LIVE/ Dita e 11-të e luftimeve, Kievi zgjohet nën ankthin e sirenave, Zelensky-ukrainasve: Duhet të qëndrojmë

schedule08:11 - 6 Mars, 2022

schedule 08:11 - 6 Mars, 2022

Ukraina ka hyrë sot në ditën e 11-të të luftës për tu pushtuar nga Rusia. Edhe këtë mëngjes banorët e Kievit janë zgjuar nën ankthin që krijojnë sirenat për sulme ajrore.

Më herët Presidenti i Ukrainës Zelensky u bëri thirrje sërish aleatëve perëndimorë që të shpallin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë në një video-telefonatë me 300 ligjvënës amerikanë të shtunën. Ai gjithashtu pati një telefonatë me presidentin amerikan Biden të shtunën mbrëma. NATO ka refuzuar vazhdimisht një zonë të ndaluar fluturimi, e cila mund t’i sjellë forcat perëndimore drejtpërdrejt në konfrontim ushtarak me Rusinë. Udhëheqësi rus Vladimir Putin paralajmëroi se ai do ta konsideronte një zonë të ndaluar fluturimi si një akt lufte.

Rusia vazhdon të bombardojë qytetin strategjik jugor të Mariupolit . Një armëpushim fillestar për të lejuar evakuimin e civilëve ka dështuar, thonë zyrtarët ukrainas. Situata në Mariupol dhe rajoni i Sumy është në “prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për një kanal lokal lajmesh. Nuk ka furnizim me energji elektrike dhe ujë në dy qytete në rajonin Sumy, shtoi këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko.

Gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard kanë pezulluar të gjitha operacionet në Rusi. Përfaqësuesit rusë dhe ukrainas do të takohen për një raund tjetër negociatash të hënën.

21:52- Bombardimet në Kharkiv dëmtojnë antenën, ndërpritet transmetimi televiziv dhe radiofonik

Pas sulmeve ruse mbi antenën e transmetimit në Kharkiv janë ndërprerë transmetimet televizive dhe ato radiofonike.

Lajmi është konfirmuar nga Administrata rajonale, e cila shkruan në Facebook se “granatimet e përsëritura” të kullës televizive në Kharkiv kishin rrëzuar transmetimet televizive dhe radiofonike.

“Zonat e ndërtesës ku qëndronin pajisjet teknike janë shkatërruar dhe shkalla e dëmtimit të vetë kullave është ende duke u vlerësuar,”.

Të martën më 1 mars, sulmet ushtarake ruse shënjestruan kullën televizive të Kievit, duke rezultuar gjithashtu në një ndërprerje në aftësitë e saj të transmetimit.

20:46- Tetë civilë vriten pas bombardimeve në Kiev

Tetë civilë u vranë në mes të një evakuimi në Irpin – një lagje në perëndim të Kievit pas bombardime intensive të së dielës – tha kryebashkiaku i Irpin Oleksandr Markushyn në një deklaratë në Telegram.

Markushyn tha se rusët hapën zjarr gjatë një evakuimi nëpër një urë.

“Një familje vdiq, – tha ai, – para syve më vdiqën dy fëmijë të vegjël dhe dy të rritur. Videoja nga vendi i ngjarjes tregoi civilët që lëviznin nëpër postbllokun përpara se të ndodhte një shpërthim në një udhëkryq që dukej se ishte shkaktuar nga një predhë ose mortaja.

“Irpin është në luftë, Irpin nuk është dorëzuar,” tha Markushyn. “Një pjesë e Irpin u kap vërtet nga pushtuesit rusë, por një pjesë e Irpin po lufton dhe nuk dorëzohet”.

Markushyn tha se një tjetër evakuim do të fillonte nesër në mëngjes.

18:58- Rreth 20 mijë të huaj kanë aplikuar për të luftuar në Ukrainë

Ndërsa refugjatët po largohen nga Ukraina, gati 20,000 qytetarë të huaj kanë aplikuar për të shkuar atje për të luftuar, sipas ministrit të jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba të cituar në mediat lokale.

Kjo vjen pasi qeveria ukrainase hapi një faqe interneti për aplikime dje, raporton BBC. Duke folur në një konferencë të dielën, Kuleba tha se vullnetarë nga 52 vende deri më tani kanë aplikuar për t’u bashkuar me luftimet.

