Hiqet roaming me BE/ Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare: Kjo qasje tregon integrimin e përshkallëzuar

schedule14:31 - 13 Tetor, 2025

schedule 14:31 - 13 Tetor, 2025

TIRANË- Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, i ftuar në “Money Report” u shpreh se forumi i Investimeve “BE-Ballkani Perëndimor”, i cili po zhvillon punimet në Tiranë është një mesazh i qartë, që Evropa e ka rikthyer vëmendjen nga Ballkani Perëndimor.

Ai theksoi se kjo vëmendje duhet shfrytëzuar me zgjuarsi nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat aspirojnë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe.

Presidentja e Komisionit Evropian, Usula Von der Leyen konfirmoi se do hiqen tarifat roaming për telefoninë celulare midis Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian duke nisur nga viti i ardhshëm.

Kjo lehtësi e re shtoi eksperti Kamberi tregon se kemi hyrë në një integrim të avancuar.

“forumi është përpjekje për ta rikthyer Ballkanin në fokus të politikave të BE. BE synon të zgjerojë anëtarësimin e vendeve. Besoj se tani po kalohet te integrimi i asaj që quhet integrimi i avancuar. Ky lloj integrimi është brenda filozofisë së asaj që thashë në fillim që kemi të bëjmë, rikthimin e vëmendjes te Ballkani për integrimin në BE. Vendet e rajonit po integrohen në tregje të ndryshme”, tha ai.

Shqipëria pritet të përfitojë deri në 1 miliard euro në kuadër të planit të rritjes. Kjo u bë e ditur nga Ursula von der Leyen, e cila tha se deri tani janë disbursuar rreth 100 milionë euro.

Për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare, BE përmes planit të rritjes synon të nxisë vendet e Ballkanit që të vijojnë me politikat e tyre përafruese dhe integruese me BE.

Sipas Kamberit, Ballkani Perëndimor është treg, i cili ka potenciale të mëdha dhe si i tillë duhet shfrytëzuar me efikasitet.

“Fondi i akorduar për Ballkanin perëndimor është një mesazh i BE për rrugën drejt integrimit. Po jep sinjale, që vendet të mos e ndalin shpejtësinë, por shpejtësia nuk do të thotë që të ulet cilësia. Ballkani Perëndimor është një zonë me potencial të lartë, është një rajon me energji të reja. Ka shumë mundësi për të tërhequr investime të huaja. Vendet e Ballkanit përbëjnë një treg 18 milionë banorë, s’është treg i madh, por ka potenciale”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!