Luftimet në Ukrainë janë futur në ditën e shtatë të tyre. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 136 civilë mes të cilëve 13 fëmijë. BBC shkruan se shifrat janë bërë publike nga Kombet e Bashkuara.
Liz Throssell, një zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha se numri real i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.
22:36 – Rusët pushtojnë qytetin ukrainas, kryebashkiaku: U futën në ndërtesën e këshillit
Trupat ruse futen me forcë në ndërtesën e këshillit të qytetit Kherson. Rusët janë tani në rrugët e qytetit jugor dhe kanë hyrë me forcë në ndërtesën e këshillit të qytetit. Rusia më herët pretendoi se kishte kapur Kherson, por kjo u mohua nga Ukraina, ndërsa tani ka qenw Igor Kolykhaev, kryebashkiaku i Khersonit i cili pranoi se qyteti është nën kontrollin rus.
22:47 – Shqipëria i bashkohet referimit në Hagë, Xhaçka: Rusia duhet të hetohet për krime lufte
Shqipëria i është bashkuar 37 vendeve të tjera për të referuar krimet e Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale mnë Hagë. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në një postim në rrjetet sociale, shkruan se Rusia duhet të hetohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë.
23:38 – Gjykata e Hagës nis zyrtarisht hetimin për mizoritë ruse në Ukrainë
Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka njoftuar se ka hapur një hetim mbi krimet e mundshme të luftës nga Rusia gjatë pushtimit të saj në Ukrainë. Karim Khan tha se synonte të kërkonte autorizim nga presidenca e gjykatës për të hapur hetimin, por një referim nga Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria dhe 36 vende të tjera në gjykatë do të thotë se ai tani synon të nisë hetimin menjëherë.
20:39 – NATO aktivizon për herë të parë Forcën e Reagimit: Do ta mbrojmë çdo pëllëmbë të Aleancës
Do ta mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Kështu thuhet në reagimin e fundit të Aleancës Transatlantike, ku ka njoftuar se njësitet e Forcës së Reagimit kanë mbërritur në Rumani gjatë së hënës dhe së martës. Në njoftim është sqaruar gjithashtu, se kjo është hera e parë që NATO-ja ka aktivizuar Forcën e Reagimit për mbrojtje kolektive dhe parandalim
19:14- Votimi në Asamblenë e OKB, Zelensky: Ky është një koalicion i gjerë anti-Putin
Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka përshëndetur votimin e Asamblesë së OKDB-së kundër Rusisë.
Në reagimin e tij Zelensky thekson se votimi i Asamblesë së OKB-së tregoi se ky është një koalicion i gjerë anti-Putin.
“Unë përgëzoj miratimin e OKB-së, me një shumicë të paprecedentë votash, të rezolutës me një apel të fortë ndaj Rusisë që të ndalojë menjëherë sulmin ndaj Ukrainës. Unë jam mirënjohës për të gjitha shtetet që votuan pro. Ju keni zgjedhur anën e duhur të historisë. Rezultati i votimit tregon bindshëm se një koalicion global anti-Putin është krijuar dhe po funksionon. Bota është me ne. E vërteta është në anën tonë. Fitorja do të jetë e jona” shkruan në twitter Volodymir Zelensky.
18:54- Pas Rusisë edhe Ukraina bën bilancin e luftës: Mbi 7 mijë ushtarë rusë të vrarë
Pas Rusisë edhe Ukraina ka raportuar për numrin e ushtarëve të vrarë rus gjatë 7 ditëve luftime.
Pala ukrainase deklaron se deri tani numri i ushtarëve rusë të vrarë në luftime i kalon 7 mijë. Ky lajm i bë i ditur nga këshilltari i presidentit ukrainas. Më herët sot, kjo shifër u raportua nga Ukraina se ishte 6 mijë ushtarë të vrarë.
Këshilltari shtoi se qindra ushtarë rusë, përfshirë oficerë të lartë, janë kapur gjithashtu si të burgosur.
Ndërkohë që pala ruse deklaroi më herët se numri i ushtarëve të rënë në luftime është 500.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka votuar në favor të një rezolute që dënon pushtimin e Rusisë dhe i bën thirrje asaj që menjëherë të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina.