Ai shtoi se nuk do të specifikonte saktësisht se nga cilat vende kishin ardhur aplikimet.

Më herët sot kreu i forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar i tha BBC-së se britanikët nuk duhet të shkojnë në Ukrainë për të luftuar dhe në vend të kësaj duhet të ndihmojnë sado që të munden.

18:34- Zelensky telefonon Draghin për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka komunikuar mbrëmjen e së dielës me kryeministrin italian Mario Draghi, ku ka diskutuar për shqyrtimin e kërkesës për anëtarësimin sa më parë të vendit të tij në Bashkimin Europian.

Përmes një njoftimi në Twitter, Zelenski thekson se anëtarësi i Ukrainës në BE dhe krimet e Rusisë kundër njerëzimit kanë qenë dy pikat kryesore të bisedës.

18:01- Blinken zbulon se çfarë ndodh me pushtetin në Ukrainë nëse vritet Zelensky

Ukrainasit kanë një plan për “vazhdimësinë e qeverisjes në një mënyrë ose në një tjetër”, nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vritet, tha sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një interviste në CBS, të dielën.

“Ukrainasit kanë plane, për të cilat unë nuk do të flas, ose nuk do të hyj në ndonjë detaj për t’u siguruar që ka vazhdimësi të qeverisë në një mënyrë apo tjetër dhe unë do ta lë me kaq”, tha Blinken.

Blinken gjithashtu komplimentoi Zelenskyn për udhëheqjen e tij gjatë kësaj krize.

“Lidershipi që ka treguar presidenti Zelensky dhe e gjithë qeveria, është i jashtëzakonshëm, ata kanë qenë mishërimi i këtij populli jashtëzakonisht të guximshëm ukrainas”, tha Blinken.

Sipas disa raportimeve, Zelensky iu ka mbijetuar tri herë atentateve. Një zyrtar i sigurisë në Ukrainë pati thënë se një komplot për vrasjen e presidentit nga disa ushtarakë çeçenë të dërguar nga Rusia u prish .

17:39 – “Avionët ukrainas po ulen në Rumani”, kërcënojnë rusët: Do njiheni si pjesëmarrës në konflikt

Ministria e Mbrojtjes ruse ka kërcënuar vendet e tjera të Europës që lejojnë avionët ushtarakë Ukrainës të ulen në aeroportet e tyre.

Me anë të një postimi në Twitter Ministria e Mbrojtjes së Rusisë thekson se avionët ukrainas që po sulmojnë trupat ruse po lejohet të ulen në Rumani, duke shtuar se të gjitha vendet e tjera që do të lejojnë përdorimin e aeroporteve të tyre do të cilësohen si pjesëmarrëse aktive në konflikt.

‘Avionët ukrainas që sulmojnë trupat tona po zbarkojnë në Rumani. Përdorimi i aeroporteve të vendeve të tjera do të njihet si pjesëmarrja e tyre aktive në konflikt’, shkruhet në Twitterin e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse.

17:01- Sulm pranë konsullatës greke në Mariupol, raportohet për 12 të vdekur

Një tjetër lajm tragjik raportohet nga Ukraina, ku ditën e sotme është sulmuar konsullata e Përgjithshme Greke në Mariupol, ku raportohet për 12 viktima.

Sulmi ndodhi para një stacioni policie. Nga burime qeveritare greke mësohet se jashtë godinës ka ndodhur një shkëmbim zjarri.’Stafi i konsullatës së bashku me konsullin janë transferuar në një strehë të sigurt’, thonë burime.

Konsulli grek në Mariupol, Manolis Androulakis, mësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka kontaktuar autoritetet greke përmes telefonit satelitor. Prej rreth një jave shërbimet e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë janë transferuar në godinën ku strehohej Misioni Special i Mbikëqyrjes së OSBE-së në qytet, i cili u godit nga përleshjet në rrugë mesditën e së dielës.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias ka kontaktuar me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së Helga Maria Schmidt dhe është diskutuar për strehimin e shërbimeve dhe koordinimin për krijimin e korridoreve humanitare nga qytet.

Nga burime qeveritare greke mësohet se jashtë godinës ka ndodhur një shkëmbim zjarri. ’Stafi i konsullatës së bashku me konsullin janë transferuar në një strehë të sigurt’, thonë burime.

