Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës, ka analizuar zhvillimet më të fundit në ekonominë globale dhe ndikimin e tyre në rajon.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbeten forca dominuese në tregun global, pavarësisht një rënieje graduale, ndërsa Kina po barazohet gjithnjë e më shumë me SHBA-në për sa i përket prodhimit të brendshëm bruto.
Sefa theksoi se ekonomia botërore mbështetet aktualisht mbi katër pole kryesore, SHBA-në, Europën, Kinën dhe Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se tarifat tregtare të vendosura së fundmi pritet të sjellin pasoja të ndjeshme për Bashkimin Europian dhe vendet partnere, përfshirë edhe Shqipërinë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të jenë dominuese të tregut global, megjithëse ka qenë në rënie. Kohët e fundit është kina ajo që është njësoj si SHBA për prodhimin e brendshëm bruto. SHBA është tregu më i madh i brendshëm, Europa vazhdon të jetë një pol i tretë, është një treg goxha i madh dhe Lindja e Mesme vazhdon të jetë ai poli i katërt, sidomos për lëndët minerale. Çdo lëvizje gjeopolitike është në këto katër rajone.
Ka vetëm një vit janë vendosur tarifat, por ende nuk janë ndjerë efektet e tarifave që janë vendosur. Projektohet deri në vitin 2027 prodhimi bruto i BE-së të ulet. Vetëm për pasojë e tarifave pritet që të zbresë deri në 17% eksportet. Kjo bëhet fjalë për tarifat e vendosura dhe jo ato shtesë. 30% e eksporteve të BE drejt SHBA. Pa diskutim që edhe Shqipëria do të marrë goditje , sepse partneri jonë tregtar është BE. Edhe Shqipëria do e pësojë, si një vend që importon dhe eksporton. Kjo është shumë me rëndësi për ne dhe për fat të keq nuk po e kuptojmë dhe nuk po marrim dot masat e duhura për t’u mbrojtur”, tha Sefa.


