Emergjencave Civile; si dhe Planit Vendor të Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë, si pasojë e situatës kritike të krijuar nga përhapja e zjarrit masiv në territorin e fshatit Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e banorëve, urdhërohet kryerja e evakuimit të menjëhershëm të banorëve të kësaj zone.

Evakuimi do të realizohet në koordinim të plotë me:

Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC);

Prefektin e Qarkut Shkodër;

Strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë;

Policinë e Shtetit (Komisariatin e Policisë Pukë);

Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH Pukë).

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë. Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren dhe Shtabit të Emergjencave Civile.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë:

Fëmijët dhe foshnjat;

Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike;

Personat me aftësi të kufizuara;

Familjet e mbetura në zona të izoluara apo me rrezikshmëri të lartë përfshirjeje nga flakët.

Sistemimi dhe Akomodimi:

Të gjithë banorët e evakuuar nga fshati Gojan i Madh do të akomodohen në ambientet e përgatitura të Konviktit “Ali Bytyçi” Pukë, ku janë marrë masat për strehim të sigurt, ushqim dhe shërbim mjekësor.

Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:

Mjetet logjistike të Bashkisë Pukë;

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH Pukë);

Policia e Shtetit;

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (nëse kërkohet mbështetje shtesë).

Menaxhimi i strehimit të të evakuuarve dhe asistenca për qytetarët do të realizohet nga Bashkia Pukë, në bashkëpunim me:

Policinë e Shtetit;

Njësinë e Kujdesit Shëndetësor Pukë dhe Spitalin Rajonal;

Kryqin e Kuq Shqiptar dhe organizatat partnere të ndihmës humanitare.

Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:

Regjistrimi i plotë i të evakuuarve në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm në Konviktin “Ali Bytyçi”;

Administrimi dhe plotësimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen, higjienën dhe ndihmën e parë/mjekësore;

Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës së zjarrit dhe masat në vijim për kthimin e sigurt në banesa.

Ky urdhër ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë!

KRYETARI I BASHKISË PUKË

Rrok DODAJ

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!