Konsulli grek në Mariupol, Manolis Androulakis, mësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka kontaktuar autoritetet greke përmes telefonit satelitor. Prej rreth një jave shërbimet e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë janë transferuar në godinën ku strehohej Misioni Special i Mbikëqyrjes së OSBE-së në qytet, i cili u godit nga përleshjet në rrugë mesditën e së dielës.

16:51- Protestuan kundër pushtimit të Ukrainës, arrestohen 3500 qytetarë në Rusi

Qytetarët rusë të cilët kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër presidentit Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën, janë arrestuar dhunshëm nga policia gjatë ditës së diel.

2500 qytetarë kanë dalë të protestojnë në sheshin e Moskës, por menjëherë më pas janë arrestuar 1700 prej tyre, ndërkohë që 750 persona janë arrestuar në Shën Peterburg dhe mbi 1200 të tjerë në qytetet të tjera ruse, ku protestat vijojnë.

Ata që u arrestuan u dërguan në stacionet e policisë lokale për t’u marrë në pyetje ku “po vendoset çështja e sjelljes së tyre para drejtësisë”, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme.

Sipas faqes së internetit të të drejtave të njeriut OVD-Info, gjithsej 10,946 persona janë arrestuar në protestat kundër luftës në të gjithë Rusinë që kur Moska filloi pushtimin e saj në Ukrainë.

16:41- “Jemi popull paqësor, duam të jetojmë në tokën tonë”, të rinjtë e Kievit për ABC: Nuk largohemi!

“Ne jemi popull paqësor, duam të jetojmë në tokën tonë.” Kjo është përgjigja që jep një qytetare e Ukrainës kur pyetet nga gazetari Taulant Koplikaj rreth situatës së krijuar në vend që pasi Rusia nisi pushtimin.

E reja në Kiev tregon për mikrofonin e ABC se është kundër dhunës dhe se nuk e kupton se përse ata (pushtuesit) po vijnë në shtëpitë e tyre dhe po tentojnë t’ua shkatërrojnë.

“Qyteti ku unë jetoja u bombardua, dhe prandaj u larguam. Ditët e fundit kanë qenë shumë të vështira, gjithë ditën dëgjonim bombardime, fatmirësisht arritëm të largoheshim në një zonë më të sigurt.”

Një tjetër i ri i Kievit tregon se pasi largoi të afërmit e tij në një zonë të sigurt, u kthye në kryeqytet për të ndihmuar njerëzit e tjerë që duan të largohen nga zona e luftës.

“Jam 23 vjeç, në prill do të shkoj të luftoj,” tregon ai.

Prej dy ditësh tashmë një ekip i ABC ndodhet në Kiev nga ku po raporton rreth situatës në kryeqytetin e Ukrainës në një kohë kur shpërthime dëgjohen thuajse në çdo moment.

16:30- Blinken: Sulmet në Ukrainë ndaj popullsisë civile janë të qëllimshme, do konsiderohen krime lufte

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ndodhet në Moldavi, theksoi se SHBA p i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Ukrainë.

Në një lidhje me CNN, Blinken deklaroi se deri tani ka raporte shumë të besueshme të cilat vlerësojnë se sulmet e rusëve mbi popullsinë civile janë të qëllimshme, prandaj ato do të konsiderohen si krime lufte.

“Jake, ne kemi parë raporte shumë të besueshme të sulmeve të qëllimshme ndaj civilëve që do të përbënin një krim lufte. Ne kemi parë raporte shumë të besueshme në lidhje me përdorimin e armëve të caktuara”, tha Blinken për Jake Tapper të CNN në “State of the Union”. “Dhe ajo që ne po bëjmë tani është dokumentimi i gjithë kësaj, bashkimi i të gjithëve, shikimi dhe sigurimi që, ndërsa njerëzit dhe organizatat dhe institucionet përkatëse hetojnë nëse janë kryer apo po kryhen krime lufte, ne mund të mbështesin çfarëdo – çfarëdo që ata po bëjnë. Pra, tani ne po i shikojmë këto raporte. Ata janë shumë të besueshëm dhe ne po dokumentojmë gjithçka.”

