Një 51-vjeçar nga fshati Selitë i Mallakastrës ka pësuar një aksident të rëndë pasi ka rënë nga një lartësi prej rreth 50 metrash.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, ndërsa dyshohet se 51-vjeçari po tentonte të riparonte një tubacion uji pranë fshatit. Për arsye ende të paqarta, ai ka humbur ekuilibrin dhe ka përfunduar në një terren të vështirë.
Familjarët e kanë gjetur të plagosur dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Mallakastrës, të cilat pas një operacioni në terrenin e vështirë kanë bërë të mundur nxjerrjen e të dëmtuarit.
51-vjeçari ka mbijetuar, por si pasojë e rënies ka pësuar disa fraktura. Pas nxjerrjes nga terreni, ai është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku do të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Policia vijon verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.


