Mes maleve të egra, fshatrave me trashëgimi kulturore, plazheve me ujëra të kristalta dhe tryezave të pasura tradicionale, Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet më tërheqëse dhe intriguese të Evropës, shkruan Noemie Adler në një artikull të botuar në median franceze “Le Guide du Routard”.
Ende e paprekur nga turizmi masiv, vendi ofron një mozaik peizazhesh, kulturash dhe traditash.
Shqipëria mes natyrës, kulturës dhe cilësisë së jetës. Nga kryeqyteti i Tiranës deri në skajet jugore të vendit, ku historia dhe moderniteti bashkëjetojnë natyrshëm.
Vizitorët mund të zbulojnë monumente të rëndësishme historike, një jetë urbane në transformim të vazhdueshëm dhe një kulturë lokale të rrënjosur fort në tradita.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet mikpritjes shqiptare, e njohur gjerësisht nga vizitorët e huaj, si dhe gastronomisë vendase, e cila ndërthur ndikimet mesdhetare dhe ballkanike.
Megjithatë, forca më e madhe e Shqipërisë qëndron te natyra e saj. Liqenet e lashta, relievi malor dhe bregdeti prej më shumë se 400 kilometrash krijojnë një panoramë mbresëlënëse.
Nga veriu në jug, çdo ndalesë ofron mundësinë për të ngadalësuar ritmin, për të vëzhguar dhe për të shijuar një mjedis natyror ende të ruajtur.