16:22- Lufta në Ukrainë, OKB: Deri tani janë konfirmuar 364 vdekje të civilëve

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se deri më tani ka konfirmuar vdekjen e 364 civilëve në Ukrainë, që prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.

OKB tha se edhe 759 civilë të tjerë janë plagosur. Të dhënat janë deri në mesnatën e të shtunës. Kjo zyrë përdorë metodologji strikte dhe vetëm raporton për numrin e viktimave të konfirmuara.

Zyra për të Drejtat e Njeriut tha se shifrat reale vlerësohet se janë shumë më të larta, “veçanërisht në territorin e kontrolluar nga Qeveria dhe veçmas në ditët e fundit”. Kjo për shkak se informacionet nga këto zona po vonohen që të arrijnë për shkak të luftimeve të vazhdueshme.

Zyrtarët ukrainas kanë paraqitur një numër shumë më të lartë të civilëve të vrarë.

15:57-Blinken: SHBA në biseda me aleatët evropianë për ndalimin e importit të naftës ruse

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është shprehur të dielën se SHBA po punon me aleatët e saj në Evropë për të shqyrtuar mundësinë e ndalimit të importeve të naftës ruse në përpjekje për të ndëshkuar më tej vendin për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

“Kur bëhet fjalë për naftën, naftën ruse, dje fola në telefon me Presidentin dhe anëtarët e tjerë të kabinetit pikërisht për këtë temë, dhe tani po flasim me partnerët dhe aleatët tanë evropianë për të parë në mënyrë të koordinuar mundësinë e ndalimit të importit të naftës ruse duke u siguruar që ka ende një furnizim të duhur të naftës në tregjet botërore,” tha ai për CNN.

“Ky është një diskutim shumë aktiv ndërsa flasim,” shtoi Blinken.

15:45-Putin “i ankohet” Macron-it: Ukraina përgjegjëse për incidentin e termocentralit bërthamor më të madh në Europë

Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar “radikalët” ukrainas për një incident më 3 mars në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë.

Kremlini zyrtar ka thënë se Vladimir Putin i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron se Ukraina ishte “përgjegjëse për provokimin” rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia.

Dy liderët diskutuan pushtimin rus gjatë një bisede telefonike që zgjati një orë e 45 minuta sot.

15:29-Një goditje mund të shkaktojë katastrofë ekologjike, rusët raketa drejt institutit të fizikës në Kharkiv

Forcat ruse kanë qëlluar me raketa një institut fizike në qytetin e Kharkiv që përmban material bërthamor dhe një reaktor. Lajmi është konfirmuar nga shërbimi e sigurisë kombëtare të Ukrainës. Sipas raportimeve, një goditje në objektin bërthamor mund të çonte në “katastrofë ekologjike në shkallë të gjerë” ndërsa shtohet se rusët po qëllojnë nga hedhësit Grand.

Këto raketa nuk kanë shënjestrim të saktë, duke ngritur kështu edhe shqetësimin se ndonjë nga predhat mund të devijojë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një dalje për mediat më herët gjatë ditës u shpreh i bëri thirrje NATO-s që të krijojë një ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, të cilën NATO deri më tani e ka përjashtuar për shkak të shqetësimeve që një veprim i tillë do ta tërheqë Perëndimin drejtpërdrejt në luftë.

15:07- Po tentonin të largoheshin nga qyteti afër Kievit, qëllohen për vdekje anëtarët e një familjeje

Një numër civilësh janë duke u përpjekur që të largohen nga qyteti Irpin, në veri-perëndim të Kievit. Por, evakuimi është duke u bërë thuajse i pamundur për shkak të predhave ruse.

Sipas raportimeve, të paktën tre persona janë vrarë nga predhat ruse që si objektiv kishin një urë  të dëmtuar në të cilën po tentonin të kalonin banorët.

New York Times raporton se tre anëtarë të së njëjtës familje janë vrarë. Gazeta thotë se grupe të vogla po vraponin në një pjesë të rrugës së ekspozuar dhe po ndihmoheshin nga ushtarët ukrainas për të arritur në një zonë të sigurt.

14:06- “Mbyllni zonën ajrore”, Zelenskyy: Raketat ruse shkatërruan plotësisht aeroportin e Vinnytsia-s

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar ditën e sotme se raketat ruse kanë goditur dhe shkatërruar plotësisht aeroportin rajonal të Vinnytsia-s.

