LIVE/ 16 ditë luftime, trupa rivendosen për sulme, Putin mund të përdorin armë kimike; Ukraina akuzon Rusinë për terrorizëm bërthamor

schedule22:50 - 11 Mars, 2022

schedule 22:50 - 11 Mars, 2022

Edhe një herë, është një tjetër ditë e ngarkuar, pasi bota vazhdon përpjekjet e saj për të zgjidhur krizën në Ukrainë, në ditën e 16-të të nisjes së pushtimit nga Rusia.

Këshilli i BE-së vazhdon diskutimet këtë mëngjes në Versajë për Ukrainën, ndërsa nënpresidentja e SHBA Kamala Harris vazhdon turneun e saj në Evropë dhe niset për në Rumani.
Ministri i Bujqësisë i G7 do të takohet për të provuar dhe për të gjetur se si të stabilizohen çmimet e ushqimeve.

Brenda Rusisë, Duma (parlamenti rus) mblidhet edhe një herë për të shqyrtuar masat për të stabilizuar ekonominë e saj pas sanksioneve të rënda dhe Vladimir Putin do të presë homologun e tij bjellorus në Kremlin, përpara se të telefonojë liderin finlandez.

LEXO KËTU zhvillimet më të fundit nga lufta Rusi-Ukrainë

OBSH i kërkon Ukrainës të shkatërrojë patogjenët me rrezik të lartë në laboratorë, Zelensky, “Ne po përballemi me një shtet terrorist”. SHBA thonë se “Forcat ruse i janë afruar Kievit”.

Më shumë bomba në Mariupol pas sulmit në spitalin e fëmijëve. Pas alarmit për përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga ushtria e Moskës, alarmi për termocentralet bërthamore është ende i lartë, me kompaninë shtetërore ukrainase që mohon rivendosjen e furnizimit me energji elektrike në Çernobil. Ukraina njoftoi gjithashtu se një institut kërkimor bërthamor u godit në Kharkiv, sipas Ministrisë së Brendshme “disa pajisje mund të lëshojnë rrezatim nëse dëmtohen”. IAEA shpall “inspektime fizike në termocentralet bërthamore”. Gjatë natës, shpërthime të forta në Dnipro. Në Lutsk u godit aeroporti.

Të enjten, bisedimet në Turqi midis dy ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas Serghei Lavrov dhe Dmytro Kuleba përfunduan pa ndonjë përparim. Pas bombardimit që goditi një spital për fëmijë në Mariupol, disa lagje janë në duart e rusëve, të cilët pranojnë përdorimin e armëve termobarike. Putin siguron: “Ne do të mbajmë angazhimet tona për eksportet e naftës dhe gazit” edhe pse ai akuzon Perëndimin se ka nisur “një luftë ekonomike”.

22:46-Luftë për mbijetesë, 11-vjeçari që kaloi i vetëm kufirin në Ukrainë: Shpresa për paqe më solli këtu

11-vjeçari Hassan al-Khataf u mbështet te shpresa e tij për paqe kur kaloi i vetëm kufirin në Ukrainë.

Djaloshi nga Ukraina arriti të kalojë me sukses dhe i sigurt kufirin mes kaosit të luftës që ka shpërthyer në atdheun e tij. 11-vjeçai ia doli të mbërrijë shëndoshë e mirë në Sllovaki pasi ndoqi turmat e refugjatëve që u larguan nga vendi për t’i shpëtuar pushtimit rus.

22:39-VIDEO/ Momenti kur kryebashkiaku ukrainas rrëmbehet dhe tërhiqet zvarrë nga rusët

Një video e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale, duke përfshirë edhe median opozitare bjelloruse, NEXTA, tregon kryebashkiakun e Melitopolit, Ivan Federov duke u tërhequr zvarrë nga një ndërtesë në qytet.

Nga kontrollet e BBC-së, pamjet duket se janë një regjistrim ÇTV duke parë shatërvanin në Sheshin e Fitores, pranë Harkut të Çlirimtarëve në qendër të qytetit të MelitopoThe mayor of #Melitopol Ivan Fedorov was kidnapped, said Anton Gerashchenko

According to him, Fyodorov refused to cooperate with the Russian military occupying the city. He was detained at the city crisis center, where he was in charge of the city’s life support. pic.twitter.com/mCzfCzDWzQ

— NEXTA (@nexta_tv) March 11, 2022

22:29-Fëmijët ukrainas me kancer mbërrijnë në Spanjë për trajtim

Njëzet e pesë fëmijë ukrainas me kancer, të cilët ikën nga lufta në vendin e tyre, fluturuan me një avion të forcave ajrore spanjolle të premten nga Polonia në Madrid, ku do të marrin trajtim, tha Ministria e Mbrojtjes e Spanjës.

Fëmijët, të shoqëruar nga anëtarët e familjes, u dërguan menjëherë në spitalet e Madridit për kontrolle për të përcaktuar nëse do të qëndrojnë në spital apo mund të shkojnë në strehimin e siguruar për refugjatët ukrainas të luftës, tha Dr. Ana Fernandez-Teijeiro, presidente e grupit të onkologjisë pediatrike të Spanjës SEHOP. .

21:53-Rusia tregon kushtin që do të ndalonte luftën në Ukrainë

Kremlini ka deklaruar se lufta në Ukrainë do të përfundojë atëherë kur Rusia të merret seriozisht nga Perëndimi.

Sekretari i Shtypit në Presidencën ruse, Dimitri Peskov ka thënë se lufta do të përfundojë kur Perëndimi të veprojë mbi shqetësimet e shprehura të Rusisë, që lidhen me vrasjen e civilëve në Ukrainën lindore dhe ekspansionin e NATO-s në Lindje.

21:45-Marrëveshja e diktatorëve, Rusia do të furnizojë Bjellorusinë me armë të teknologjisë së fundit

Moska do të furnizojë fqinjin e saj me pajisjet ushtarake më moderne, shkruan Skynews. Njoftimi vjen pas takimit midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko në Kremlin.

Të dy liderët ranë dakord për mbështetjen e ndërsjellë pas sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës.

21:43-“Bjellorusia do të na sulmojë ushtarakisht”, reagon Minsku pas alarmit të Ukrainës

Zyrtarët ukrainas dhanë alarmin ditën e premte se rreth mbrëmjes do të sulmoheshin nga forcat Bjelloruse.

Përmes një njoftimi zyrtar Ukraina njoftonte edhe orën kur do të ndodhte sulmi bjellorus, e cila ishte ora 21:00 e ditës së premte.

“Sipas të dhënave paraprake, trupat bjelloruse mund të nisin pushtimin në 11 mars, ora 21:00. Ky sulm do të jetë përgjigjja e Minskut ndaj një sulmi të supozuar ajror të nisur nga vendi ynë ndaj një fshati bjellorus, sulm ky i planifikuar nga Rusia”, thotë Qendra Ukrainase për Sigurinë.

