Gianni De Biasi drejton kombëtaren e Azerbajxhanit prej korrikut të vitit të kaluar. Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, është një nga kandidatët për zëvendësimin e Andriy Shevchenkos në stolin e Ukrainës.
Italo-shqiptari ka folur për TMW Radio rreth largimit të Romelu Lukakut drejt Chelsea. Asgjë nuk është zyrtare, por Interi pritet të shesë bomberin belg te fituesit në fuqi të Champions League.
De Biasi ka një këshillë për drejtuesit e kampionëve të Italisë, duke zbuluar emrin që duhet të zëvendësojë Lukakun në majën e sulmit të skuadrës së Simone Inzaghit.

“Interi humbet shumë me largimin e Lukakut, një lojtar i jashtëzakonshëm skuadre. Zapata apo Vlahovic për ta zëvendësuar? Duvan (Zapata) ndoshta të jep më shumë siguri, për atë që ka bërë në vitet e fundit.
Të dy janë lojtarë shumë të mirë, asnjëri prej tyre nuk është Lukaku, por Zapata i ngjan më shumë. Mua më pëlqen shumë Vlahovic, Firence e ka bërë të njohur, por mbase do të afirmohet diku tjetër“, deklaroi De Biasi. /abcnews.al


