Lobi më i fuqishëm i armëve në SHBA shpall falimentimin

schedule12:17 - 16 Janar, 2021

schedule 12:17 - 16 Janar, 2021

NRA, lobi më i fuqishëm i armëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i konsideruar dhe simbol i amendamentit të dytë në kushtetutën amerikane për mbajtjen e armëve, shpalli falimentimin. Një lëvizje kjo për të shmangur hetimet që ka nisur prokuroria për mashtrim financiar

Shoqata më e rëndësisshme e armëmbajtësve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NRA, me rreth 5 milion anëtarë, deklaroi nisjen e procedurës së falimentimit vullnetar që do të përfundojë me një riorganizim. Lobi i fuqishëm shpjegoi se do të asimilohet nga një shoqatë jo fitimprurëse në Teksas dhe do të lërë atë në shtetin e Nju Jorkut, ku u themelua në vitin 1871. Një kthesë e cila vjen në prag të betimit të presidentit të ri të vendit Xho Bajden, i cili në ndryshim nga Donald Tramp ka bërë të ditur se do të luftojë për të kufizuar përhapjen e armëve, përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave në vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi është një mënyrë për t’iu shmangur hetimeve të nisura nga prokuroria federale e Nju Jork e cila po heton për një seri mashtrimesh dhe devijimesh të fondeve ku janë përfshirë anëtarët e kësaj shoqate dhe që kanë shkaktuar një humbje prej 63 milion dollarësh ë tre vjet. Prokurori kërkoi shkrirjen e organizatës simbol të amendamentit të dytë të kushtetutës amerikane e cila garanton të drejtën për të pasur një armë zjarri.

NRA prezantoi kërkesën për falimentim federal në Dallas dhe bëri të ditur se ka ndërmend të transferohet në Teksas, për t’iu larguar një ambienti politik rregullisht të korruptuar në Nju Jork si dhe për të kufizuar dhe përmirësuar shpenzimet. Në muajin gusht prokurorja e përgjithshme e Nju Jork, Letisia Xhejms, denoncoi NRA dhe drejtuesit e saj për keqmenaxhim dhe mashtrim financiar./abcnews.al