Vinnytsia është një qytet i vendosur në Ukrainën perëndimore-qendrore dhe ndodhet rreth 257 km në jugperëndim të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Në një video të publikuar së fundmi, Zelenskyy i kërkoi NATO-s të “mbyllte hapësirën ajrore” dhe të krijojë një zonë ndalim-fluturimi.

“Siguroni një zonë humanitare ndalim-fluturimi”, tha ai. “Ky është detyrimi juaj humanitar për të na mbrojtur ne, për të mbrojtur njerëzit.

“Dhe ju mund ta bëni. Nëse nuk e bëni, nëse nuk na siguroni, të paktën avionët, në mënyrë që të mbrohemi, atëherë mund të arrijmë në përfundimin e vetëm të mundshëm që dëshironi që ne të vritemi ngadalë”.

13:40-  Raketa ruse bie pranë gazetarëve dhe civilëve, ka të vdekur

Rusët janë duke tentuar të marrin me çdo kusht Kievin me qëllim ndryshimin e qeverisë atje dhe nënshkrimin e marrëveshjeve që do të lidhnin Ukrainën me Rusinë. Për këtë shkak, lufta është e ashpër në qytetet përreth Kievit.

Rasti konkret është qyteza e Irpinit, ku një ekip i Sky News ka filmuar edhe momentin, kur një raketë ruse godet një karvan civilësh duke vrarë të paktën njërin prej tyre.

13:21- Rusët marrin goditjen e radhës, vritet komandanti i batalionit të rëndësishëm

Rusia ka marrë një tjetër goditje të rëndë nga forcat ukrainase. Pas 5 avionëve dhe 4 helikopterëve të rrëzuar vetëm dje, njoftohet se është vrarë edhe komandanti i njërit prej batalioneve të rendësishme në luftën kundër ukrainasve.

Sipas mediave të huaja bëhet fjalë për komandantin Vladimir Zhoga, i cili ishte në krye të batalionit “Sparta”. Zhoga u vra gjatë betejës në qytetin lindor të Ukrainës Volnovakha.

Zhogu iu bashkua rebelëve të mbështetur nga Rusia në vitin 2014, vit në të cilin u krijua Batalioni Sparta, një milici neo-naziste, që ka mbështetjen e Moskës.

13:01-Putin: Kur mbaron lufta në Ukrainë

Vladimir Putin ka thënë se “operacioni ushtarak” i Rusisë do të ndalet vetëm nëse Ukraina “ndalon së luftuari” dhe nëse kërkesat e Rusisë përmbushen.

Ai shpreson se negociatorët ukrainas do të marrin një “qasje më konstruktive dhe do të marrin parasysh realitetin”, tha një zëdhënës i Kremlinit.

Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se Putin tha se çdo përpjekje për të tërhequr procesin e negociatave do të dështojë.

Ata shtuan se Putin tha gjithashtu se operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë “po shkon sipas planit dhe planit”.

Kushtet e Rusisë do të nënkuptojnë në fakt dorëzimin e Ukrainës dhe heqjen dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me aleancat perëndimore si NATO.

12:56-Zelensky e zbulon: Cilën zonë pritet të bombardojë Putin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse po përgatiten të bombardojnë qytetin port të Ukrainës, Odessa.

“Ky do të jetë një krim ushtarak. Ky do të jetë një krim historik”, tha ai.

Forcat ruse kanë bërë përparim në Ukrainën jugore që nga fillimi i pushtimit të tyre më 24 shkurt, duke pushtuar qytetin Herson dhe duke rrethuar portin e Mariupolit, por Odessa deri më tani është kursyer kryesisht.

12:54-Ekipi i ABC raporton mes shpërthimeve në Kiev, gazetari: Natën u futëm me urgjencë nëntokë, si po i largojnë sulmet ajrore ukrainasit

Kievi nuk gjen qetësi. Sirenat e sulmeve ajrore kanë mbajtur zgjuar qytetarët e paktë që kanë mbetur në zonë, bashkë me ta edhe ekipin e ABC që ndahet prej disa ditësh në zemër të Ukrainës.

Gazetari i ABC, Taulant Kopliku ka raportuar se gjatë natës bashkë me operatorin Ardian Kamberin janë detyruar që të strehohen në një zonën të nëndheshme për tu shpëtuar sulmeve dhe bombardimeve që vinin nga ajri.