21:36-VIDEO/ Rusët bombardojnë portin në Ukrainë

Forcat ruse po bombardojnë portin ukrainas të Mykolayiv, sipas një guvernatori rajonal, raporton Reuters. Videot e shpërndara në rrjete sociale tregojnë zjarrin e madh që ka shpërthyer bë zonë, si pasojë e bombardimit.

21:11-U rrëmbye me armë në kokë, kryebashkiaku ukrainas mund të përballet me më të keqen përballë rusëve

Ditën e premte kryebashkiaku i Melitopolit u rrëmbye nga disa persona të armatosur, që rezultojnë se janë separatistët prorusë.

CNN bën me dije se Ivan Fedorov mund të akuzohet për terrorizëm nga ana e prokurorisë seperatiste pro ruse në Luhansk.

Arrestimi i Fedorov nga njerëzit e armatosur është rasti i parë i njohur i një zyrtari politik ukrainas të arrestuar dhe hetuar nga forcat ruse ose të mbështetura nga Rusia që nga fillimi i pushtimit.

20:48-Jo vetëm Rusia, një tjetër shtet do të sulmojë Ukrainën

Nuk ka sinjale për fundin e luftës. Mediet në Ukrainë kanë raportuar se gjatë mbrëmjes së sotme Bjellorusia mund të nisë një sulm ndaj Ukrainës. Sipas tyre Bjellorusia mund t’i bashkohet pushtimit rus pas orës 09:00.

“Bjellorusia mund të nisë sulmin ndaj Ukrainës sot, më 11 mars. Sipas Qendrës së Ukrainës për Komunikime Strategjike dhe Sigurinë e Informacionit, forcat bjelloruse mund të nisin një sulm kundër Ukrainës në orën 21:00”, shkruan the Kyiv Independent.

Paralajmërimi vjen pas një takimi midis presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit bjellorus Alexander Lukashenko në Moskë, me zyrtarët ukrainas që paralajmëruan se trupat bjelloruse mund të urdhërohen të kalojnë kufirin sonte në mbrëmje.

20:44-“Oligarkët rus bëjnë garë se kush parkon më shumë makina luksoze”, pushimet e shfrenuara të Putin në Spanjë

Mjaft e çuditshme, presidentët që pushtojnë vendet gjithashtu pushojnë dhe shijojnë periudhat e tyre të pushimeve.

Nëse vëmë në punë imagjinatën kolektive, bëhet e vështirë për ne të imagjinojmë Vladimir Putin duke shprehur një emocion që nuk është seriozitet apo zemërim. Epo, habi, sepse ato momente lumturie ekzistojnë edhe në jetën e liderit të Kremlinit.

Siç e dimë tashmë, presidenti rus është përfshirë në konflikte të ndryshme ndërkombëtare për më shumë se dy dekada. Rrethana të vështira (shpesh të shkaktuara nga ai vetë) që e kanë detyruar të tërhiqet herë pas here nga pallatet dhe parlamentet, të pushojë në vende ekskluzive.

20:31-Youtube mbyll 2 kanale ruse shtetërore

YouTube ka njoftuar se do të bllokojë menjëherë aksesin në kanalet e lidhura me mediat shtetërore ruse.

Përfaqësuesit e Youtube thanë se do të bllokojnë aksesin në kanal, duke përfshirë televizionet RT dhe Sputnik, për shkak të dezinformimit dhe propagandës në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, shkruan BBC.

“Udhëzimet tona të komunitetit ndalojnë përmbajtjet që mohojnë, minimizojnë ose banalizojnë ngjarje të dhunshme të dokumentuara mire, prandaj ne heqim përmbajtjen në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë që shkel këtë politikë,” tha zëdhënësi Farshad Shadloo.

20:12-Biden: SHBA nuk do të provokojë Luftën e Tretë Botërore në Ukrainë

Presidenti i SHBA Joe Biden përsëriti edhe një herë se SHBA nuk do të dërgojë trupa ushtarakë në Ukrainë.

“Ne nuk do të provokojmë luftën e tretë botërore në Ukrainë,” tha Biden pasi përsëriti mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për aleatët e saj në NATO dhe premtoi se SHBA do të mbrojë “çdo pëllëmbë” të territorit të NATO-s, shkruan CNN.

“Dua të jem i qartë megjithatë, ne do të sigurohemi që Ukraina të ketë armë për të mbrojtur veten. Ne do të dërgojmë para dhe ndihma ushqimore për të shpëtuar jetët e ukrainasve. Do të mirëpresim refugjatët ukrainas me krahë hapur nëse vijnë deri këtu”.

19:24-Kina bën thirrje për shkatërrimin e armëve kimike

Përfaqësuesi i Kinës në OKB Zhang Jun i ka përshkruar bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës si “hapa pozitivë drejt arritjes së paqes”.

Ai garantoi se Kina do të “luajë rolin e saj në de-përshkallëzimin e situatës midis dy vendeve”. Ai theksoi se Pekini i kushton rëndësi të madhe bio-sigurisë, duke nënvizuar kundërshtimin për posedimin dhe përdorimin e armëve biologjike dhe kimike nga çdo vend.

19:10-Për herë të parë, rusët nisin bombardimet në aeroport

Rusia ka zgjeruar ofensivën e saj ushtarake në Ukrainë të premten, duke goditur për herë të parë në afërsi të aeroporteve në perëndim të vendit, shkruan The Guardian.
Videot që qarkullonin në internet tregojnë momentin e sulmit në një aeroport ushtrarak në Lutsk, që u pasia nga shpërthime të mëdha.

18:45-SHBA “bombardon” Putin me akuza: Rusia po përgatit agjentë kimikë dhe biologjikë kundër popullit ukrainas

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, insiston t’i thotë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia ka histori të dokumentuar të përdorimit të armëve kimike.

Thomas-Greenfield thotë se SHBA “ka shqetësime serioze se Rusia mund të planifikojë të përdorë agjentë kimikë ose biologjikë kundër popullit ukrainas”.

18:20-SHBA: Rusia po krijon pretekst për të sulmuar Ukrainën

Ambasadorja e SHBA, Linda Thomas-Greenfield, deklaroi se Rusia po kërkon të krijojë pretekste për të sulmuar Ukrainën.

“Rusia po përpiqet të përdorë këshillin e sigurisë për të legjitimuar dezinformimin dhe për të mashtruar njerëzit për të justifikuar luftën e zgjedhur të Presidentit Putin kundër popullit ukrainas,” tha ambasadorja.

17:53-Media ukrainase: Bjellorusia mund të na sulmojë sonte deri në orën 21:00

Sipas zyrtarëve të ushtrisë dhe qeverisë ukrainase, Bjellorusia po përgatitet të nisë një sulm kundër Ukrainës deri në orën 21:00 me orën lokale sot 11 marsit, shkruan Ukrainska Pravda.

