Liverpul nuk ndalet dhe tani pret vetëm matematikën për të festuar titullin kampion në Premier Ligë. Edhe kjo ditë nuk do të jetë e largët, nëse të besuarit e Arne Slot nuk ulin ritmin dhe rivalët direktë nuk pushojnë së bëri dhurata.
“Reds” vijuan serinë e fitoreve, duke kaluar 2-0 një tjetër sfidë të vështirë si ajo kundër Newcastle.
Slobozlai ndezi shumë shpejt festën në “Anfield Road” me golin e epërsisë për të zotët e shtëpisë, duke vendosur edhe fatin e pjesës së parë.
Pas pushimit ishte Mekallister, që në minutën e 63-të vulosi fitoren e Liverpul, që thellon në 13 pikë diferencën në krye të renditjes.
Në arratisjen drejt titullit, të kuqtë kishin ndihmën e rivalëve të Arsenal, që u ndalën sërish në barazimin pa gola nmë transfertën e Nottingham.
Ky ishte barazimi i dytë radhazi për “Topçinjtë” e Londrës që shuajnë përfundimisht ëndrrat për trofe.
Mesjava e Premier Ligës ishte festive edhe për qytetin e Manchester, pasi si Siti, ashtu edhe Junajtid fituan sfidat e tyre.
Skuadra e Pep Guardiolës mundi në transfertë 1-0 Tottenham.
I kthyer pas dëmtimit, Haland shënoi golin e vetëm dhe të suksesit në minutën e 12-të.
Më dramatike ishte fitorja e Manchester Junajtid, që në tempullin e tij “Old Traford” kaloi 3-2 Ipsuic Taun.
Miqtë kaluan në epërsi në minutën e katërt pas një gabimi trashanik në mbrojtje.
Gjithsesi, Djajtë përmbysën shifrat me autogolin e Morsi dhe rrjetën e De Light.
Planet e të zotëve të shtëpisë u prishën, kur Dorgu la fushën me karton të kuq dhe kur rivalët barazuan sërish në shtesën e pjesës së parë.
Për të evituar katastrofën mendoi Meguajër, që në nisje të pjesës së dytë realizoi golin e fitores për Manchester United, që për pak ditë mund të jetojë i qetë larg kritikave.