“Situata në Kiev ka qenë shqetësuese në Kiev. Sirenat binin gjatë gjithë natës. Ne u detyruam që të zbresim në katin nëntokësor ku ishim sistemuar. Natën pra e kaluam atje poshtë bashkë me personat e tjerë që ishin në hotel.”

Ndërkohë edhe gjatë ditës, siç raporton gazetari Taulan Kopliku ka pasur shpërthime të njëpasnjëshme. Bombardimet janë dëgjuar edhe gjatë transmetimit “Live” që gazetari kishte me studion e ABC.

“Dita është gdhirë me shpërthime në periferi. Rreth 15 kilometra më larg qendrës po luftohet. Ka pasur vazhdimisht shpërthime. Ndërkohë Ukraina raportohet se ka lëshuar dy raketa në ajër për të larguar ndonjë sulm të mundshëm ajror të Rusisë.” tha Kopliku.

Gazetari shpjegon se qyteti është thuajse i boshatisur, pasi fëmijët, gratë dhe të moshuarit janë larguar. Në qytet kanë mbetur vetëm të rinj dhe burra.

“Gratë fëmijët dhe të moshuarit janë larguar. Ka të tjerë që kanë preferuar të qëndrojnë. Kanë shfaqur ndjenjat e patriotizimit. Ka edhe qytetarë që vijnë nga zona të tjera. Është pikë nevralgjike Kievi”

“Vijojnë shpërthimet siç e dëgjoni edhe tani ka shpërthime. Qyteti është i boshatisur. Ka reduktim maksimal të lëvizjes, vetëm në markete ka lëvizje. Qytetarët natën kryesisht e kalojnë në zona nën tokë strehimore. Janë zona të fortifikuara ku ushqimi merret nga jashtë dhe strehohen atje” raporton gazetari.

12:45-“NATO mbylle qiellin!” Banorët e Kievit kërkojnë ndihmë nga aleanca

Ukrainasit janë duke luftuar fortë kundër rusëve, megjithatë kërkojnë ndihmën e NATO-s për të vendosur zonën e “ndalim-fluturimit” me qëllim pengimin e avionëve të Putinit për të bombarduar objektivat civilë dhe ushtarakë.

Krahas kërkesave zyrtare nga qeveritarët, edhe vetë bashkia e Kievit dhe qytetarët kanë një pritshmëri të tillë nga NATO. Ekipi i ABC në Kiev, i përbërë nga gazetari  Taulant Kopliku dhe operatori Ardian Kamberi kanë sjellë për Abcnews.al foto nga kryeqyteti ukrainas ku kërkohet pikërisht ndihmë nga NATO.

“NATO mbylle qiellin!” është ajo që shkruhet nëpër tabelat që duken në Kiev.

Deri më tani NATO ka preferuar të qendrojë larg këtij konflikti duke ofruar vetëm armë dhe logjistikë për Ukrainën me argumentin se nuk mund të futen në luftë me Rusinë për një shtet që nuk është anëtar i aleancës.

12:27Ankth në Kiev/ Shpërthimet dëgjohen “Live” teksa ekipi i ABC raportonte situatën

Disa shpërthime kanë “shtangur” ekipin e xhirimit të ABC  gjatë një raportimi “Live” direkt nga qendra e Kievit. Teksa gazetari Taulant Kopliku raportonte lidhur me situatën  në zemër të Ukrainës, që prej disa ditësh makineria vrastare e Putin kërkon ta pushtojë, janë dëgjuar disa herë shpërthime.

Këto shpërthime raportohet se kanë ndodhur rreth 15 kilometra larg nga vendi ku gazetari i ABC Taulant Kopliku dhe operatori Ardian Kamberi. Situata ka krijuar tension gjatë raportimit “Live”.

“Ja, ka shpërthime. Disa shpërthime të njëpasnjëshme” tha Kopliku.

12:26-Kthesë e minutës së fundit, NATO do të furnizojë Ukrainën me avionë: A do të ketë luftë me Rusinë?!

