Lufta tregtare SHBA-Kinë, Trump propozon tarifa të reja

schedule10:50 - 4 Prill, 2018

schedule 10:50 - 4 Prill, 2018

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar Kinën me shtim të tarifave tregtare që kapin vlerën e 50 miliardë dollarëve. Kjo masë vjen në sajë të politikave të Trump për tregti të barabartë.

Vijon përplasja mes Uashingtonit dhe Pekinit për luftën tregtare. Presidenti amerikan Donald Turmp ka propozuar tarifa të reja për 25% mbi importimet tregtare nga Kina, që kapin vlerën e 50 miliardë dollarëve. Zyra amerikane për tregtinë ka publikuar një listë me 1300 produkte, përfshirë robotët industrial dhe pajisjet për telekomunikacionin. Masa ndëshkuese është propozuar për shkeljen e pronës intelektuale amerikane nga ana e Pekinit.

Tarifa e Shteteve të Bashkuara mund të hyjë në fuqi vetëm pas një periudhe vlerësimi publik, limiti i të cilit është vendosur 11 Maji i ardhshëm. Ky është një hap nga ana e administratës amerikane për të kundërshtuar praktikat tregtare të padrejta nga ana e vendeve të ndryshme të botës, mes të cilëve dhe Kina.

I menjëhershëm dhe i njëjtë ishte dhe reagimi i Pekinit. Edhe Kina ka propozuar tarifa për importimin e 106 produkteve amerikane, ku përfshihen makina, avionë dhe produkte kimike për një vlerë totale prej 50 miliardë dollarësh. Lista me 106 produkte është shpërndarë nga ministria kineze e Tregtisë.

Pekini ka ndërmend dhe të ngrejë një çështje kundër SHBA-ve në Organizatën Botërore të Tregtisë, “WTO”. Ambsadori i Kinës në këtë organizatë thotë se masat amerikane shkelin parimet themelore të “WTO-së”. Ndërkohë, së fundmi Shtëpia e Bardhë kishte kritikuar kundër-tarifat kineze në përgjigje ndaj atyre amerikane për çelikun dhe aluminin. Përplasjet tregtare, jo vetëm me Kinën, por edhe me shtete të tjera, nisën pas vendosjes së këtyre tarifave nga ana e Trump.

Presidenti amerikan e arsyetoi taksën për importin e çelikut dhe aluminit duke thënë se SHBA ka humbur shumë në tregtinë me vende të tjera si dhe u shpreh se luftrat tregtare janë të mira dhe të lehta për t’u fituar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!