Rezoluta u mbështet nga 141 nga 193 anëtarët e trupit në një sesion të rrallë urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të thirrur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Vetëm 5 vota janë renditur nga ana e Rusisë: – Rusia vetë – Bjellorusia – Eritrea – Korea e Veriut – Siria.
34 abstenime duke përfshirë – Kinë – Indi. Ndërkohë edhe Serbia ka ndëshkuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës.
18:13- Rusia raporton për herë të parë numrin e viktimave dhe të plagosurve
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka dhënë shifrat e para për viktimat e pësuara gjatë pushtimit të Ukrainës.
Sipas raporteve të mediave ruse, thuhet se 498 ushtarë rusë janë vrarë dhe 1,597 janë plagosur deri më tani. Pretendimi është dukshëm më i vogël se vlerësimi i Ukrainës për viktimat ruse – Kievi pretendon se ka vrarë 5,840 trupa ruse.
Ndërkohë Kievi nuk ka dhënë shifra për numrin e ushtarakëve ukrainas të vrarë dhe të plagosur. Nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur as pretendimet ruse apo ukrainase, por Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar beson se forcat e Moskës kanë pësuar humbje të mëdha.
Më herët shërbimet e urgjencës të Ukrainës thanë se më shumë se 2,000 civilë dhe 10 personel të shërbimeve të urgjencës ishin vrarë deri më tani.
15:49- Harris: S’do të dërgojmë trupa për të luftuar në Ukrainë, kemi gjithçka në tavolinë kundër Rusisë
Zëvendëspresidentja e SHBA’së, Kamala Harris, ka thënë se “gjithçka është në tavolinë” dhe se vendi i saj po shqyrton sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë.
Por, ajo ka vazhduar të theksojë se SHBA nuk do të dërgojë trupa për të luftuar forcat ruse në Ukrainë.
“Ajo që do të vazhdojmë të bëjmë është të qëndrojmë të vendosur me aleatët tanë në drejtim të rivlerësimit të asaj që po bëjmë me sanksionet. Gjithçka është në tavolinë për t’u konsideruar, sinqerisht”, tha Harris për ABC.
Harris shtoi se SHBA po monitoron nga afër veprimet e Rusisë dhe po vlerëson nëse ka pasë shënjestër të qëllimshme ndaj civilëve dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.
15:22- BE përjashton shtatë banka ruse nga sistemi SWIFT
Bashkimi Evropian ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT.
Në mesin e tyre janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank and VEB, sipas një deklarate të bllokut evropian.
“Me shpejtësi të dritës, Bashkimi Evropian ka miratuar tri valë të sanksioneve të ashpra kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të teknologjisë së lartë dhe elitës së korruptuar”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një komunikate.
“Kjo është paketa më e madhe me sanksione në historinë e Bashkimit Evropian. Vendimi i sotëm shkëput bankat kyçe ruse nga rrjeti SWIFT dhe dërgon një tjetër sinjal të qartë për Putinin dhe Kremlinin”.
Në listë nuk janë përmendur bankat e mëdha ruse, Sberbank dhe Gazprombank, të cilat kanë qasje në SWIFT për t’ua mundësuar shteteve të BE-së të kryejnë pagesa për naftën dhe gazin rus. Mirëpo një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë se lista do të jetë “vazhdimisht nën shqyrtim”.
13:20-Rubla ka “shkrirë”, Rusia e pranon: Sanksionet po na rrënojnë
Ekonomia ruse po merr “goditje serioze”, pranoi Kremlini të mërkurën, pasi izolimi në rritje i vendit grumbullon presione të mëtejshme mbi sistemin e tij të lëkundur financiar, raporton CNN. Apple (AAPL), ExxonMobil (XOM), Ford (F), Boeing (BA) dhe Airbus (EADSF) iu bashkuan listës së kompanive që mbyllën ose pezulluan aktivitetin e tyre në Rusi në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, përcjell Gazeta Express. Rubla u dobësua sërish. “Ekonomia e Rusisë po përjeton goditje serioze”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një telefonatë me gazetarët e huaj. “Por ka një kufi sigurie, ka potencial, ka disa plane, po punohet”, tha Peskov duke iu përgjigjej një pyetjeje në lidhje deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden në fjalimin e tij se ekonomia ruse po goditet rëndë.