Mediat amerikane raportojnë se Polonia pritet t’i japë Ukrainës avionët e saj Mig dhe Sukhoi, të cilat përdorën lehtësisht nga pilotët ukrainas. NBC thekson se ka një tentativë të amerikanëve për të bindur polakët që t’i transferojnë Ukrainës avionët e tyre të prodhimit lindor, të cilët më pas do të zëvendësohen me avionë të prodhimit amerikan, F-16.

Media amerikane i referohet burimeve nga Shtëpia e Bardhe teksa raporton se marrëveshja është në përfundim dhe do të konkretizohet në ditët në vijim. Kjo do të rriste shumë fuqinë ushtarake në ajër të Ukrainës, e cila deri më tani ka rrëzuar një numër të konsiderueshëm avionësh rusë, raporton abcnews.al.

Ky zhvillim vjen në një kohë, kur vetë Presidenti i Polonisë e mohoi pak ditë më parë transferimin e avionëve të tyre në Ukrainë me argumentin se diçka e tillë do të çonte në një luftë me Rusinë. Madje, edhe vetë shefi i NATO-s Stoltenberg tha se asnjë avion apo ushtar i aleancës nuk do të futet në Ukrainë. Megjithatë, duket se kur është vullneti i SHBA-ve, ndryshon edhe qendrimi i NATO-s.

12:15-Rusia po shkatërron Ukrainën, britanikët të vendosur: Nuk futemi në luftë me rusët

Mbretëria e Bashkuar i detyrohet popullit të Ukrainës, Evropës dhe botës që të sigurohet që lufta në Ukrainë të mos përshkallëzohet, tha për BBC shefi i shtabit të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Admirali Tony Radakin.

Ai thotë se “gjëja e fundit që duam” është një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, ndërsa pranon se ukrainasit po përballen me një situatë “të tmerrshme”.

Presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, ka shprehur zemërimin që NATO po refuzon të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi hapësirën ajrore të Ukrainës që do të pengonte Rusinë të kryente sulme ajrore. Kjo do ta vendoste aleancën në luftime të drejtpërdrejta me forcat ruse.

Por Radakin thotë se pushtimi nuk po shkon mirë për Rusinë dhe ai ka besim se përgjigja e Mbretërisë së Bashkuar është e drejtë.

11:21- Ekipi i ABC në Ukrainë: Si po sulmon Rusia zonat e banuara me bomba të ndaluara

Ekipi i ABC në Ukrainë vijon të mbledhë dhe raportojë fakte të asaj që po ndodh aktualisht në këtë shtet, ku Rusia përpiqet për ditën e 11-të që ta pushtojë.

Ekipi i ABC me gazetarin Taulant Kopliku dhe operatorin Ardian Kamberi ndodhen aktualisht në Kiev, ndërsa nga burimet në Ukrianë kanë mundur që të sigurojnë pamjet e bombardimeve të Rusisë në zona të banuara. Bëhet fjalë për fshatin Balovne në rajonin e Mykolaiv të Ukrainës. Në pamjet e siguruara në ABC shihet se si bombat e ndaluara apo të quajtura ndryshe si bombat thërrmuese hidhen pranë zonave të banuara duke krijuar shpërthime masive.

Bombat e përdorura nga Rusia janë MLRS Smerch dhe janë të ndaluara të përdoren nga konventat ndërkombëtare për shkak të shkatërrimit masiv që sjellin.

“Është zonë e banuar, nuk ka pozicion strategjik por është pranë një qyteti të madh të Mykolaivit.  Konventa ndërkombëtare nuk e lejon që të përdor këtë armë, ndaj zonave të banuara”

“Në këtë vend sipas burimeve të ABC në Ukrainë, nuk ka front lufte, por rusët sërish kanë vendosur që të bombardojnë zonën.” ka thënë gazetari Kopliku.

11:05Lufta në Ukrainë, Erdogan telefonon Putinin

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka biseduar me telefon me presidentin rus, Vladimir Putin. Të dy presidentët biseduan për luftën në Ukrainë që ka filluar më 24 shkurt.

Një ambasador rus në Kombet e Bashkuara thuhet se ka mirëpritur propozimet që ministrat rusë dhe ukrainas të zhvillojnë bisedime në Turqi javën e ardhshme.

Genadi Gatilov tha se ideja e Turqisë, që ministrat e jashtëm nga Ukraina dhe Rusia të takoheshin gjatë një forumi diplomatik në Antalia, ishte një ide e mirë, tha agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.

