Në çdo lagje të Lushnjes, ku ka hapësira publike shesin tregtarë dhe prodhues, duke bllokuar edhe rrugën e kalimtarëve. Pavarësisht aksioneve të përditshme të Policisë Bashkiake, situata nuk ka ndryshuar prej 20 vitesh pasi Lushnja nuk ka një treg për shitjen e fruta-perimeve.
Është e përditshme në Lushnje. Çdo mëngjes, tregtarë dhe prodhues dëbohen nga hapësirat publike. Në zonën që njihet si “Ypsiloni”, prej 20 vitesh, Policia Bashkiake përballet me shitësit e qumështit dhe prodhuesit e perimeve.
Gjenden kudo në asfalt, në trotuar, në dyert e shkollave, pranë koshave të plehrave. Ata mendojnë se në rrugë vijnë blerësit. 10 policë sëbashku me drejtorin e Policisë Bashkiake e kanë të pamundur të kontrollojnë gjithë territorin.
Lushnja nuk ka një vend, ku mund të kryhet tregtia e përditshme e frutaperimeve. Dy tregjet e ngritura në vitin 2003 në zonat me popullsinë më të madhe në qytet u shkatërruan. Në vitin 2007, bashkia dhe disa pronarë bënë një treg, por askush nuk pranoi të shesë aty. E njëjta situatë u përsërit edhe në 2013. Të dyja tregjet jane jashtë funksionit. Rruga mbetet vendi më i preferuar për blerësit dhe tregtarët./abcnews.al