13:16-Të shkulin mushkërinë nga vendi, çfarë janë bombat termobarike që Putini po i përdor në Ukrainë
Rusia është akuzuar për përdorimin e armëve termobarike – të njohura edhe si bomba me vakum – në pushtimin e Ukrainës. Këto bomba janë janë shumë më shkatërruese se eksplozivët konvencionalë të përmasave të ngjashme dhe kanë një ndikim të tmerrshëm te këdo që është në rrezen e tyre të shpërthimit.
Si funksionon një bombë termobarike?
Një bombë vakum, e quajtur gjithashtu një bombë termobarike, përbëhet nga një enë karburanti me dy ngarkesa të veçanta shpërthyese. Ajo mund të lëshohet si një raketë ose të hidhet si një bombë nga avioni. Kur godet objektivin e saj, ngarkesa e parë shpërthyese hap kontejnerin dhe shpërndan gjerësisht përzierjen e karburantit si një re.
13:02-Lufta Rusi-Ukrainë, shtyhet raundi i dytë i bisedimeve për paqe, zbulohet vendi ku do takohen
Raundi i dytë i bisedimeve diplomatike Rusi-Ukrainë nuk është anuluar por është shtyrë, njoftuan mediat ruse duke cituar një burim të afërt me negociatat. Sipas TASS, raundi i ri i negociatave ruso-ukrainase do të zhvillohet në Belovezhskaya Pushcha të Bjellorusisë. Megjithatë, raportet e fundit të mediave pohuan se Rusia është “gati” të fillojë diskutimet me Ukrainën të mërkurën në mbrëmje. TASS raportoi duke cituar burimin të thoshte, “Jo një anulim; orari u zhvendos; informacioni zyrtar do të vijë së shpejti”, raporton Republicworld.
12:58-“Mos ikni, erdhën shejtanët!” Vasali i Putinit nis forcat çeçene për të vrarë ukrainasit
Çeçeni Kadyrov i mbetet besnik shefit të tij, Putin, poston video të ushtarëve të tij duke u nisur në Ukrainë Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili është besnik i shefit të tij Putinit, ka postuar një video në rrjetin e tij social të një brigade ushtarësh çeçenë duke u nisur për në frontin e luftës në Ukrainë. Kadyrov ka shkruar se janë duke shkuar në luftë dhe i ka porositur ukrainasit që të “mos ikin”.
12:52-Kina kritikon sanksionet kundër Rusisë: S’kanë bazë ligjore, janë të njëanshme
Kina ka kritikuar sanksionet e vendosura kundër Rusisë nga Perëndimi, për shkak të hyrjes së trupave ushtarake në Ukrainë që prej 24 shkurtit. Kreu i Komisionit Rregullativ të Bankave dhe Sigurimeve në Kinë, Guo Shuqing, ka cilësuar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë të njëanshme. “Sa i përket sanksioneve financiare, ne nuk i miratojmë, dhe në veçanti nuk miratojmë sanksionet që janë vendosur në mënyrë të njëanshme, sepse janë joefektive dhe kanë shumë pak bazë ligjore”, tha ai për RIA Novosti.
12:42-Beteja e madhe pritet të nisë, kryebashkiaku: Bëhuni gati!
Kryebashkiaku i Kievit ka paralajmëuar banorët se forcat ruse po përparojnë në kryeqytetin e Ukrainës, dhe u ka kërkuar njerëzve të mos dalin nga shtëpitë dhe të përgatiten për të mbrojtur qytetin, shkruan BBC “Forcat ruse po afrohen gjithnjë e më shumë pranë nesh,” tha kryebashkiaku Vitaliy Klitschko, duke shtuar se ka pasur luftime të shumta në periferi të kryeqytetit. “Ne po përgatitemi dhe do të mbrojmë Kievin! Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të rezistojnë”. Deri më tani, Kievi i ka rezistuar përpjekjeve të pushtimit rus.
