Lamtumirë Ollgës, Tomkës e shokëve të tij? Ndalimi i filmave, fati i tyre

schedule18:23 - 23 Shtator, 2022

schedule 18:23 - 23 Shtator, 2022

Diskutimi per filmat dhe veprat e realizuara gjatë periudhës komuniste prej vitesh janë pjesë e diskutimeve publike dhe sociale. Duhet të ndalohen, janë propagandë apo duhet të jenë si një pjesë e historisë shqiptare janë disa nga pikat në të cilat ndahen mendimet.

Po çfarë mendojnë profesionistë të ndryshëm si gazetarët, regjisorët apo ish aktorë të asaj kohe. Leontina Nika, Kastriot Çipi dhe Teuta Doçi në studion e ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ndanë mendimet e tyre. Kastriot Çipa nënvizoi se nuk është për vendimin e ndalimit por për klasifikim e tyre.

“Komisioni i vizionimit, i cili nuk ndalon filma sepse filmat i ndalon gjykata, por i klasifikon. Domethënë ky film që ti e ke bërë në 47 apo 2022 nuk ka rëndësi fare është i përshtatshëm për këtë lloj publiku, fëmijët e keqkuptojnë nuk duhet të shfaqen. Sot nuk quhen komisione ccensure por borde klasifikimi”.

Sipas tij, njëjtë ndodh me filmat e huaj të cilat vijnë të klasifikuar nga vendet e origjinës ku janë prodhuar. Gazetarja e kulturës në Abc gjithashtu nënvizoi se është pro klasifikimit dhe jo për ndalimin e tyre.

“Ata të cilët merren me historinë e kinemasë shqiptare, sociologët nga ana tjetër, mund të bëjnë një lloj klasifikimi. Por të ketë një debat të mirëfilltë, të diskutohet në të gjitha aspektet e tij për të parë klasifikimin, vlerën estetike të tij”.

Ermali gjatë bisedës u ndal në një studim dhe analizë të bërë nga Kastriot Dervishi ku ishin cituar shumë filma të njohur për publikun shqiptar si Beni ecën vetë, Zonja nga Qyteti, Udhëtim në pranverë, Dimri i fundit, Lulëkuqe mbi mure e shumë të tjerë, duhen ndaluar.

Teuta Doçi pohoi se “Zonjën nga qyteti” vazhdon ta shohi me shumë kënaqësi dhe vazhdimin e saj “Zonjë nga fshati”. Ajo nënvizoi se nuk mund të ç’edukohet një fëmijë me “Zonjën nga fshati” apo “Tomka dhe shokët e tij”.

Ndërkohë Kastrioti përmend një film tjetër shqiptar i cili patjetër duhet të klasifikohet:

“Ai nuk ka përmendur një film që unë do ta vija të parin, jo për t’u ndaluar por për t’u klasifikuar që mund të shfaqet pas mesnate, filmi “Furtuna”. Ka fallsifikim të historisë, dhe një fallsifikim tjetër që është më i rëndë se sa ky. Ka një paraqitje sikur shqiptarët në luftën e dytë botërore nuk janë ndihmuar nga angloamerikanët por nga rusët, sovjetikët”. /abcnews.al