Deklarata : “Sipas të dhënave paraprake, trupat bjelloruse mund të mobilizohen në pushtim në orën 21:00 të datës 11 mars.”

17:39-SHBA shpall ndalimin e diamanteve dhe vodkës ruse

Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar planet e SHBA-së për të ndaluar importin e ushqimeve të detit, vodkës dhe diamanteve nga Rusia si hakmarrje për luftën e Vladimir Putinit kundër Ukrainës .

Biden tha se ndalimi do të ishte pjesë e një lëvizjeje të Amerikës për të revokuar marrëdhëniet normale tregtare, me Rusinë , e njohur gjithashtu si statusi i “kombit më të favorizuar”, me një lëvizje të ngjashme që pritet edhe nga aleatët në grupin e shtatë vendeve kryesore dhe G7 dhe Bashkimi Evropian.

16:56-Biden paralajmëron sanksione të forta ndaj oligarkëve që mbështesin Putinin

Presidenti i SHBA Joe Biden paralajmëroi se G7 do të shtojë sanksione edhe më të forta ndaj oligarkëve rusë dhe familjeve të tyre ndërsa pushtimi i Ukrainës vazhdon.

“G7 gjithashtu rrit presionin ndaj miliarderëve të korruptuar rusë. Ne po shtojmë emra të rinj në listën e oligarkëve dhe familjeve të tyre që po synojmë dhe po rrisim koordinimin midis vendeve të G7 për të synuar dhe kapur pasuritë e tyre”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas tij këta oligarkë që me paratë e korrupsionit dhe të vjedhura po mbështesin Putinin në luftën ndaj popullit të Ukrainës.

16:40-Ukraina akuzon Rusinë: Putin po tenton të bindë Bjellorusinë të futet lë luftë

Rusia po përdorë çdo mekanizëm të mundshme për ta tërhequr Bjellorusinë në luftën e saj 16-ditore kundër Ukrainës, tha zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Yevheniy Yenin në një intervistë televizive sot, shkruan Skynews.

16:20-Rusia s’ka marrë ende në kontroll ajrin, ushtria ukrainase ka vepruar me zgjuarsi

Rusia ende nuk ka arritur të kontrollojë qiellin ukrainas, thotë korespodentja e “Times” , Larisa Brown.

Sipas saj ushtria ukrainase është treguar tepër e zgjuar në mënyrën se si ka shpërndarë trupat e tyre ushtarakë. Gazetarja raporton se trupat ruse po përdorin radio dhe telefona komercialë për të komunikuar me njëri tjetrin.

Sot konflikti Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e 16-të të luftimeve, ndërsa bota vazhdon përpjekjet e saj për të zgjidhur krizën në Ukrainë.

16:10-Putin kufizon edhe Instagramin në Rusi

Rusia ka konfirmuar se do të kufizojë aksesin në Instagram.

Deklarata vjen pasi kompania mëmë e rrjetit social, Meta, ndryshoi rregullat e saj në disa vende për të lejuar shprehjen e ndjenjave të dhunshme të përdoruesve ndaj forcave ruse, por jo ndaj civilëve rusë, shkruan BBC.

16:07-Zelensky: Po organizojmë 12 korridore të reja evakuimi, nëse rusët qëllojnë atëherë …

Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky ka deklaruar gjatë ditës së premte se janë hapur 12 koridore të reja evakuimi për popullsinë civile.

Ai shtoi se ngarkesa me ushqime dhe ilaçe është në rrugë për në qytetet dhe qytezat e Izyum, Enerhodar, Volnovakha, Polohy, Bucha, Hostomel, Borodyanka, Andriivka, Mykulychi Makariv, Kozarovychi dhe Mariupol.

Ushtria ukrainase ka “siguruar një armëpushim për funksionimin e këtyre korridoreve humanitare”, tha presidenti, duke paralajmëruar se nëse Rusia fillon “të qëllojë përsëri dhe ndërpret shpëtimin e njerëzve, ata do të marrin një përgjigje nga bota”.

16:00-Trupat amerikane në Poloni dhe rreziku i një përplasje me Rusinë

Trupat amerikane janë dislokuar në pyjet e Polonisë lindore, vetëm pak kilometra nga kufiri me Ukrainën. Ato gjenden jo shumë larg zonave që ishin objektiv i sulmeve të fundit ajrore ruse në Ukrainën perëndimore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga fshati polak Arlamov në kufi me Ukrainën, nëse NATO-ja përfshihet në luftë, trupat amerikane mund të bëhen objektiv i sulmeve ruse.

15:54-Macron: Do të jemi pranë Ukrainës deri sa të zgjasë lufta

Presidenti francez Emmanuel Macron mbajti një konferencë për shtyp pas takimit të sotëm me liderët e BE-së në Versajë. Ai tha se objektivi kryesor i Bashkimit Europian ishte “paqja duke filluar me armëpushimin e ndjekur nga një tërheqje e shpejtë e trupave ruse”, shkruan skynews

Udhëheqësi francez tha se kjo është arsyeja pse blloku po vazhdonte presionin ndaj Rusisë.

“Ne mbështesim Ukrainën dhe do ta bëjmë këtë për aq kohë sa të zgjasë lufta. Ne do të qëndrojm pranë saj për ta ndihmuar atë të qëndrojë në këmbë,” tha ai.

15:35-U tha se bjellorusët rikthyen energjinë elektrike në Çernobil, Ukraina e mohon

Një ditë më parë Ministri e Energjisë në Rusi njoftoi se specialistët bjellorusë rikthyen furnizimin me energji elektrike në termocentralin e Çernobilit.

Por Rregullatori i energjisë bërthamore i Ukrainës ka mohuar një deklaratë të tillë.

Ata thonë se energjia nuk është rikthyer nga specialistët bjellorusë të enjten.

15:22-Edhe një tjetër gjeneral rus i vrarë nga ushtria ukrainase

Ushtria ukrainase ka deklaruar se ka vrarë një gjeneral të lartë rus. BBC shkruan se gjenerali i lartë Andrei Kolesnikov ishte komandant I ushtrisë së 29-të të grupit ushtarak lindor të Rusisë, sipas Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës.

Megjithatë rrethanat e vdekjes së gjeneralit rus nuk dihen ende, ndërsa nga pala ruse nuk ka ende një koment në lidhje me ngjarjen.

14:57-Kamala Harris thekson mbështetjen e Amerikës për krahun lindor të Natos

Nënpresidentja Kamala Harris ndodhet në Bukuresht të Rumanisë, të premten, pas vizitës së saj të enjten në Varshavë të Polonisë, ku ajo nënvizoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj krahut lindor të NATO-s dhe mbështeti thirrjet për një hetim ndërkombëtar të Rusisë lidhur me bombardimin e dyshuar të një spitali ukrainas. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara na ka dërguar këto hollësi.

