Vllaznia luan sot me Partizanin, ndërkohë që para ndeshjes ka folur për Supersport administratori Suad Lici. Ai pranon se ka marrë shumë prej futbollit, pasi sikurse dihet ka luajtur për vite të tëra me kuqeblutë.
“Sa i takon shpërblimit, futbolli më ka dhënë shumë. Jam këtu prej familjes dhe sportit. Jo vetëm unë, por çdo qytetar i Shkodrës e ka detyrim e ka detyrim ta çojë Vllazninë aty ku duhet”, thotë fillimisht Lici.
Më tej ai flet edhe për anën financiare dhe privatizimin: “Këshilli Bashkiak ka miratuar 20 milionë të reja. Kemi pagesa për të kryer, kjo dihet. Shpresoj të firmoset nga Prefekti. Sa i takon privatizimit, nuk është pjesë e imja, vendos Këshilli. Do ishte mirë të kalonte në dorë të privatit. E kemi hequr fokusin nga vlera monetare. Jemi klubi i vetëm i formalizuar, kontratat janë të sakta”.
“Unë shpresoj që qeveria të bëjë ligjin e sportit. Në momentin që del, me lehtësirat fiskale që krijohen, te Vllaznia vijnë shumë sponsorë”, shtoi Lici, i cili kërkon që Vllaznia të mos vihet në presion. Gjithsesi ai ka besim që kjo skuadër mund të bëjë gjëra të mira.
“Synimet kryesore i kemi vitin e ardhshëm. Vijmë nga Kategoria e Parë dhe duhet të rrimë me këmbë në tokë. Nuk kam pse e vë skuadrën në presion. Duhet të tregojmë vlerat tona. Kam shumë besim te puna që bëhet dhe besoj se do të marrim rezultate pozitive”, përfundoi administratori i Vllaznisë. /abcnews.al