Pamjet që shihni janë gjithçka ka mbetur nga tregu i fruta-perimeve në Lushnje, pasi flakët përfshinë gjatë natës strukturën ku tregtarët siguronin të ardhurat e tyre.
Zjarri ra në orët e para të mëngjesit, ndërsa banorët e zonës njoftuan shërbimet zjarrfikëse dhe policinë.
Pas disa orësh ndërhyrje, forcat zjarrfikëse arritën të izolojnë flakët, duke shmangur përhapjen e tyre në të gjithë tregun.
Por dëmet mbeten të mëdha.
Mbulesa plastike e stabilimentit favorizoi përhapjen e shpejtë të zjarrit, ndërsa flakët dogjën thuajse të gjithë strukturën dhe produktet që ndodheshin në tezga.
Rreth 25 tregtarë kanë humbur mallin dhe investimin e tyre, duke u përballur tashmë me pasoja ekonomike.
Policia ka nisur hetimet, ndërsa grupet e emergjencave civile në bashkinë e Lushnjes po evidentojnë dëmet e shkaktuara për secilin tregtar.
Fillimisht dyshimet ishin për një shkëndijë elektrike, por hetimet paraprake të kryera disa orë pas shuarjes së flakëve kanë ngritur dyshime të forta se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Megjithëse tregu ishte i pajisur me kamera sigurie dhe ruhej me roje, identifikimi i autorëve është vështirësuar. Kamerat e vendosura pranë zonës së djegur nuk kanë mundur të fiksojnë momentin e zjarrvënies, pasi pamja është penguar nga çadrat dhe mbulesat që tregtarët përdornin për të mbrojtur produktet nga dielli dhe reshjet./abcnews.al