Pamjet e tmerrshme nga bombardimi i dyshuar rus i një materniteti dhe spitali fëmijësh në qytetin ukrainas të Mariupolit… shtuan presionin mbi administratën Biden.

14:38-Nuk i hapet parashuta, vdes në vend piloti rus në Ukrainë

Lufta Rusi-Ukrainë ka shënuar sot ditën e 16-të të konfliktit, me mijëra viktima dhe të plagosur. Sulmet ruse nuk kanë kursyer as civilët ku mes viktimave janë raportuar edhe 78 fëmijë. Fotot dhe videot e postuara në mediat sociale kanë treguar imazhet e tmerrshme të luftës dhe vuajtjet e shumë civilëve.

Së fundmi, në mediat sociale është postuar fotoja e një piloti rus, i cili ka humbur jetën pasi nuk iu hap parashuta.

14:27-Disa avionë ushtarakë fluturojnë mbi qiellin e Lviv në Ukrainë

Për herë të parë në të paktën dhjetë ditë, disa avionë ushtarakë po fluturojnë në qiellin mbi qytetin e Lviv në Ukrainë, rreth 50 milje nga kufiri me Poloninë. Ky qytet që nga shpërthimi i luftës është kthyer në një strehë të sigurt për qindra mijëra ukrainas të zhvendosur brenda vendit.

Mediat e huaja raportojnë se është ende është e paqartë nëse avionët janë rusë apo ukrainas. Të premten, sot qytetet Lutsk dhe Ivano-Frankivsk, rreth 130 km nga Lviv, shënjestruan nga forcat ruse. Ky është sulmi i parë i rusëve në zonën perëndimore të Ukrainës, shumë pranë kufirit me Poloninë, anëtare e NATO-s

14:11-Bilanci tragjik i luftës, 78 fëmijë të vrarë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit rus

Të paktën 78 fëmijë janë vrarë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit rus më 24 shkurt, sipas avokates të të drejtave të njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, shkruan The Guardian

Denisova tha se për shkak të luftimeve të ashpra rreth Mariupolit, Volnovakha dhe Irpin në rajonin e Kievit, autoritetet lokale nuk kanë arritur të përcaktojnë numrin e saktë të personave të plagosur apo të vrarë.

14:04-VIDEO/ Putini miraton dekretin, këta janë arabët që do të luftojnë kundër ukrainasve

Presidenti rus Vladimir Putin ka miratuar dekretin për pranimin e vullnetarëve të huaj që të luftojnë në Ukrainë duke deklaruar se kushdo është i mirëpritur, raporton agjencia TASS. Pas këtij dekreti, televizioni shtetëror publikoi video të luftëtarëve nga Lindja e Mesme që pritet t’i bashkohen rusëve kundër ukrainasve.

13:48-Zelensky: Pikë kthese strategjike, tani do të çlirojmë Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se vendi ka arritur një “pikë kthese strategjike” në konflikt dhe është i bindur se Ukraina mund të fitojë.

“Është e pamundur të thuhet se sa ditë kemi ende për të çliruar tokën ukrainase. Por mund të themi se do ta bëjmë. Sepse ne kemi arritur tashmë një pikë kthese strategjike,” tha ai në një fjalim televiziv.

Ai gjithashtu akuzoi Rusinë për vendosjen e mercenarëve sirianë në Ukrainë, gjë që vjen pasi Vladimir Putin ftoi njerëzit të dilnin vullnetarë dhe të luftonin për të.

13:37- Lufta mund të shkaktojë rritje të çmimit të ushqimeve deri në 20%

Çmimet ndërkombëtare të ushqimeve mund të rriten nga 8% në 20% si rezultat i konfliktit në Ukrainë, sipas një deklaratë të agjencisë së ushqimit të OKB-së, shkruan BBC

Në një vlerësim paraprak mbi pushtimin rus të Ukrainës, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë tha se Ukraina nuk do të mund të prodhojë për shkak të luftës. 20-30% e drithërave të zakonshme të dimrit, misrit dhe farave të lulediellit në Ukrainë nuk do të mund të mbillen.

Rusia është eksportuesi më i madh në botë i grurit, ndërsa Ukraina është e pesta. Së bashku, ato sigurojnë 19% të furnizimit botëror të elbit, 14% të grurit dhe 4% të misrit, duke përbërë më shumë se një të tretën e eksporteve globale të drithërave.

Gjithashtu 12 milionë njerëz mund të vuajnë nga kequshqyerja në 2022-2033.

13:25- Italia do të strehojë refugjatët ukrainas në pronat e konfiskuara nga mafia

Në një intervistë me Corriere della Sera të premten, ministrja e brendshme Luciana Lamorgese tha se refugjatët ukrainas do të strehoheshin në 283 prona të sekuestruara nga organizata kriminale, shkruan The Guardian

Lamorgese tha se 28,000 refugjatë ukrainas kishin mbërritur deri më tani në Itali, shumica gra dhe fëmijë. Refugjatët do të kenë gjithashtu askese në kujdesin shëndetësor, fëmijët do të kenë mundësi të shkollohen dhe të rriturit do të kenë leje të punojnë.

Ndër fëmijët që kanë mbërritur në Itali është Sofia, e cila mbeti jetime pasi motra e saj, Polina motra e saj dhe prindërit u vranë nga forcat ruse.

13:07- Pas 5 orësh diskutime, liderët e BE-së i thonë “po” integrimit të Ukrainës në BE

Pas 5 orësh diskutime, liderët e BE-së i thonë “po” integrimit të Ukrainës në BE. Kështu shprehet presidenti i Lituanisë Gitanas Nausėda në një postim në Twitter.

Sipas Nausėda-s, procesi tashmë ka nisur dhe u mbetet ukrainasve që ta përmbushin sa më shpejt.

“Populli heroik ukrainas e meriton që ta dijë se janë të mirëseardhur në BE,” shkruan ai më tej.

13:04- Takimi me Lukashenkon, Putin: Ndryshime pozitive në negociatat me Ukrainën

Ka pasur zhvillime “pozitive” në negociatat në vijim mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas, sipas presidentit rus Vladimir Putin.

“Ka disa ndryshime pozitive atje, pasi negociatorët nga ana jonë më kanë informuar,” i tha Putin liderit bjellorus Alexander Lukashenko, aleati kryesor i rusëve, në një takim në Moskë.

Deri më tani janë mbajtur tre raunde negociatash midis ekipeve negociuese të dy palëve në kufirin Ukrainë-Bjellorusi dhe të enjten ministrat e jashtëm ukrainas dhe rus u takuan për bisedime në Turqi. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete nga bisedimet.