12:42-Beteja do të jetë e përgjakshme, eksperti ushtarak zbulon planin rus për Kievin
Eksperti ushtarak Dr. Jack Watling thotë për BBC se koha dhe mënyra e sulmit rus në Kiev është kritike. “Nëse rusët kryejnë një sulm të madh [në Kiev] dhe ata e thyejnë rezistencën, beteja do të jetë shumë e përgjakshme dhe trupat e tyre mund të thyhen,” thotë Ëatling, studiues në luftën tokësore dhe Shkenca ushtarake në Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara. Ai thotë se rusët do të duan të “zvogëlojnë” rezistencën përpara se të angazhojnë forcat e tyre.
Watling thotë se ka prova të moralit të ulët midis trupave ruse, duke përmendur njësitë e humbura dhe ata që janë çorientuar gjatë avancimit për në Kiev, si edhe habinë e tyre të madhe kur panë që po sulmoheshin nga ukrainasit.
12:39-Gruaja e Zelenskyt publikon pamje prekëse të luftës: Po luftojmë edhe për paqen në vendet tuaja
Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelensky, ka publikuar pamje prekëse nga lufta në Ukrainë, raporton Express. Në videon që ka shpërndarë gruaja e presidentit të Ukrainës, shihen gratë me fëmijët teksa strehohen nëpër bodrume, gra duke përgatitur koktej molotovi e në një sekuencë të shkurtër edhe bashkëshorti i saj, i cili kishte publikuar një video nga qendra e Kievit. Ajo ka thënë se s’do të dorëzohen, derisa iu ka drejtuar botës, duke thënë se ukrainasit janë duke luftuar edhe për paqen nëpër shtetet e tjera.
View this post on Instagram
12:27- Lufta në Ukrainë, telefoni “sekret” që Amerika i dha Zelensky para pushtimit rus
Para shpërthimit të luftës në Ukrainë, SHBA i dha presidentit ukrainas, Volodymyr Zeklensky, një telefon satelitor të sigurt, shkruan CNN, duke cituar një burim amerikan.
“Shtetet e Bashkuara janë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky përmes një telefoni të sigurt satelitor që qeveria amerikane i dha qeverisë ukrainase, muajin e kaluar përpara se të fillonte pushtimi rus”, tha një zyrtar amerikan.
“Telefoni i sigurt i lejon Zelenskyt të qëndrojë në kontakt me Shtetet e Bashkuara,” shtoi zyrtari i paidentifikuar amerikan.
Zelensky ka bërë të qartë se synon të qëndrojë në vendin e tij dhe aktualisht po zhvendoset në disa lokacione në Kiev që mbrohen nga një prani e konsiderueshme e sigurisë, raportoi CNN.
Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar një telefon satelitor të ngjashëm edhe ministrit të Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba, sipas zyrtarit amerikan. Sipas CNN, u deshën disa ditë që ukrainasit të vënë në funksion telefonat satelitorë pasi udhëzimet për përdorimin e tyre ishin në anglisht dhe jo në gjuhën ukrainase.
11:51- Rusët sulmuan me raketa ndërtesën e policisë në Kharkiv, raportohet për 4 viktima
4 persona kanë humbur jetën pasi ushtria ruse goditi me raketa ndërtesën e policisë rajonale në qytetin Kharkiv, Ukrainë, sipas autoriteteve të vendit, shkruan BBC
Raketa goditi ndërtesat që i përkisnin policisë, Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës dhe Universitetit Kombëtar Karazin rreth orës 08:10 të mëngjesit. Fotot e postuara në mediat sociale tregojnë zjarrfikësit duke u përpjekur të shuajnë flakët që kanë përfshirë ndërtesat.
Kryebashkiaku i qytetit tha se Kharkiv është “i rrethuar pjesërisht” nga ushtria ruse, duke shprehur mirënjohjen për guximin e ukrainasve, të cilët nuk janë dorëzuar përballë agresionit rus.
11:47- Lavrov: Lufta e Tretë Botërore mund të jetë bërthamore dhe katastrofike
Ministri i jashtëm rus në një intervistë për Aljazeera tha se Lufta e tretë botërore mund të jetë bërthamore dhe katastrofike.
“Presidenti i SHBA (Joe) Biden është një njeri me përvojë dhe ka deklaruar në të kaluarën se e vetmja alternativë ndaj sanksioneve është lufta botërore”, tha Lavrov.
