Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me pjesëmarrjen e disa qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në zhvillimet e fundit politike në Tiranë, duke sqaruar sipas tij konceptin e “diasporës”.
Në reagimin e tij, Lamallari thekson se shqiptarët me targa nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të konsiderohen diasporë, duke argumentuar se ata vijnë nga shtete të pavarura dhe faktorë shtetformues në rajon.
“Me targa 🇽🇰 dhe 🇲🇰 futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit…”, shkruan ai, duke ironizuar mënyrën e paraqitjes së tyre në protesta apo tubime.
Ministri shton se termat “mërgatë” dhe “diasporë” nuk lidhen me lëvizjen brenda trevave shqiptare në rajon, por me emigrimin në vende të huaja.
Ai thekson gjithashtu se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë një faktor shtetformues në atë vend.
Në reagim, Lamallari kujton edhe rolin e Shqipërisë në proceset e Kosovës, duke përmendur mbështetjen për pavarësinë e saj, si dhe nënvizon se flamuri i UÇK-së përfaqëson një simbol të rëndësishëm historik.
Në fund të deklaratës së tij, ministri thekson se qytetarët nga këto vende janë gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri, por sipas tij, duhet të ketë qartësi në mënyrën se si përdoren simbolet dhe konceptet e identitetit kombëtar.
Reagimi;
Me targa 🇽🇰 dhe 🇲🇰, futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar!
Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues.
Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.
Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vllai-vallin.
Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.
P.S: Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët e 🇦🇱 dhe 🇽🇰 duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.