Putin trajtoi gjithashtu çështjen e sanksioneve kundër Rusisë, për të cilat u shpreh se mund të kenë efekt pozitiv në vend.

“Këto janë kohë mundësish për të ecur drejt forcimit të sovranitetit tonë ekonomik dhe teknologjik,” tha ai.

12:33- FOTO/ Pas 36 orësh udhëtim, më shumë se 40 jetimë mbërrijnë në Lituani

Më shumë se 40 fëmijë nga një jetimore në Ukrainën lindore janë zhvendosur në Lituani pas një udhëtimi prej 36 orësh me autobus. Agjencia e OKB-së për refugjatët tha se mbi 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, shkruan skynews

12:22- Pushtimi i Ukrainës dhe sanksionet e Perëndimit, Lukashenko takon Putinin: Do të rezistojmë!

Një nga aleatët e fundit që i ka mbetur Presidentit Vladimir Putin, Aleksandër Lukashenko i Bjellorusisë, ka mbërritur sot në mëngjes në Moskë. Putin e Lukashenko, sipas raportimeve, do të flasin për luftën në Ukrainë si dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga vendet perëndimore.

Nga Minsku, Lukashenko u shpreh se bashkë me Rusinë do të rezistojnë “përballë armikut”.

Po ashtu, ai shtoi se Lukashenko, “njerëzit do ta kenë harruar se kjo ka ndodhur” brenda disa muajsh dhe se ekziston një “mundësi” për të ndërtuar diçka “më të mirë se Bashkimi Sovjetik”.

Ndërkohë, Putin është shprehur edhe më herët se sanksionet vetëm sa e kanë bërë Rusinë më të fortë. Veçanërisht, lideri rus shtoi se ka pasur “ndryshime të caktuara pozitive” në bisedimet me Ukrainën se negociatat po vazhdojnë çdo ditë. Kjo pavarësisht se nuk ka dalë asgjë nga takimi i djeshëm mes ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas.

Bjellorusia, aleatja e Rusisë po përdoret si një pikë nisjeje futjen e trupave ruse në Ukrainë.

11:57- Presidentja e KE-së prezanton planet e BE-së për t’u shkëputur nga varësia ndaj gazit e naftës ruse

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar sot në një samit në Versajë, planin për të “eliminuar” gradualisht varësinë e BE-së nga karburantet ruse deri në vitin 2027.

Është një datë më e hershme dhe më specifike se ajo e propozuar nga komisioni të martën, kur u diskutua për ta bërë Evropën të pavarur nga karburantet ruse “shumë përpara vitit 2030”. Von der Leyen postoi në Twitter fotografi të “silde-ve” që ajo u prezantoi liderëve të BE-së mbrëmë – duke përfshirë 2027, si vitin e “shpëtimit” nga varësia ndaj karburanteve ruse.

Më vonë pritet një “Deklaratë e Versajës”, e cila ka të ngjarë të përfshijë disa konkluzione mbi energjinë, mbrojtjen dhe ekonominë. Liderët publikuan një deklaratë të veçantë në lidhje me mbështetjen për Ukrainën, duke përfshirë aspiratat e saj për anëtarësim në bllok.

11:46- Çfarë është një krim lufte dhe a mund të ndiqet penalisht Putin?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka përshkruar sulmin në një maternitet dhe spital për fëmijë si një “krim lufte”. Mund të mos duket kështu por edhe lufta ka rregullat e saj, siç përcaktohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Këto janë të përfshira në traktatet e quajtura Konventat e Gjenevës dhe një sërë ligjesh dhe marrëveshjesh të tjera ndërkombëtare.

Çfarë është një krim lufte?

Civilët nuk mund të sulmohen qëllimisht. As infrastruktura që është jetike për mbijetesën e tyre. Disa armë janë të ndaluara, këtu përfshihen minat kundër personelit ose armët kimike ose biologjike.

Të sëmurët dhe të plagosurit duhet të marrin trajtimin e duhur, përfshirë edhe ushtarët e lënduar kanë të drejta si robër lufte. Ka ligje të tjera që ndalojnë torturën dhe gjenocidin, përpjekjen e qëllimshme për të shkatërruar një grup të caktuar njerëzish.

Veprat e rënda të luftës si vrasja ose persekutimi masiv i një grupi njerëzish konsiderohet si krime kundër njerëzimit.

Lexo KËTU të gjithë artikullin

11:45- Zëdhënësi i Kremlinit iu “heq” kombësinë miliona rusëve

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka reaguar ndaj kundërshtimit nga një pjesë e rusëve të luftës në Ukrainës. Mjaft prej tyre thonë se “u vjen turp që janë rusë”, pasi Putini dha urdhrin për pushtimin e Ukrainës.

Por, Peskov mendon ndryshe sipas agjencisë TASS. Ai thotë se ata që shprehen të turpëruar nga origjina e tyre, në fakt nuk janë rusë.

“Një rus i vërtetë kurrë nuk ka turp të jetë rus. Nëse dikush thotë kështu, atëherë ai nuk është rus dhe nuk ka ankesa kundër tij. Ai nuk është me ne”, tha Peskov, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me deklaratat e disa qytetarëve se ata “turpëroheshin të ishin rusë”.

11:35- E “mbytur” në luks, jeta përrallore e vajzës së birësuar të Sergei Lavrov, i shpëtoi rrjetës së sanksioneve

Kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov , përveçse një të dashure zyrtare, ka edhe një vajzë, të birësuar Polina Kovaleva.

Bukuroshja 26-vjeçare që shijon një jetë luksoze në kryeqytetin britanik. Jeton e pasur dhe jeta e saj është një festë pa fund dhe këtë e dëshmon duke postuar foto të saja në Instagram.

Zbulimi se ministri i Jashtëm rus ka një vajzë të birësuar është bërë nga Maria Pevkic, kryekërkuesja e institutit të themeluar nga lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili është burgosur nga qeveria e Vladimir Putin.

11:33-Lufta e Putinit dhe ndikimet në qasjet e të djathtëve

Vetëm pak javë më parë shumë figura të partisë demokratike të SHBA-së mbështetën veprimet e Vladimir Putin. Për shembull, Tucker Carlson ende po fajëson Amerikën për luftën dhe është duke promovuar dezinformimin rus në lidhje me laboratorët e bioarmëve të financuara nga SHBA-ja.

Megjithatë, në pjesën më të madhe, aleatët e Putinit në Amerikë po përjetojnë një moment të së vërtetës. Ata e dinin shumë mirë që Putin ishte një tiran i gatshëm për të vrarë një numër të madh njerëzish të pafajshëm.

