Qeveria nuk do të tërhiqet! Malin e Tomorrit do ta rishpallë zonë të mbrojtur në një territor më të gjerë se sa ai që ishte përcaktuar 24 vite më parë. Kjo do të ndodhë para se të ankimojë vendimin e gjykatës, e cila riktheu në punë kompanitë që nxjerrin pllaka guri ndonëse Këshilli i Ministrave kishte vendosur ta rikthente në park kombëtar të gjithë zonën.
“Do të vazhdojmë mbledhjen e firmave nga të rinjtë e Beratit për një peticion drejtuar institucionit shtetëror. Do të marrim një vendim të shpejtë të KKRRT për të miratuar zgjerimin e hartës së Parkut Kombëtar të Tomorrit. Do të marrim një vendim qeverie për ta rishpallur Park Kombëtar malin e Tomorrit, pasi hilet e gjykatave për ta çuar në gjykatë, për të zgjatur me vite të tëra, do ta shkatërronte përfundimisht atë zonë duke e bërë të parikuperueshme. Ne do të vazhdojmë ankimimin gjyqësor për procesin e fundit të Gjykatës së Apelit Administrative të Tiranës”, tha Klosi.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e quajti korruptiv vendimin e gjykatës ndërsa tregoi se për të ka lobuar i njëjti grup biznesi, i cili në vitin 1995 ndikoi në vendimin e qeverisë për të rrudhur Parkun Kombëtar.
Pas këtij vendimi, të rinjtë e Beratit vijojnë mbledhjen e firmave për ta kundërshtuar ndërsa Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka çelur një debat publik për të përcaktuar hartat e çdo zone të mbrojtur në vend.
/ABC News Albania 24/7