Në lidhje me operacionin rus në Ukrainë, ai tha: “Operacioni ushtarak në Ukrainë, duke përfshirë edhe Kievin, ka për qëllim çarmatosjen e Ukrainës. Rusia nuk do të lejojë Ukrainën të marrë armë bërthamore.”
Kthimi i armëve bërthamore amerikane në Evropë
Dje, Lavrov tha se Rusia e konsideron të papranueshme që të ketë armë bërthamore amerikane në Evropë.
“Është koha që të kthehen në Shtetet e Bashkuara,” tha ministri i jashtëm rus në një fjalim të regjistruar në Konferencën e Çarmatimit në Gjenevë, sipas Ria Novosti .
11:17- Negociatat për paqe, Kremlini: Jemi të gatshëm për bisedime me Ukrainën gjatë ditës
Negociatat midis delegacioneve ruse dhe ukrainase pritet të rifillojnë gjatë ditës së sotme, sipas një deklaratë të Kremlinit, shkruan The Guardian
Kremlini tha se zyrtarët rusë ishin të gatshëm të zhvillonin një raund të dytë bisedimesh me Ukrainën të mërkurën, por ende nuk është konfirmuar prezenca e delegacionit ukrainas. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të martën se Rusia duhet të ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase përpara se të zhvillohen bisedimet.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha gjithashtu se Moska duhet të marrë vendime të ashpra kundër masave të vendosura nga vendet perëndimore për të goditur ekonominë ruse.
Pritjet për një zgjidhje paqësore nuk ishin të larta përpara takimit të së hënës.
Ukraina tha se donte një armëpushim dhe tërheqje ruse, ndërsa Kremlini tha se nuk do të shpallte qëndrimin e tij. Negociatorët e Rusisë kanë folur për arritjen e një marrëveshjeje që është në interes të të dyja palëve.
10:59-Qytetarët e Ukrainës i bëjnë thirrje NATO-s të mbyllë hapësirën ajrore të vendit
Për qytetarët që jetojnë në qytetin verilindor Kharkiv, jeta është bërë edhe më e vështirë. Disa qytetarë kanë folur për BBC-në, duke treguar si është të jetosh nën bombardimet ajrore ruse.
Glib Mazepas, i cili jeton në qendër të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, thotë se ka pasur bombardime të shumta, madje rreth 1 km larg nga shtëpia e tij. Ai përshkroi gjithashtu momentin kur dëgjoi sulmin me raketa në Sheshin e Lirisë në Kharkiv.
“Ishte si një fishkëllimë, më pas u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Ai tha se çdo zhurmë që dëgjon tani beson se mund të jetë një sulm rus.
“Dje gruaja ime po ngrohte diçka me mikrovalë. Dhe unë u tremba sepse mendova se po ndodhte një tjetër sulm.” “Nuk e mendova se do të mësoheshim kaq shpejt me luftën. Është çështje një ose dy ditësh. Nuk e kisha menduar kurrë se do të ndodhte kështu.”
Mazepas tha se është mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare, por dëshiron që NATO të ndalojë fluturimet mbi Ukrainë.
“Ju lutemi mbyllni qiejt për raketat ruse dhe për avionët rusë. Sepse ata do të bombardojnë të gjithë qytetin deri sa ta shkatërrojnë.”
10:47 – OKB: Rreth 700 mijë qytetarë janë larguar nga Ukraina deri më tani
Sipas një raporti të OKB-së, 677,243 refugjatë ukrainas janë larguar nga vendi, duke u strehuar në vendet fqinje, shkruan skynews
Por sa ukrainas janë larguar dhe ku po strehohen momentalisht?
Polonia – 377.400
Hungaria – 89.561
Moldavia – 65.391
Sllovakia – 54.304
Rumania – 38.461
Bjellorusia – 329
Ndërkohë, Agjencia e OKB-së për Refugjatët tha se 51,797 persona janë larguar në vende të tjera europiane.
10:32 – Bilanci i luftës, rreth 6 mijë ushtarë rusë të vrarë nga Ukraina, 30 avionë të rrëzuar
Forcat e armatosura të Ukrainës kanë njoftuar numrin e trupave ruse të vrarë dhe artilerisë ruse që kanë shkatërruar që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt.
