Llalla i shpëton vettingut/KPK ndërpret procesin e verifikimit

schedule13:37 - 16 Shkurt, 2018

schedule 13:37 - 16 Shkurt, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vettingut për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, pasi ai u dorëhoq nga e drejta për tu kthyer si gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Vendimarrja e KPK-së për mosvetimin e ish-kryeprokurorit vjen dy ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi Llallës dhe familjarëve të tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nuk do t’i nënshtrohet vettingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ndërpresë procesin e rivlerësimit të nisur ndaj tij.

Vendimi u shpall të premten nga një trup gjykues i kryesuar nga Roland Ilia, me relator Olsi Komicin dhe anëtar Pamela Qirkon, katër ditë pasi Llalla hoqi dorë nga e drejta e tij për t’u rikthyer si gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

“Pasi mori dijeni për dorëheqjen e subjektit të rivlerësimit, z. Adriatik Llalla, më datë 12.02.2018, në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Adriatik Llalla”, njoftoi zyrtarisht Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ky vendim i KPK-së pas atij te  Departamentit Amerikan te Shtetit, i cili i ndaloi ish-kryeprokurorit Llalla hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vendimin e DASH, të bërë publik të mërkurën, theksohej se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të dyshimit të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.  E njëjta masë ndaluese vlen edhe për familjarët e Llallës, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.

Javën e kaluar procesi i vettingut u ndërpre edhe për ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese,  Besnin Imeraj, pak ditë pasi ai u dorëhoq nga detyra në vitin e pestë të mandatit të tij 9-vjeçar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!