Problemi është se njeriu i fortë që ata admironin – të cilin Donald Trump e lavdëroi si “gjeni” pak para se të pushtonte Ukrainën ka treguar një karakter të dobët. Rusia po përballet me një katastrofë sepse ajo po udhëhiqet nga një njeri që nuk pranon asnjë kritikë dhe nuk është  i gatshëm për negociata, raporton abcnews.al

Nga ana ushtarake, Rusia kishte parashikuar se do të kishte në kontroll vendin brenda disa ditësh, por deri më tani ende nuk ka pushtuar asnjë nga 10 qytetet kryesore, megjithatë qytetet janë shndërruar në rrënoja.

Lexo KËTU të gjithë artikullin

11:29- U bllokuan, çfarë do të ndodhë tani me jahtet e oligarkëve të Putinit? Kush do t’i trashëgojë këto pasuri?

Qeveritë evropiane po nxitojnë të bllokojnë jahtet dhe vilat e oligarkëve rusë, të cilët po goditen nga sanksionet perëndimore kundër Moskës. Për shembull, Italia ka konfiskuar jahtin e Alexei Mordasov, ndërsa Franca ka sekuestruar jahtet luksoze të Igor Setsin dhe Alisher Usmanov.

Pyetja që lind është se çfarë do të ndodhë tani e tutje me këto jahte dhe pasuri të paluajtshme të konfiskuara, çfarë do të bëjnë vendet? Çfarë procedurash ndiqen dhe kush do të jetë “pronari” i ri?

“Ne jemi në ujëra të paeksploruar,” tha Benjamin Maltby, një partner në firmën ligjore britanike Keystone Law, e cila është e specializuar në çështjet e pronësisë së jahteve luksoze. “Është një realitet që nuk ka ndodhur kurrë më parë”.

Ekspertët argumentojnë se, në përgjithësi, sanksionet nuk i lejojnë vendet të fitojnë (kaq thjesht) pronësinë e jahteve, avionëve dhe shtëpive të oligarkëve rusë.

Sipas tekstit zyrtar të sanksioneve në Bruksel dhe Uashington, masat “nuk lejojnë ata që u pasuruan shumë në raport me popullin rus dhe ndihmuan Putinin të pushtojë Ukrainën, të përdorë pasuritë e tyre të ngrira dhe të ose të sekuestruara”.

11:27-OBSH, kërkesë urgjente Ukrainës: Shkatërroni viruset në laboratorë

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë një kërkesë urgjente për Ukrainën që të shkatërrojë patogjenët me rrezik të lartë në laboratorët shëndetësorë të vendit, ndërsa vendi është nën agresionin ushtarak rus.

Kërkesa nga OBSH,  vjen si nevojë emergjente për të shmangur “rrjedhjet e mundshme” që do të përhapnin sëmundje në popullatën vendase dhe më gjerë nëpër botë,

“OBSH ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë në Ukrainë dhe organet e tjera kompetente duke u kërkuar që të shkatërrojnë patogjenët me rrezik të lartë për të parandaluar rrjedhjet e mundshme”, i tha një zyrtar i OBSH-së, agjencisë së lajmeve Reuters.

11:22- Nuk “performuan” mirë në pushtimin e Ukrainës, Putini u “pret kokat” 8 gjeneralëve

Presidenti rus nuk është i lumtur me mënyrën sesi po shkon rrjedha e pushtimit të Ukrainës, sidomos me humbjet e fundit. Për këtë arsye, sipas raportimeve që citojnë një zyrtar ukrainas, lideri rus u ka “prerë kokën” tetë gjeneralëve të tij.

Sipas Ukrainskaya Pravda, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës Alexei Danilov tha të mërkurën e kaluar se armiku “kërkoi largimin e rreth 8 gjeneralëve nga postet e tyre sepse ata nuk e kryen misionin e tyre.

Zyrtari ukrainas theksoi se Moska ka ndryshuar planet e saj ushtarake për shkak të mënyrës sesi po shkon pushtimi i Ukrainës. Edhe propagandistët rusë kanë ndryshuar tani retorikën e tyre, vuri në dukje Danilov, duke shtuar se janë larguar nga deklaratat e ashpra të ditëve të para të luftës, duke parë rezistencën e guximshme dhe të bashkuar të ukrainasve.

11:16- VIDEO/ Momenti kur rusët sulmojnë me raketa qytetin e madh ukrainas

Në Ukrainë vijon sot dita e 16-të e sulmeve ruse. Orët e fundit, rusët nuk kanë kursyer as spitalet. Në Kharkiv u godit një spital psikiatrik, ndërsa nuk dihet ende numri i viktimave.

Sakaq, një video e verifikuar nga Sky Neës ka kapur momentin kur një raketë goditi qytetin lindor të Dnipro në Ukrainë sot.

11:08- Avionë luftarakë në qiell, NATO “mesazh” Rusisë pas kërcënimit të Suedisë

NATO këtë të premte në faqen zyrtare të saj ka publikuar pamjet nga avionët luftarakë të Danimarkës dhe të Suedisë duke bërë stërvitje në ajër.

Në postimin e saj në faqen për Komandën Ajrorel, NATO thekson se këto janë  trajnime të tilla janë jetike për partnerët e NATO-së dhe për aleatët.

“Ky trajnim është jetik, kështu që pilotët aleatë dhe partnerë të NATO-s kanë njohuri për aftësitë e njëri-tjetrit duke siguruar kohezion më të mirë në operacionet e ardhshme”, thuhet në postimin e NATO-së.

10:50- Rikthehet “fantazma” e Kievit, mesazh rusëve: Po vij për shpirtrat tuaj

Lufta sjell edhe mite. Një prej tyre është në Ukrainë. Njihet si “pilotit fantazmë” nga Kievi. Askush përveç disave nuk e di emrin e vërtetë të pilotit ukrainas, i cili, sipas raportimeve, rrëzoi gjashtë avionë luftarakë rusë brenda një dite dhe është bërë legjendë për bashkatdhetarët e tij.

Në fakt,  ish-presidenti  Petro Poroshenko  ka postuar në llogarinë personale në Twitter foton e “hakmarrësit”, që sipas mediave të huaja është e vërtetë.

Ai u bë shpejt heroi i bashkatdhetarëve të tij, ndërsa video të ndryshme tregojnë një  MIG 29 që kalon qiellin mbi Kiev. Gjashtë betejat ajrore në të cilat u përfshi “fantazma” dyshohet se u zhvilluan në vetëm tridhjetë orë, diçka që pilotët me përvojë e kanë shumë të vështirë ta bëjnë.

10:44- Sulmet nga Rusia, BE dyfishon ndihmën ushtarake për Ukrainën

BE do të dyfishojë ndihmën ushtarake për Ukrainën në 1 miliard euro, sipas një deklaratë të liderëve gjatë një samiti në Versajë, shkruan The Guardian

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se marrëveshja midis 27 liderëve nuk ka qenë e vështirë për t’u arrirë.

