Longo nxjerr të palarat: 2000 € pagesë që një i ri të stërvitej te Kukësi

schedule09:48 - 2 Qershor, 2022

schedule 09:48 - 2 Qershor, 2022

“Larguam dallaveraxhinjtë”, kështu tha mes të tjerash Safet Gjici, presidenti i nderit te Kukësi në prezantimin e Skënder Gegës, ndërkohë që në lidhje me këtë i është kërkuar një reagim trajnerit Diego Longo. Italiani për Panorama-Sport ka thënë:

“Ia kam dhënë unë presidentit listën e të pandershmëve dhe jam krenar që eliminova disa zakone të pashëndetshme apo që largova persona që nuk ndihmonin klubin, por mendonin vetëm për vete. Për fat të keq, kur bën zgjedhje të tilla atëherë bëhesh i padëshirueshëm, mbi të gjitha sepse për shkak të edukatës dhe respektit, nuk i denoncon publikisht këta persona.

Për shembull, zakoni për të dhënë 2000 euro nga një i ri që të mund të stërvitej me skuadrën e parë ishte një turp. E them këtë sepse kjo jo vetëm që shkatërronte meritokracinë te të rinjtë, por në të njëjtën kohë i bënte ata të ndiheshin sikur kishin të drejtë edhe të luanin, sepse kishin paguar.

Fakti që unë vendosa t’i luftoja këto prapësira më solli shumë probleme dhe më shtoi armiqtë.  Persona që gjatë sezonit më kanë sulmuar mua dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur për interesa krejtësisht personale dhe dashakeqe.

Menaxhimi që iu bë disa prej blerjeve të fundit ishte një tjetër arsye e madhe për t’u shkëputur me një pjesë e mjedisit, por për mua është e rëndësishme të jem në gjendje të shihem në pasqyrë pa pasur turp nga vetja.

Nëse unë punoj për dikë, atëherë bëj të pamundurën për interesat e tij dhe nuk mundem kurrë ta dëmtoj për përfitime të miat personale. Ndoshta kjo nuk u kuptua si duhet nga presidenti”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!