Humbjet totale ruse të pretenduara nga Ukraina deri më tani janë:
• 5840 trupa ushtarakë
• 30 avionë
• 31 helikopterë
• Deri në 211 tanke
• 862 mjete patrullimi të blinduara (APV)
• 85 sisteme artilerie
• 9 sisteme kundërajrore
• 60 depozita karburanti
• 355 automjete
• 40 raketahedhës MLRS
10:19 – Negociatat për paqe në Ukrainë, raundi i dytë i bisedimeve mund të zhvillohet sot
Negociatat midis delegacioneve ruse dhe ukrainase me shumë mundësi do të rifillojnë në mbrëmjen e 2 marsit , tha një burim diplomatik për RIA Novosti të Rusisë.
“Negociatat nuk u anuluan, por koha e fillimit të tyre u shty. Ato mund të zhvillohen natën e 2 marsit ose më vonë,” tha burimi.
Më herët, korrespondenti i Russia Today, Konstantin Prydybaylo, raportoi se bisedimet Rusi-Ukrainë ishin shtyrë pa një datë dhe apo orë të caktuar.
10:00 – Zelensky: Putin dëshiron të shfarosë popullin ukrainas
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha sot se rreth 6,000 rusë janë vrarë në gjashtë ditët e para të pushtimit të Moskës. Ai ka akuzuar Rusinë se po bën përpjekje të “zhdukë” të gjithë ukrainasit.
Duke iu referuar sulmit të Rusisë në “Babyn Yar” monument i masakrës së hebrenjve të Luftës së Dytë Botërore Zelensky tha:
“Ata nuk dinë asgjë për Kievin, për historinë tonë. Por të gjithë kanë urdhër të na fshijnë historinë, të fshijnë vendin tonë, të na fshijnë të gjithëve.”
09:48 – Po përpiqeshin të shpëtonin, vritet familja në Ukrainë, mes tyre edhe fëmijë
Qindra civilë kanë humbur jetën deri më tani nga luftimet mes Ukrainës dhe Rusisë gjatë ditëve të fundit. Mediat e huaja bëjnë me dije se të paktën 16 fëmijë ukrainas janë vrarë për shkak të luftës së Vladimir Putinit, ka deklaruar Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë në media është publikuar dhe rasti i vrasjes së një familjeje me disa anëtarë të cilat dyshohet se janë vrarë,ndërsa forcat ruse vazhdojnë pushtimin brutal të Ukrainës, transmeton Express.
09:23 – Lufta në Ukrainë, Biden: Putin është diktator, nuk e ka idenë se çfarë e pret
Presidenti rus Vladimir Putin është “diktator dhe më i izoluar se kurrë dhe nuk e ka idenë se çfarë e pret”, tha presidenti amerikan, Joe Biden, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbyllin hapësirën e tyre ajrore për “të gjitha fluturimet ruse”.
Gjatë fjalimit të tij për situatën e Unionit, presidenti amerikan kërcënoi gjithashtu “oligarkët” rusë se Uashingtoni dhe aleatët e tij do i konfiskojnë “jahtet, apartamentet luksoze dhe avionët privatë” , të cilët i blenë duke kryer “krime” dhe për këtë ekipi i Departamentit të Shtetit të SHBA “do t’i ndjekë”, tha Biden.
#BREAKING Biden says US will release 30 million oil barrels from strategic reserve pic.twitter.com/Pm441kXuSF
— AFP News Agency (@AFP) March 2, 2022
08:59 – Presidenti ukrainas: Kemi vrarë 6.000 ushtarë rusë në luftë
Ndërsa lufta Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e 7 të sulmeve ruse, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë këtë mëngjes se beson se pothuajse 6,000 trupa ruse janë vrarë nga ushtria ukrainase në gjashtë ditët e para të luftës.
Megjithatë Rusia nuk ka konfirmuar ende humbjen e ushtarëve rusë.
Në vijim të njoftimit, presidenti ukrainas këmbënguli se Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë me “bomba, goditje dhe raketa”, të cilat kanë sulmuar qytetet e Ukrainës ditët e fundit, shkruan skynews.
