Lufta tregtare/ SHBA dhe Kina dakord për disa aspekte

schedule20:12 - 4 Maj, 2018

schedule 20:12 - 4 Maj, 2018

Pas dy ditë negociatash të mbajtura në Pekin, përfaqësuesit e qeverisë amerikane dhe ata të asaj kineze kanë rënë dakord për ngritjen e një mekanizmi pune që do mundësojë mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme, me qëllim zgjidhjen e kontesteve tregtare. Sipas raportimeve të mediave kineze, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për disa çështje, por për disa të tjera diferencat mbeten të thella. Sipas burimeve, dy delegacionet kanë biseduar për zgjerimin e eksporteve amerikane në Kinë, shkëmbimin e shërbimeve, investimet, mbrojtjen e pronës intelektuale dhe për taksat, që u kthyen në mollën e sherrit mes dy superfuqive. Gjithashtu, raporton online agjencia e lajmeve “Kina e Re”, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë njohur rëndësinë për një zhvillim të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe që kontestet të zgjidhen përmes negociatave. Pas këtij raundi të parë, procesi pritet të vijojë sistematikisht. /abcnews.al