Të gjithë ishin plotësisht të vetëdijshëm se ne duhet të rrisim mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën për të shtuar në këtë mënyrë presionin ndaj Rusisë”, tha Josep Borrell .

10:31- Rusia kërcënon Europën, NATO në alarm, Stoltenberg takon aleatin e Putinit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mbërritur pak më parë në Antalia të Turqisë ku do të marrë pjesë në forumin diplomatik që po zhvillohet atje.

Gjatë vizitës në Turqi, Stoltenberg do të takohet edhe me Presidentin Erdogan, i cili njihet për raportet e mira që ka ma Putinin. Krahas Erdoganit, pritet që shefi i NATO-s të zhvillojë një video konferencë me Presidentin e Ukrainas Volodymyr Zelensky.

Takimet do të zhvillohen në Antalia ku një ditë më parë u zhvilluan edhe negociatat mes delegacionit ukrainas dhe atij rus, të kryesuar nga shefat e diplomacisë respektive. Siç deklaruan më pas Lavrov dhe Kuleba, negociatat dështuan. Ndërkohë që ndodhi kjo, Rusia intensifikoi sulmet në Ukrainë duke rritur numrin e të vrarëve.

Turqia ka marrëdhënie të mira diplomatike si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë. Nga kjo e fundit, turqit kanë blerë sistemet raketore S-400, gjë që ka çuar deri në pikën e thyerjes raportet me SHBA-të dhe Perëndimin.

 

10:17- Lufta në Ukrainë, 63 spitale të dëmtuara dhe 5 mjekë të vrarë

63 spitale janë dëmtuar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Këtë e ka bërë të ditur ministri ukrainas i Shëndetësisë, Viktor Lyashko, cituar nga mediat lokale.

Për më tepër, sipas Lyashkos, “pesë mjekë u vranë dhe më shumë se 10 u plagosën rëndë”. Rusia vendosi të pushtojë Ukrainën në 24 shkurt.

Sot, luftimet janë në ditën e 16-të, ndërsa një ditë më parë nuk u arrit asnjë marrëveshje për armëpushim mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve.

10:08- Dështojnë negociatat, Putini urdhëron ushtrinë të “shkeli gazin”

Ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas nuk arritën të gjenin një zgjidhje të përbashkët në takimin e tyre të parë që nga fillimi i pushtimit rus dy javë më parë, ndërsa forcat ruse vazhdojnë sulmet, duke shkaktuar rreth 100 miliardë dollarë dëme deri më tani.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u takua ditën e djeshme në Turqi me homologun e tij rus, Sergej Lavrov.

“Narrativa e gjerë që Lavrov më përcolli, është se ata do të vazhdojnë agresionin e tyre derisa Ukraina të përmbushë kërkesat e tyre, dhe kërkesa më e vogël është që ne të dorëzohemi,” tha Kuleba pas takimit.

Forcat ruse kanë rrethuar shumicën e qyteteve të Ukrainës dhe po shkatërrojnë pjesën më të madhe të infrastrukturës së tyre, duke e bërë evakuimin gjithnjë e më të vështirë dhe në disa raste të pamundur.

Më shumë se dy milionë njerëz janë larguar, duke përfshirë 80,000  vetëm në dy ditët e fundit. Duke folur nga Varshava, Kamala Harris, nënpresidentja e SHBA-së, tha se Rusia duhet të hetohet për krime të mundshme lufte në Ukrainë.

“Nuk kam dyshim se sytë e botës janë te kjo luftë dhe çfarë ka bërë Rusia në Ukrainë”, tha ajo.

10:01- Kasaphana që po fsheh Putin, asnjëherë kaq shumë rusë të vrarë në ditë që nga 1945-a

Ukrainasit flasin për 11 mijë të vrarë, ndërsa shifrat e raportuara nga Moska janë më pak se 500. Por edhe sipas këtyre të fundit “operacioni ushtarak special” i Putinit po rezulton të jetë ferr edhe për të. Vetëm në 6 ditët e para të “operacionit”, pra midis 24 shkurtit dhe 1 marsit, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi vdekjen e 498 burrave.

Një shifër në pamje të parë modeste. Por nëse e shohim më nga afër, nuk është aspak e tillë.

Në historinë e saj të dekadave të fundit, ushtria ruse nuk ka pasur kurrë një mesatare ditore të vdekjeve në terren siç ka sot në Ukrainë.

Për këtë është i bindur David Rossi, ekspert mbi analizat e strategjive ushtarake, kreu i seksionit gjeopolitik në portalin Difesaonline.it, që ka mbledhur dhe përpunuar që nga dita e parë e pushtimit të dhëna duke përdorur burimet në terren, vjetarë statistikor të luftës dhe kalkulatorë.

Lexo KËTU të gjithë artikullin

09:52- Forcat ruse sulmojnë spitalin psikiatrik në Kharkiv

Një spital psikiatrik në Kharkiv është goditur nga forcat ruse, sipas zyrtarëve lokalë, shkruan The Guardian

Deri më tani nuk ka të raportuar për viktima por sipas informacioneve rreth 300 persona ndodheshin brenda spitalit në momentin e sulmit. Kharkiv, i cili ndodhet afër kufirit Ukrainë-Rusi, është i rrethuar nga forcat ruse, në të cilin janë raportuar vazhdimisht bombardime që nga fillimi i pushtimit rus.

09:44- Putin: Mirëpresim vullnetarët që duan të luftojnë kundër forcave ukrainase

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se kushdo që dëshiron të luftojë kundër forcave ukrainase është i mirëpritur, shkruan skynews

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu propozoi idenë se të gjithë ushtarët në rajonet rebele të Luhansk dhe Donetsk duhet të pajisen me sisteme raketore- antitank të prodhimit amerikan si Javelin dhe Stinger.

Duke folur në një takim të këshillit rus të sigurisë, Putin shprehu mbështetjen e tij për një ide të tillë. Shoigu tha se 16,000 vullnetarë në Lindjen e Mesme ishin të gatshëm të luftonin me forcat e mbështetura nga Rusia.

09:42- Bombardimet në Ukrainë, Chernihiv-i në Ukrainë mbetet pa ujë të pijshëm

Sulmet ajrore gjatë natës në qytetin verior të Chernihiv kanë ndërprerë furnizimin me ujë të qytetit. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet e vendit. Ndërmarrja e ujit Chernihivvodokanal postoi në Facebook këtë mëngjes se po riparonte sistemin.

“Gjatë bombardimeve të natës është ndërprerë rrjeti i ujësjellësit…për shkak të rrjedhjeve është ndërprerë furnizimi me ujë i qytetit. Po fillojmë procesin e rikthimit të furnizimit me ujë të qytetit. Ky është një proces i gjatë: 3-4 orë,” shtoi ai.

