Njeriu gabon, apo jo? Të gjithë gabojmë. Ka që përpiqen t’i fshehin ato, por ndonjëherë gabimet janë aq trashanike, sa nuk mund të fshihen. Dhe në këto rrethana, është mirë të kërkohet ndjesë. Të kërkosh ndjesë, është alamet lehtësimi. Më besoni për këtë, pasi e kam bërë vetë disa herë. Ju e dini që e kam bërë. Dua të them se kam kërkuar falje. Kam kërkuar falje jo duke spërdredhur gjuhën, por në kuptimin e plotë të fjalës. “Më falni!”, kam thënë. U kam thënë “më falni” edhe horrave, edhe atyre që janë qen bij qensh. Por horrat nuk hyjnë fare në këtë mes. Ndjesa nuk ka pasur të bëjë me ta. Ndjesa ka patur të bëjë me mua. Sepse kështu është gjithnjë. Ndjesa ka të bëjë gjithnjë me personin që e kërkon, pas një gabimi. Dhe përsëris, unë jam lehtësuar pasi kam kërkuar ndjesë.
Tani vijmë te një gabim i sapo bërë. Tek lajmi që bëri rrëmujë Tiranën e Durrësin një copë herë. Unë nuk besoj se ky lajm ka qenë i planifikuar për të destabilizuar vendin. Unë besoj se lajmi është shkruar e publikuar prej idiotësisë, dhe prej poshtërsisë, pa menduar se pasojat do të ishin ato që ishin. Më konkretisht, lajmi se të dielën në orën 23.30 do të ndodhte një tërmet shkatërrimtar me fuqi 6 ballë ishte së pari një produkt i idiotësisë. Sepse mjaft një kërkim 2 minutësh në internet (edhe kur interneti nuk punon mirë) për të kuptuar se tërmetet nuk mund të parashikohen. Ishte së dyti një produkt i poshtërsisë. Gazetari i referohej një burimi, por thëniet e burimit i shtrembëronte sipas qejfit. I shtrembëronte hapur. Burimi ishte Top Channel, më saktë një intervistë që ky televizion i kishte marrë një sizmiologu grek. Por në atë intervistë thuhej që një tërmet 6 ballësh do ndodhte në orën 23.30 të ditës së diel po aq sa thuhej se Sali Berisha do të përdhunohej nga ca demokratë të Mamurrasit e Bushatit në të njëjtën orë. Në këtë kuptim lajmi i dhënë do kishte kuptim po aq sa do kishte kuptim edhe lajmi i përdhunimit të Sali Berishës. Mirëpo gazetarët dhanë lajmin e parë mbi tërmetin 6 ballësh. Lajmin e dytë mbi përdhunimin e Berishës nuk e dhanë.
Këto ditë të tërmeteve ca njerëz të jepnin përshtypjen se u mërzitën që tërmeti nuk ishte më i madh, e që nuk shkaktoi viktima, dhe ata janë aq të përfshirë nga ethet politike sa truri nuk ua kap se në këtë histori rrezikojnë edhe ata të shkojnë në të sëmës. Prandaj, thirrja ime është shumë e thjeshtë: Merreni shtruar! Ethet politike janë të kuptueshme, por bëni kujdes që ta mbani e ta keni një minimum logjike e common sense. Këto të fundit duhen, pasi shërbejnë si filtra të broçkullave e poshtërsirave që na vijnë në mendje herë pas here.
Dhe e fundit. Pse nuk kërkoni ndjesë? Ja, këtë gjë unë nuk kam për ta kuptuar. Gabimi ishte i qartë, në dritë të diellit, e morën vesh që të gjithë, madje një pjesë dhe e paguan me vuajtje e mundime rrugëve e parqeve. Fare mirë në këto rrethana mund të thoshit: “Ju kërkojmë falje! Ju kërkojmë falje pa ‘por’ e pa ‘nëqoftëse’. Por ata nuk e bënë. Ose e bënë si nëpër dhëmbë. Duke kërkuar alibira. Apo duke kërkuar mbrojtje ndaj qeverisë që po i persekuton. Punë idiotësh e të poshtrish. Që fshihen pas titullit të opozitarit. /abcnews.al