Macron paralajmëron Turqinë

schedule12:51 - 31 Janar, 2018

schedule 12:51 - 31 Janar, 2018

Franca paralajmëron Turqinë për dyshimet se në ofensivën kundër kurdëve po tenton të pushtojë veriun e Sirisë. Megjithatë, Ankaraja është përgjigjur duke nënvizuar se nuk është shtet pushtues.

Presidenti francez, Emmanule Macron, ka paralajmëruar Turqinë për rrezikun që përbën një pushtim i mundshëm i veriut të Sirisë. “Do të ishte një problem real nëse nuk do të respektohet sovraniteti sirian”, theksoi kreu i pallatit Elize. Duke komentuar operacionin ushtarak të filluar nga ushtria e Ankarasë në enklavën kurde Afrin, Macron nënvizon se ka kërkuar menjëherë qetësi dhe maturi dhe se ka shfaqur që prej orëve të para shqetësimin e tij për situatën.

Këtij pretendimi i është përgjigjur kryeministri i qeverisë së Ankarasë, Bilani Yıldırım. “E gjithë bota e di dhe duhet ta dijë se Turqia në asnjë mënyrë nuk vepron me logjikë okupuesi. Kjo shihet në Operacionin Mburoja e Eufratit”, theksoi ai.

Ndërkohë, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin. Lajmi është konfirmuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu. Erdoğan dhe Putin trajtuan zhvillimet në lidhje me Sirinë, Kongresin e Dialogut Kombëtar Sirian në Soçi, operacionin “Dega e Ullirit” dhe Idlibin. Megjithatë nuk jepen shumë detaje të tjera lidhur me bisedën e dy liderëve.

Prej disa javësh ushtria turke vijon ofensivën në kufirin e saj me Sirinë. Por kjo manovër ushtarake shikohet më shumë si një luftë kundër milicive kurde. Por shumica e tyre mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, gjë e cila mund të çojë edhe në një përplasje diplomatike. Që nga nisja e ofensivës “Dega e Ullirit”, numërohen mbi 200 viktima./abcnews.al