Klodiana Spahiu, deputete e PS në një intervistë në “News Line”, në ABC News foli për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gjatë intervistës, Spahiu tha se po punojnë për të realizuar projekte të reja, duke shtuar se në fokus mbetet edhe turizmi elitar.
Ekipi i Partisë Socialiste në Durrës, u shpreh ajo ka bërë një punë maksimale për të arritur rezultatet sa më të larta.
“Ne gjithmonë insistojmë që të kemi përveç anëtarësisë të PS, jemi projektuar të kemi edhe njerëz që nuk kanë ngjyrim politik, por që i bashkohet PS për qëllimin që ka dhe për të arritur pikën finale që e dëshirojnë të gjithë shqiptarët , integrimin në BE. Ky do të jetë edhe fokusi jonë. E gjitha puna është fokusuar për të pasur një fitore të thellë të Partisë Socialiste”, tha ajo.
Sa i përket konfirmimit në listë të mbyllur, tha se ka parë si një vlerësim edhe një detyrim moral për të bërë më të mirën.
“Unë në 16 vite i kam provuar të gjitha pozicionet në lista. S’e kam menduar kurrë veten në cilin pozicion jam. Kam dalë fituese edhe kur nuk mendohej. E konsideroj përgjegjësi shumë të madhe. Për mua është vlerësim, por edhe një detyrim moral për të bërë më të mirën. Ne duam të mbështesim qytetarët durrsakë për të pasur një jetë më mirë dhe një turizëm elitar gjatë gjithë vitit. Këto janë detyrimi që ne i kemi ndaj të gjithë qytetarëve durrsakë”, tha ndër të tjera ajo.
Ndër të tjera theksoi se parlamenti i ardhshëm duhet të ketë një kuotë sa më të lartë të grave, ndërsa nënvizoi se PS e ka pasur në vëmendjen kryesore këtë gjë dhe se ka treguar me fakte.
/abcnews.al/