Lezhë/ Kryetari i Bashkisë në Gjykatë, sot seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë

schedule09:03 - 19 Mars, 2018

schedule 09:03 - 19 Mars, 2018

Kryetari i Bashkisë, Fran Frrokaj dhe 11 zyrtarët e tjerë të arrestuar për tjetërsim pronash në zonën Rana e Hedhun, duke shpërdoruar detyrën, po dalin sot para Gjykatës së Lezhës për rivlerësimin e masës së sigurisë, e caktuar ndaj tyre në mungesë.

Rreth orës 08:50 minuta ka mbërritur në Gjykatën e Lezhës, me pranga në duar, Fran Frrokaj, kryetari i Bashkisë Lezhë, seanca për të cilin ka nisur e para. Masat e sigurisë do të rivlerësohen një nga një për të gjithë të arrestuarit.

Mësohet se në gjykatë nuk është paraqitur Gjok Ndoka, kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë. Ai ndodhet në spital për shkak të disa problemeve shendetesore.

23 zyrtarë lokalë të Lezhës, mes të cilëve 12 të arrestuar dhe 11 të shpallur në kërkim, akuzohen nga prokuroria se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar afro 260 mijë m2 në plazhin e Shengjinit, tek Rana e Hedhun, duke e kthyer këtë pronë shtetërore në pronë private dhe më pas, duke e shitur kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare.

Shoqërimi i Frrokajt drejt ambienteve të Gjykatës është bërë në masa të larta sigurie. Siç shikohet dhe nga pamjet, ai është shoqëruar nga disa makina policie, ndërsa jashtë ambienteve të Gjykatës së Lezhës ndodhen qytetarë në mbështetje të tij./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!