Ambasadorët e huaj në Kosovë përkrahin platformën për dialog me Serbinë. Kjo u bë e ditur nga Fatmir Limaj, pas një takimi që ekipi shtetëror i Kosovës për dialog me Serbinë zhvilloi me ambasadorët e akredituar në Prishtinë.
Ekipi shtetëror i Kosovës për dialog me Serbinë ka informuar ambasadorët e akredituar në Kosovë për përgatitjet që janë duke bërë rreth dialogut me Serbinë dhe patformën për dialog. Në takim ishin të pranishëm edhe shefja e zyrës së BE-së Nataliya Apostollova, dhe ajo e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou. Pas takimi bashkëkryesuesi i ekipit Fatmir Limaj ka thënë se ambasadorët kanë përkrahur platformën për dialog me Serbinë.
Fatmir Limaj: Ata e dinë që kjo platformë është vullnet i qytetarëve të Kosovës, është i yni. Ata e dinë që ajo platformë duhet të shkojë drejt Kuvendit dhe i takon deputetëve të vendosin.
Sipas tij, ambasadorët kanë përkrahur krijimin e delegacionit shtetëror që për ta ishte një sinjal i fuqishëm dhe shumë pozitiv i Kosovës. Ndërsa për deklaratat e presidentit që përmes një resolute të futet në platformë edhe çështja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, Limaj tha se presidenti ka të drejtë të marrë iniciativa, por i mbetet parlamentit të vendos për një gjë të tillë./abcnews.al