09:40- Zelensky hedh poshtë deklaratat e Rusisë: Nuk kemi armë kimike

Sugjerimi se Ukraina po zhvillon armë të shkatërrimit në masë është hedhur poshtë nga presidenti i Ukrainës. Volodymyr Zelensky në një mesazh të tij tha: “Ne jemi një vend i mirë”.

Zelenskyy paralajmëroi gjithashtu Rusinë që të mos përdorë armë kimike në Ukrainë pasi ajo do të përballet me sanksione edhe më të rënda në këmbim.

Sakaq, luftimet në Ukrainë vijojnë sot në ditën e 16-të. Dy ministrat e Jashtëm  Kuleba dhe Lavrov nuk mundën të arrinin dje një marrëveshje.

09:34- Ukraina: Forcat ruse kanë vrarë më shumë civilë sesa ushtarë

Forcat ruse kanë vrarë më shumë civilë sesa ushtarë, sipas një deklarate të ministrit të mbrojtjes së Ukrainës, shkruan The Guardian

“Unë dua që kjo deklaratë të dëgjohet jo vetëm në Kiev, por në të gjithë botën,” tha Oleksii Reznikov.

Sipas raporteve nga zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, që nga fillimi i pushtimit rus deri në mesnatën e 9 marsit, 549 njerëz janë  vrarë dhe 957 janë plagosur.

09:20- Inteligjenca britanike: Rusia po përgatitet për të sulmuar sërish Kievin

Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se forcat ruse po përparojnë drejt Kievit, duke theksuar se ata mund të përgatiten për të sulmuar sërish kryeqytetin gjatë ditëve në vijim, shkruan CNN

Ndërkohë sipas imazheve të reja satelitore, një autokolonë ushtarake ruse në veriperëndim të Kievit është zmbrapsur nga forcat ukrainase,” sipas Maxar Technologies.

Imazhet tregojnë se disa forca janë “ripozicionuar” në pyje dhe në disa zona pranë Lubyanka, Ukrainë, sipas Maxar.

09:00- 2 ushtarë ukrainas të vrarë dhe 6 të plagosur nga sulmet ruse në Lutsk

Sipas kreut të administratës, Yuriy Pohulyayko, 2 ushtarë ukrainas janë vrarë ndërsa 6 kanë mbetur të plagosur në Lutsk, shkruan BBC

Gjithashtu, sipas raportimeve, Rusia ka sulmuar gjithashtu aeroportet ushtarake në qytetet perëndimore të Ukrainës, Lutsk dhe Ivano-Frankivsk.

08:51- FOTO/ Dita e 16-të e pushtimit rus, jeta në Kiev vazhdon mes sulmeve dhe bombardimeve

Kryeqyteti ukrainas dhe zonat përreth, vazhdojnë të jenë nën sulmin e forcave ruse. Shumë banorë janë larguar në një përpjekje për të gjetur një vend më të sigurt, shkruan BBC

Një pjesë prej tyre janë ende në qytet, dhe po strehohen në stacionet e metrosë për ti shpëtuar sulmeve ajrore.

Disa nga imazhet e kësaj javë në Kiev:

08:17- Separatistët e mbështetura nga Rusia “mbërthejnë” Volnovakhan

Ndërsa raportohen sulme të reja në të gjithë Ukrainën, tani ka raporte se separatistët e mbështetur nga Rusia kanë pushtuar qytetin me rëndësi strategjike të Volnovakha, në veri të portit të rrethuar të Mariupolit.

Autoritetet lokale thonë se sulmet ruse goditën pranë aeroporteve në qytetet e Ukrainës perëndimore të Ivano-Frankiivsk dhe Lutsk, larg objektivave kryesore të sulmit të Rusisë diku tjetër në Ukrainë.

Kryetari i bashkisë së Ivano-Frankiivsk Ruslan Martsinkiv urdhëroi banorët në zonat fqinje të drejtoheshin në strehimore pas një alarmi për sulm ajror. Kryebashkiaku i Lutsk njoftoi gjithashtu një sulm ajror pranë aeroportit. Nuk u raportua menjëherë për viktima.

Sulmet ishin shumë larg në perëndim nga ofensiva kryesore ruse dhe mund të tregonin drejtim të ri të luftës.

08:11- Laboratorët amerikanë në Ukrainë? Këshilli i Sigurimit do të dëgjojë sot pretendimet e Putin

Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një takim të premten me kërkesë të Rusisë për të diskutuar atë që Moska pretendon se janë “aktivitetet biologjike ushtarake të SHBA-së në territorin e Ukrainës”, akuza të mohuara me forcë nga udhëheqësi i Ukrainës dhe administrata Biden.

“Ky është pikërisht lloji i përpjekjes së flamurit të rremë që kemi paralajmëruar se Rusia mund të nisë për të justifikuar një sulm me armë biologjike ose kimike,” tha të enjten vonë Olivia Dalton, zëdhënëse e Misionit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

“Ne nuk do ta lejojmë Rusinë të ndezë botën ose të përdorë Këshillin e Sigurimit të OKB-së si një vend për të promovuar dezinformimin e tyre.”

Kërkesa ruse, e shpallur në një postim në Twitter të enjten pasdite nga zëvendësambasadori i saj i parë në OKB, Dmitry Polyansky, pason refuzimin e SHBA-së të akuzave ruse se Ukraina po drejton laboratorë kimikë dhe biologjikë me mbështetjen e SHBA-së./Abcnews.al/

08:04- Bombardime dhe viktima, Rusia: Konfirmojmë sulmet në Lutsk dhe Ivano-Frankivsk

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë sapo ka konfirmuar sulmet në Lutsk dhe Ivano-Frankivsk, raportojnë mediat lokale.

Zyrtarët e mbrojtjes të Moskës u cituan të kenë thënë se “sulmet e tyre me precizion të lartë dhe me rreze të gjatë” kishin goditur dy fusha ajrore ushtarake në qytetet në perëndim të Ukrainës.

Siç kemi raportuar më parë, kjo shënon një territor të ri për sulmin rus, i cili më parë është fokusuar në kryeqytetin e Kievit dhe qytetet në lindje dhe jug të Ukrainës. /abcnews.al/

07:57- Lutsk dhe Dnipro goditen për herë të parë nga rusët

Ka pasur raportime për shpërthime në qytete në anët e “kundërta” të luftës.

Televizionet dhe mediat ukrainase po raportojnë shpërthime në Lutsk në veri-perëndim, si dhe në Dnipro – një qytet në brendësi të vendosur në lumin Dnieper dhe një bastion i madh në Ukrainën qendrore-lindore.

Asnjë prej këtyre qyteteve nuk ka parë granatime të drejtpërdrejta më parë. Sirenat e sulmit ajror kishin rënë në disa qytete në Ukrainë në orët para shpërthimeve.

/abcnews.al/