TIRANË- Kinematografia shqiptare humbi një prej emrave të spikatur të saj, Margarita Xhepën.
Ajo u shua në moshën 91-vjeçare duke lënë pas një kujtesë të pashlyeshme në memorien e kolegëve, miqve, bashkëpunëtorëve si dhe tek qytetarët, të cilët patën fatin ta ndiqni me rolet e saj në film dhe teatër, përgjatë karrierës së saj të spikatur në 7 dekada.
Këtë të premte, artistja e madhe do të përcillet për në banesën e fundit. Djali i saj, artisti Ndriçim Xhepa tha se nëna e tij punoi me dashuri dhe pasion të pashoq.
Ai theksoi se është kënaqësi kur sheh se krahas kolegëve, ajo nderohet edhe nga shumë qytetarë, të cilët u rritën dhe shijuan rolet e saj.
“ Në 91 vite jetë, 70 vite i pati në skenë dhe ekran. Punoi me dashuri dhe pasion të madh. Unë vetë jam i biri i saj dhe kam përshtypjen se në përmasat që kishte, kam frikë se nuk e kam të jem i sinqertë. Mbylli jetën e saj në mënyrë normale.
Pati disa probleme në dy muajt e fundit, të karakterit shëndetësor, me pulmonet, por lodhjet e vetë viteve e bëjnë të veten.. normale. Mënyra se si po respektohet sot, nga njerëz pafund, ndoshta kjo është kënaqësia më e madhe që mund të marrin vetë familjarët, por edhe ajo në shpirtin e saj që sot largohet nga kjo botë”, theksoi ai.
Ai foli për ABC News, ndërsa gazetarja Leontina Nika, e pyeti Xhepën për kujtimet që ka me nënën e tij si artiste, pasi kanë luajtur bashkë në dy filma.
“Roli i parë te filmi “Shokët”, ka ardhur krejt rastësisht. Hyrja ime ka qenë në mënyrë të menjëhershme. Ngeli një kujtim i bukur i asaj moshës time 24 apo 25 vjeçare. Pastaj qe filmi i Xhuvanit në 2003, “I dashur armik”, qe një punë e dytë.
Edhe unë në mënyrë direkte nga ekrani po të falënderoj për intervistën, që ju si ABC e dhatë mbrëmë dhe ka ngelur një intervistë e bukur, sepse është ndoshta ndoshta e fundit e bukur e bërë me rastin e 90-vjetorit. Ju falënderoj edhe njëherë”, tha ai./ abcnews.al