Siç kemi raportuar më herët , një raund i tretë i bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë është caktuar për nesër. Nuk ka pasur shumë përparim në bisedime deri më tani.

10:55Negociatorët zbulojnë ditën e takimit të radhës Rusi-Ukrianë, vendi mbetet “sekret”

Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë nesër raundin e tretë të bisedimeve, tha negociatori ukrainas David Arakhamia në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

“Rundi i tretë i negociatave do të zhvillohet të hënën,” tha Arakhamia pa dhënë detaje shtesë.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi të dielën se negociatori rus Leonid Slutsky konfirmoi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në kanalin Soloviev Live YouTube se raundi i tretë i bisedimeve do të zhvillohet më 7 mars.

Slutsky më herët i tha kanalit shtetëror rus Russia-24 se, “Gjatë raundit të dytë, pala ukrainase demonstroi aftësinë e saj për të negociuar”, sipas TASS.

“Ata e kuptojnë se jetët e njerëzve janë në rrezik. Ky është prioriteti ynë i përbashkët. Të paktën, kështu ishte gjatë bisedimeve,” tha Slutsky sipas TASS.

Arakhamia dhe Slutsky nuk thanë se ku do të zhvillohen negociatat.

10:49Ukrainasit “i presin krahët” ushtrisë ruse: Sa avionë u kemi rrëzuar

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka publikuar raportin e saj ditor mbi konfliktin.

Këtu janë pikat kryesore:

– Forcat ruse kanë humbur 88 avionë dhe helikopterë që nga fillimi i luftës
– Një numër pilotësh rusë janë kapur
– Forcat e armatosura të Ukrainës vazhdojnë të mbrojnë qytetin port të madh të Mariupolit në juglindje
– Një “sasi e konsiderueshme” e pajisjeve ruse u kap në rajonin e Mykolaiv – në jug, afër Odesa
– Ushtarët rusë janë “demoralizuar” nga forca e rezistencës ukrainase

Megjithatë mediat perëndimore nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur atë që pretendon ushtria ukrainase. Rusia ka dhënë pak detaje për humbjet e pësuar nga forcat e saj në Ukrainë, por ekspertët ushtarakë vlerësojnë se ajo është befasuar nga forca e rezistencës ukrainase dhe ka pësuar probleme me linjat e furnizimit dhe moralin e trupave.

09:25 Nisin evakuimet në Mariupol, armëpushimi i ri në fuqi

Një armëpushim i përkohshëm është shpallur në Mariupol nga ora 10:00-21:00 me orën lokale (08:00-19:00 GMT), sipas këshillit të qytetit.

Civilët do të jenë në gjendje të evakuojnë qytetin përgjatë një rruge të rënë dakord nga ora 12:00 me kohën lokale (10:00 GMT).

Një plan i ngjashëm i shpallur të shtunën u rrëzua menjëherë pasi u njoftua, për shkak të bombardimeve të rinovuara.

09:01-Ukraina bën bilancin: Sa ushtarë të Putinit kemi eliminuar

Mbi 11 mijë rusë të vrarë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës thotë se mbi 11,000 trupa ruse janë vrarë që kur filloi pushimit rus më 24 shkurt.

Një ditë më parë, ky shtab njoftoi për mbi 10 mijë viktima ruse, por nuk raportoi për viktima në Ukrainë.

07:45 – Finlanda nuk pyet për kërcënimin e Putin, rritet dëshira për t’iu bashkuar NATO-s

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar frikë në shumicën e shteteve fqinje të saj – nga shtetet baltike deri në Moldavi. Finlanda teorikisht duhet të jetë e sigurt, pasi historikisht ka qenë neutrale. Ashtu si vendet tjera skandinave, përveç Suedisë, në Finlandë më herët nuk ka pasur diskonim për tu bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

07:42 – Forca të shumta amerikane futen vullnetarë për të luftuar në Ukrainë

Rreth 3 mijë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së Ukrainës për vullnetarë të huaj për të luftuar kundër Rusisë, tha një përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës në Uashington për Zërin e Amerikës. Vendet perëndimore nuk po dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë, por kanë dërguar armë. Gjithashtu, kanë vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe oligarkëve dhe liderëve rusë.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!