Problemet me pronësinë mbeten një barrier për “thithjen” e investimeve në Shqipëri. Ish-Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Crawford deklaron se është e domosdoshme që të krijohet një regjistër online i pronave pa probleme.
Rajoni mbetet më konkurrent ndaj Shqipërisë në thithjen e investimeve. Ndërsa projektin e fiskalizimit Crawford e sheh të vështirë për tu zbatuar sidomos në zonat rurale.
Pronat vijojnë të mbeten një ndër problemet kryesore me të cilin përballen investitorët e huaj në Shqipëri.
Bizneset e huaja bëjnë apel për një regjistër online të pronave ku mund të investojnë.
Marc Crawford ish -president i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë deklaron se shpesh janë përballur me problemet e pronësisë ç’ka ka detyruar shumë kompani të largohen ose të mos vijnë në Shqipëri.
“Kur vjen një investitor i huaj, pyet ku do të bëhet zyra. Nëse nuk dihet kush është pronari atëherë kufizohet mundësia. Investitorët shikojnë shifrat, si janë taksat nëse ka apo jo kontrolle”, u shpreh ai.
Rajoni vijon të jetë më tërheqës për investitorët e huaj kjo sidomos për shkak të taksave më të ulta .
Projektin e qeverisë për fiskalizim e sheh të vështirë për tu zbatuar .Ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë shprehet se është e rëndësishme që ky process të ketë më shumë konsultim para se të nisë të zbatohet.
“Duhet të japin më shumë mundësi edhe për ata që janë në fshat, të punojnë përmes internetit, është më e lehtë në afatgjatë”, tha ai.
Crawford shprehet optimist përsa i përket pritshmërive ekonomike për vitin 2020 pavarësisht problemeve. Shqipëria po përballet me sfidën e i thithjes së investimeve në një kohë që janë duke përfunduar dy prej projekteve madhore siç janë TAP apo HECET në Devoll./abcnews.al