Liderët e qeverive të huaja ofruan ndihmë, Rama: Sigurimi i banesave, tema që duhet diskutuar

schedule12:27 - 22 Shtator, 2019

schedule 12:27 - 22 Shtator, 2019

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot gjatë një mbledhje me grupin parlamentar se është kontaktuar menjëherë nga liderët e qeverive evropiane pas tërmetit që shkaktoi dëme të shumta materiale të shtunën.

Rama theksoi se Ministria e Financave kur përgatit buxhetin i ka bërë skenarët duke imagjinuar një rast më të rëndë se sa ky që ndodhi dje. Megjithatë, në rastet ku situata janë të papërballueshme ndërhyjnë edhe shtetet e huaja, të cilat i drejtohen solidaritetit ndërkombëtar.

“Kjo është arsyeja pse menjëherë dje, punë minutash, mua më kanë marrë në telefon kryeministri i Italisë, Presidenti i Francës, kancelarja austriake, komisionari Avramopulos edhe të tjerë për të thënë çfarë doni. Më vonë, Presidenti i Turqisë. Ata kanë aktivizuar direkt strukturat e tyre sepse lajmi ka qenë tronditës dhe eksperienca ka treguar se në këtë raste duhet solidaritet”, tha Rama.

Pas tërmetit, sipas Ramës, është e nevojshme që të diskutohet për një temë të rëndësishme siç është ajo për sigurimin e banesave.

“Ka edhe tema të tjera për t’u diskutuar më pas siç është tema e sigurimit të banesave që për fat të keq është trajtuar si tabu. Unë e kam prekur që kur kam qenë kryetar bashkie. Më tutje është prekur edhe nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës dhe Durrësit që është e domosdoshme që të ketë tjetër hap siç e ka gjithë bota për sigurimin nga fatkeqësitë natyrore sepse është e pamundur që të jetë vetëm buxheti i shtetit, por mbi të gjitha kompanitë e ndërtimit. Ka ardhur koha ta përmbyllim këtë proces shekullor më duket mua edhe pse janë 20 vjet që kur është trajtuar si çështje të ndërtimit të lidhur me policinë e ndërtimit edhe me kolaudimin në bashki. Ndërtimi i çdo godine sidomos për pallatet duhet të jetë i lidhur me sigurimin. Duhet të jetë kompania e sigurimit që jep viston dhe që mban përgjegjësi për shkeljen në ndërtim. Kompania e sigurimit është roja që duhet t’i rrijë në kantier ndërtuesit për të mos bërë dalje nga projekti që mund të kërcënojnë strukturën”, tha Rama.

Të shtunën një tërmet 5.8 ballë i shkallës Rihter goditi Shqipërinë. Si pasojë e lëkundjeve, të cilat u pasuan edhe nga tërmete të tjera më të vegjël, pësuan dëmtime të mëdha materiale shumë banesa, kryesisht në Durrës dhe Tiranë.

Gjithashtu 105 vetë mbetën të plagosur, shumica e të cilëve kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e spitaleve.  Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi të dielën se në spital janë vetëm 10 persona, 7 në Tiranë dhe 3 në Durrës./abcnews.al