Intensifikimi i luftës gjatë sezonit të verës po shfaq një përplasje të ashpër ku palët po konsumojnë në thellësi kapacitetet e njëra-tjetrës.
Prof. Assoc. Xhavit Shala thotë se goditjet ndaj rafinerive ruse po shkaktojnë goditje ekonomike dhe probleme sociale brenda Rusisë, duke dëmtuar seriozisht reputacionin e Putinit.
Nga ana tjetër, Ukraina po forcon mbrojtjen dhe goditjet me dronë falë përvojës së saj dhe mbështetjes nga Perëndimi. Sipas ekspertit të sigurisë, ky intensitet i lartë luftarak nga ana e Ukrainës pritet ta detyrojë Rusinë të marrë në konsideratë një armëpushim apo ngrirje të konfliktit. Kjo pauzë taktike do t’i hapte më pas rrugën nisjes së një procesi dialogu mes palëve.
“Goditja e kapaciteteve rafinerisë të naftës kanë dëme të tjera për ushtrinë, por hapen edhe probleme sociale. Rusët po ndjejnë jo vetëm bombat që po shkojnë afër shtëpisë së tyre, por edhe shikojnë rënie në anën ekonomikë.
Nga ana tjetër kemi një Ukrainë që po përqendrohet në forcat e veta, por edhe me një mbështetje nga Perëndimi. Ukraina ka një mbrojtje të mirë të dronëve, kanë një lloj eksperience. Rusia do të bëjë përpjekje për të arritur në tokë, sepse në këto dëme që po shkaktohen reputacioni i Putinit brenda dhe jashtë vendit ka rënë.
Në këto kushte mund të themi që palët po konsumojnë njëra-tjetrën në thellësi dhe me këtë intensitet lufte që po bën Ukraina, do të detyrojë patjetër Rusinë që të mendojë për një ngrirje, armëpushim me afat për t’i hapur më pas rrugën një dialogu”, tha Xhavit Shala.