Zelensky pohoi gjithashtu se Moska “synon të fshijë historinë tonë” pasi memoriali i Holokaustit “Babyn Yar” në Kiev u godit nga një raketë ruse të martën.
08:47 – Rusia pretendon se ka marrë në kontroll qytetin ukrainas
Luftimet në Ukrainë janë futur në ditën e shtatë të tyre. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 136 civilë mes të cilëve 13 fëmijë.
Ndërkohë Ministria ruse e mbrojtjes thotë se trupat e saj ushtArakë kanë pushtuar qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, raporton BBC.
Nëse qyteti ka rënë në duart e ushtrisë ruse, do ta bënte atë qytetin më të madhin në Ukrainë të pushtuar nga forcat ruse deri më tani.
Më herët trupat ruse sulmuan ndërtesën e policisë rajonale në qytetin Kharkiv, shkruan BBC.
Anton Geraschenko, një këshilltar i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, thotë se një ndërtesë që i përket Universitetit Kombëtar Karazin përballë rrugës ka marrë gjithashtu flakë pas sulmit.
08:37 – Ministri i Mbrojtjes: Ukraina po furnizohet me armë nga vendet mike
Ministrit ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov, ka theksuar se Ukraina do të marrë shumë raketa Stinger dhe Javelin nga vendet mike dhe pritet një tjetër ngarkesë me dronë turq.
Reznikov ndër të tjera ka bërë me dije se numri i vendeve që po ofrojnë ndihmë për Ukrainën në këtë situatë është gjithnjë e në rritje.
“Sasia e ndihmës që marrim dhe numri i vendeve që na e ofrojnë një gjë të tillë po rritet gjithnjë e më shumë. Po bashkohen edhe ata për të cilët konsiderohej e pamundur”, ka thënë ai.
08:30 – Rusët sulmojnë me raketa ndërtesën e policisë në Kharkiv
Ushtria ruse ka goditur me raketa ndërtesën e policisë rajonale në qytetin Kharkiv, Ukrainë, raporton BBC, duke cituar agjencinë e lajmeve UNIAN.
Anton Geraschenko, një këshilltar i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, thotë se një ndërtesë që i përket Universitetit Kombëtar Karazin përballë rrugës ka marrë gjithashtu flakë pas sulmit.
08:16 – Kina kritikon propozimin e Japonisë për të pritur programin bërthamor të SHBA-ve
Kina ka reaguar ashpër ndaj komenteve të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, i cili i bëri thirrje Tokios të konsideronte zhvillimin e armëve bërthamore amerikane në vend pas pushtimit rus të Ukrainës, mes shqetësimeve në rritje për agresionin në Tajvan.
Abe tha në një intervistë televizive: “Ne duhet të kuptojmë se si ruhet siguria në botë”
Ai vazhdoi duke thënë, “Ne duhet të shohim opsione të ndryshme se si të mbrojmë Japoninë.”
21 persona janë vrarë dhe 112 të tjerë janë plagosur nga bombardimet në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv në 24 orët e fundit. Shifrat janë konfirmuar nga gurvenatori i qytetit Oleh Synyehubov.
Ditën e djeshme raketat ruse goditën një ndërtesë qeveritare dhe zonat e banuara në këtë qytet. Ndërkohë gjatë orëve të natës rusët sulmuan një spital ushtarak në Kharkiv.
Shefi i policisë së rajonit Kharkiv, Volodymyr Tymoshko tha se “situata pranë spitalit është nën kontroll”.
07:51 – OKB: 136 civilë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës, mes tyre edhe 13 fëmijë
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 136 civilë mes të cilëve 13 fëmijë. BBC shkruan se shifrat janë bërë publike nga Kombet e Bashkuara.
Liz Throssell, një zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha se numri i vërtetë i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.
Throssell tha se shumica e viktimave erdhën si rezultat i granatimeve, sulmeve ajrore dhe eksplozivëve të tjerë.
06:69 – Koreja e Jugut do të ndalojë transaksionet financiare me shtatë banka të mëdha ruse
Koreja e Jugut do të ndalojë transaksionet financiare me shtatë banka të mëdha ruse dhe filialet e tyre si pjesë e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Ministria e Financave e Koresë së Jugut publikoi të martën një plan të detajuar mbi sanksionet pas konsultimit me Departamentin e Thesarit të SHBA-së.
