MADRID/ Marrëveshje bashkëpunimi për gazin, Rama: Ne varemi nga humori i “Atij” lart për energjinë

schedule19:55 - 30 Qershor, 2022

schedule 19:55 - 30 Qershor, 2022

Në Madrid, u nënshkrua sot Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Albgaz dhe Kompanisë prestigjoze spanjolle ENAGAS, për t’i hapur rrugë bashkëpunimit mbi një sërë projektesh të qeverisë shqiptare në sektorin e energjisë.

Kryeministri Edi Rama, i cili përmbylli pasditen e sotme vizitën në Spanjë, në kuadër të Samitit të NATO-s – mori pjesë në takimin me Zëvendëskryeministren Teresa Ribera dhe drejtues të kompanisë ENAGAS, së bashku me Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Kryeministri Rama u shpreh gjatë takimit se qeveria shqiptare është e gatshme të forcojë marrëdhënien dhe të thellojë bashkëpunimin me Spanjën në këtë fushë të rëndësishme. Kryeministri theksoi ndër të tjera se çdo ditë e më shumë po rritet interesimi i kompanive më të njohura në Europë e SHBA, për bashkëpunim në fushën e energjisë, duke i çelur rrugën  transformimit të Shqipërisë në një pikë të rëndësishme hyrje e shpërndarjeje të gazit për gjithë rajonin.“

Rama: Vërtet një ndjesi shumë e mirë për ne që po e bëjmë këtë gjë. Është shumë e mirë për ne dhe besoj se do jetë shumë e mirë edhe për ENAGAS. Keni kryesuar përpjekjet e qeverisë për tranzicionin ekologjik. Është kënaqësi të them që jemi me energji 100% të ripërtëritshme në Shqipëri. Vjen me dhimbje koke sepse kemi 100% me energji të ripërtëritshme por nuk jemi të diversifikuar deri tani në burimet tona të ripërtëritshme.

Varemi nga ai lart, humori i tij, nëse nuk do të qajë është vërtet e vështirë, por tashmë po investojmë në energjinë diellore. Nesër do të inaugurojmë nisjen e ndërtimit të parkut të parë diellor, i pari në rajon. Po punojmë që të bëjmë diçka edhe me erën.

Ndërsa Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku tha se marrëveshja është një hap i ri për të forcuar sistemin tonë energjitik, për të krijuar kapacitete të reja dhe burime alternative të prodhimit të energjisë, përmes gazit të lëngshëm, duke e kthyer Shqipërinë si një nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit për transmetimin e gazit të lëngshëm dhe në një faktor energjitik për të gjithë Europën.

/Abcnews.al/