Nuk ka asnjë mrekulli për Luka Donçiç. Sezoni që nisi në mënyrën më të mirë për basketbollistin slloven rrezikon të kthehet në një zhgënjim të madh.
Ndryshe nga sa ishte raportuar ditët e fundit nga mediat amerikane, Los Angeles Lakers kanë konfirmuar se Donçiç nuk do të rikuperohet në kohë për sfidat e play off.
Lakers do të luajnë kundër Houston Rockets ndeshjet e para pas përfundimit të sezonit të rregullt me shpresën për të qëndruar në garën për titullin kampion në NBA.
Por duhet ta bëjnë këtë pa një prej lojtarëve më të rëndësishëm.
Vetë trajneri i skuadrës kaliforniane, JJ Reddick tha se basktbollisti slloven vazhdon periudhën e rikuperimit, ndërsa nuk ka një kohë të caktuar për rikthimin e tij në parket.
Një humbje e madhe për Lakers, që gjithashtu në ndeshjet e play off të NBA nuk do të kenë edhe shërbimet e Austin Reaves.
Ky i fundit pësoi një tërheqje muskulare dhe ashtu si për Donçiç edhe për të nuk ka një datë të përcaktuar për rikuperimin e plotë.
Në pesë ndeshjet e fundit pa Donçiç dhe Reaves, Los Angeles Lakers ka tre fitore dhe dy humbje.
Kjo tregon qartë impaktin e këtyre dy basketbollistëve në lojën e kalifornianëve, pasi në sezonin e rregullt, të dy bashkë kanë një mesatare prej 56.8 pikësh, 13.8 asistimesh dhe 12.4 topa të kapur në tabelë.
Në këtë mënyrë, barra më e madhe në misionin e Lakers drejt titullit kampion në NBA, duke nisur nga play off kundër Rockets bie e gjitha te LeBron James.