Shtatë bankat ruse janë Sberbank, VEB, PSB, VTB, Otkritie, Sovcom dhe Novikom raporton gazetarja Gawon Bae e “CNN”. Ministria “rekomandoi fuqimisht” institucionet lokale publike dhe financiare të ndalonin investimet e tyre në obligacionet e qeverisë ruse të emetuara pas të mërkurës.
04:13 – Boeing ndërpret lidhjet me Rusinë
Një nga prodhuesit më të mëdhenj të prodhimit të avionëve në botë po ndërpret lidhjet me partnerët e tij rusë. Boeing njoftoi të martën se do të pezullojë të gjitha operacionet kryesore në Moskë. Prodhuesi amerikan i avionëve nuk do të ofrojë më mbështetje teknike ose mirëmbajtje, apo pjesë, për avionët rusë.
Të hënën, kompania mbylli zyrën e saj në Kiev dhe ndaloi operacionet e saj të trajnimit të pilotëve në Moskë raporton “BBC”. Një zëdhënës tha se Boeing ishte “i fokusuar në garantimin e sigurisë së shokëve tanë të skuadrës në rajon”.
03:38 – Bjellorusia do të dyfishojë trupat në kufirin me Ukrainën
Bjellorusia do të dyfishojë numrin e trupave të saj në kufirin e saj jugor me Ukrainën, ka thënë presidenti i saj. Pesë grupet e batalioneve taktike në kufi do të shkojnë në dhjetë gjatë dy ditëve të ardhshme, njoftoi presidenti Alexander Lukashenko. “Këto janë grupe të lëvizshme shumë të trajnuara që janë gati të ndalojnë çdo provokim dhe çdo veprim ushtarak kundër Bjellorusisë,” i tha ai këshillit të tij të sigurisë.
Lukashenko e quajti mobilizimin “një veprim parandalues” që do të “parandalonte depërtimin e radikalëve [ukrainas] dhe armëve në vend” raporton “BBC”. Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Minskut për mbështetjen e Bjellorusisë për Moskën në krizën e Ukrainës, duke mbështetur trupat ruse me forcat e veta.
03:01 – Biden do të ndalojë avionët rusë nga hapësira ajrore amerikane
Qeveria e SHBA së shpejti do të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët në pronësi dhe operim rusë. Vendet evropiane dhe Kanadaja tashmë kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore ndaj Rusisë. Urdhri amerikan pritet brenda 24 orëve të ardhshme dhe mund të shpallet gjatë fjalimit të Presidentit Joe Biden për gjendjen e Bashkimit të martën mbrëma.
02:05 – Banka Botërore përgatit 3 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën
Grupi i Bankës Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar po përgatisin mbështetje financiare për Ukrainën. Në një deklaratë të përbashkët, drejtuesit e dy agjencive thanë se ishin të shqetësuar nga efektet e mundshme të përhapjes së pushtimit rus. Ata përmendën rritjen e çmimeve të mallrave, ndërprerjet në tregjet financiare dhe rrezikun e nxitjes së mëtejshme të inflacionit global.
Banka Botërore ka njoftuar se po përgatit një paketë ndihme prej 3 miliardë dollarësh në muajt e ardhshëm, duke përfshirë të paktën 350 milion dollarë në javën e ardhshme. FMN-ja ndërkohë tha se do të shqyrtojë me shpejtësi kërkesën e Ukrainës për financim emergjent raporton “BBC”. Ajo gjithashtu shpreson të vërë në dispozicion 2.2 miliardë dollarë fonde deri në qershor.
Dy persona janë vrarë në një sulm ajror në qytetin Zhytomyr, në perëndim të Kievit, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës. Tre të tjerë u plagosën dhe më shumë njerëz mund të mbeten nën rrënoja, tha shërbimi qeveritar raporton “BBC”.
Shërbimit Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha gjithashtu se të paktën 10 shtëpi dhe një spital lokal u dëmtuan në sulm. Shërbimit Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës publikoi gjithashtu foto për të treguar një zjarr që shpërtheu në disa prej shtëpive të dëmtuara.
/abcnews.al