Legjenda e Interit: Milani më mirë se Juventusi! Conte, Hakimin përdore ndryshe

schedule11:19 - 24 Nëntor, 2020

schedule 11:19 - 24 Nëntor, 2020

Ish-mbrojtësi i Interit, Beppe Bergomi, një legjendë e zikaltërve, këmbëngul se Milani është më bindës deri më tani se Juventusi. Në një intervistë për “Sky Sport” ai deklaron se të besuarit e Piolit kanë fituar besim, ndërsa bardhezinjtë kanë zhgënjyer në ndeshjet e mëdha.

Gjithashtu ai kërkon që Hakimi të përdoret ndryshe si dhe Interi duhet patjetër që të përmirësohet. “Juventusi nuk më ka bindur akoma, sidomos në ndeshjet e mëdha. Milani nga ana tjetër me Zlatan Ibrahimovic në fushë më ka bindur.

Ata fituan kundër Interit e Napolit, ndërsa bardhezinjtë nuk ia dolën dot kundër Lazios dhe Romës. Në fillim të sezonit kisha ndjesinë se kuqezinjtë mund të bënin mirë dhe të paktën do të ishin mes katër më të mirave. Paolo Maldini është i vetëdijshëm se ka ndërtuar një ekip të mirë”, deklaron italiani.

 

“Milani ka lojtarë që vrapojnë kudo në fushë dhe është e vështirë t’iu shënosh atyre. Ekipi ka fituar vetëbesim tashmë. Interi? Ata duhet absolutisht të përmirësohen. Besoj se të gjithë mendojnë se Hakimi mund të përdoret ndryshe.

Nuk mendoj se Conte po bën një revolucion. Nuk ka kohë për eksperimente. Një problem tjetër tek ata është vija mbrojtëse. Janë shumë të ngadaltë dhe nuk kanë asnjë lojtar të shpejtë në vijën e pasme”, përfundon Bergomi. /abcnews.al